Albspirit

Media/News/Publishing

Nevila Xhindi: Republika e Re! Proces apo paragraf i një marrëveshjeje?

…pas një nate e dite të gjatë negociatash, palët u dakortësuan! Kështu filluan më së shumti lajmet e një marrëveshjeje. Më pas kurioziteti u shtua nga dakortësia për të heshtur para mediave, pa anësia për tua dhënë lajmin të gjithave në një format, quhej McAllister+!

Marrëveshje e vështirë, përmes negociatave për 20 pika…ku mes tyre mungonte pritshmëria e shumë skeptikëve, e jo-mbështetësve, e kundërshtarëve, e atyre që kalkuluan cdo ditë të çadrës në kurriz të saj, e atyre që anetemuan cdo fjalë të cdo qytetari, çdo fjalë të Lulzim Bashës, e atyre që gëzonin kur ndërkombëtarët i kthenin shpinën procesit, atyre që nuk besuan asnjë ditë se Partia Demokratike do dinte të ngrihej edhe pas “shuplakave”, nën drejtimin e një lideri të ri…mungonte mes rreshtash fjala “Republikë e Re”. U shqetësuan….

Republika e Re është një proces kushtetues, institucional, dhe qytetar; proces i paprecedentë në historinë e Re të Shqipërisë dhe nuk mundej kurrë të ishte një paragraf në një marrëveshje. Fillimi i këtij procesi na bashkoi me 18  Shkurt në shesh për t’i thënë ndal keqqeverisjes Rilindase- mavi si dhimbja; ndal drogës- që kishte mbushur Shqipërinë me helm dhe e kishte vënë në krye të statistikave ndërkombëtare të mbjelljes dhe trafikimit; krimit- që e kishte zaptuar çdo qelizë të jetës sociale dhe ekonomike, kish zaptuar qeverinë;  dhe për të kërkuar zgjedhjet e lira si themeli i bashkëjetesës demokratike në Shqipëri, themeli i mirëqenies, sigurisë dhe të ardhmes Europiane që aq shumë e dëshërojmë.

Në ato 90 ditë, brenda në  një çadër, e vendndodhur mes dy institucioneve të helmuara nga krimi, u fol për herë të parë për Republikën e Re, për shpresë në këtë vend, duke kujtuar e reflektuar sëbashku me qytetarët, artistët, studentët, profesorët, gratë e burrat e papunë, pensionistët, jetimë, biznesmenët etj etj…shkaqet, mënyrat, dhe format  se si republika e vjetër u shndërrua në një strehë të artë të krimit, se si republika e vjetër ishte shndërruar në republikën e drogës në Shqipërinë e mes Europës. Ditë për ditë shqiptarët morën kurajon dhe iu bashkuan cadrës, dëgjuan, propozuan në Sheshin e Lirisë, u çliruan nga frika, u bashkuan me alternativat e Republikës së Re, me qëllimin për t’i dhënë fund një herë e mirë republikës së vjetër, për të themeluar republikën e vërtetë të çdo qytetari dhe çdo qytetareje shqiptare, republikën e re të ligjit, të demokracisë, të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe të drejtësisë të vërtetë. Proces i gjatë ky…

Republika e Re është një proces drejt bashkimit të shqiptarëve, shqiptarëve të shtypur, të fyer në integritetin e tyre, të nëpërkëmbur, të dhunuar, të mashtruar, të papunësuar, të dëshpëruar që për shkak të qeverisjes dhe shtetit të dështuar e kriminal, iu vra ëndrra për një jetë më të mirë, për një familje më të qetë, për një të ardhme mes njerëzve që duan e pranë shtëpive të tyre, e jo rrugëve të Europës.

Republika e Re është proces që nuk ngrihet mbi inate të vjetra, as me bazë republikën e vjetër që betejën e konkurrencën e ka në kurriz të biznesit duke e poshtëruar atë, shantazhuar deri në qindarkën e fundit; atë republikën që la mijëra maturantë jashtë auditorëve dhe rriti kaosin për mijëra të tjerë dhe i detyroi të ndërpresin studimet; republikën kur ish-të përndjekurit politikë u poshtëruan edhe politikisht.

Republika e Re është një proces drejt një sistemi drejtësie të drejtë e të pavarur ku secili prej nesh, nga më i thjeshti e deri te Presidenti, të jenë të barabartë e të marrin vetëm atë që u takon me ligj. Sistemi i pastër i drejtësisë është ai që do të garantojë të nesërmen, për çdo lloj opozite, atë që opozita aktuale kërkon me ngulm sot: zgjedhjet e lira e të ndershme; është proces besimi, të besosh tek lideri, të besosh tek Partia që ai drejton, tek ekipi i tij, tek e ardhmja që ai projekton me programin e Republikës së Re.

Këto janë fakte, ja si ndodhi që Republika e Re nuk mund të ishte vetëm një paragraf në marrëveshje, sepse vullneti politik bën ndryshimin, por Republika e Re është një betejë ekzistenciale, është një betejë historike që do të ketë në qëndër forcën, vendosmërinë dhe qëndresën e bashkimit popullor.

Lulzim Basha e di fort mirë se me lëvizjen për “Republikën e re” i ka mobilizuar kundërshtarët politikë. Ai ka qenë i ndërgjegjshëm se themelimi i saj është një akt, por vetë ngritja dhe zhvillimi i saj është një proces i gjatë, i shtrirë në kohë, i mbështëtur mbi kapitale humane me vlerë politike, morale e profesionale. Ai fort mirë e di që cdo punë e mirë fillon nga vetja, nga “ shtëpia e përbashkët”, nga vetë Partia që ai drejton. Rruga ka nisur me vizion të qartë, është e sigurt, është e vendosur, dhe ka mbështetjen e të gjithë qytetarëve të ndershëm shqiptarë, që me Republikën e Re e duam ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa.

Unë besoj tek Republika e Re, dhe ajo do ngrihet shpejt!

Lëreni qershorin të ndodhë!

Please follow and like us: