Paganini shkodran magjeps Mbretëreshën e Spanjës
Në Teatrin Mbretëror të Spanjës, Elvin Hoxha, 21 vjeçari shqiptar, i cili jeton në Ankara mbajti një koncert solo nën drejtimin e tenorit të madh; Placido Domingo.
Hoxha, pak i njohur, për të mos thenë fare i panjohur në atdheun e rij Shqipëri, është cilësuar nga kritika botërore si “Paganini i ri”. Ai ka dhenë koncerte në shumë skena botërore, ndërsa këtë herë koncerti është mbajtur nën kujdesin e Mbretëreshës Sofia, e cila e ka vlerësuar personalisht talenitn e madh shqiptarë, familja e të cilit prej vitesh jeton në Turqi.
Referuar biografisë së tij mëson se Elvin Hoxha është djali i Hajredin Hoxhës, një artist shqiptar, pjesëtar i një trungu të njohur intelektual shkodran. Prej vitesh Hajredini është pjesë e Filarmonisë Kombëtare të Turqisë, ndërkohë që e bashkëshortja e tij, Nermina Ganiyeva, është me origjinë nga azerbaxhani dhe jeton në Turqi. Familja Hoxha e shkon jetën në kryeqytetin e ri të Turqisë, Ankara.
Për talentin që shpërfaq Elvin Hoxha vlerësohet ndër dhjetë violinistët më të mirë botëror. Lidhur me koncertin e mbajtur këto ditë në Teatrin Mbretëror të Madridit, ku është pjesëmarrë edhe Mbretëresha e këtij shteti, ambasadori shqiptar në Madrid ka postuar një mesazh në faqen zyrtare të selisë diplomatike shqiptare, si dhe në faqet sociale në internet.
“Performancë mbresëlënëse e violinistit shqiptar Elvin Hoxha në Teatrin Mbretëror te Madrid-it, nën drejtimin e tenorit Placido Domingo dhe kujdesin e Mbretëreshës Sofia”, vlerëson ambasadori shqiptar në Spanjë, Ridi Kurtezi.