SFIDA:QEVERIA RAMA-META-BERISHA, NJE MODEL QE DUHET NDESHKUAR ME VOTE
Rama, Meta e Berisha tashmë po bashkëqeverisin dhe ia arritën qëllimit. Pazaret e dy netëve më parë i ngjanin më shumë takimeve të “Cosa Nostra’s” sesa asaj të një Republike Parlamentare.
Pa dëshmitarë, duke lëvizur nga dhoma në dhomë për të shmangur përgjuesit, aty u vendos si duan ta katranosin sërish drejtësinë apo si do ndahen koncensionet, cila dosje të rënda do hapen dhe cilat do varrosen përfundimisht, cili politikan do shpëtojë e cili jo.
Administrata është ndarë si plaçkë mes hajdutësh dhe vota sot nuk është as më e sigurtë as më e lirë. Gjithë kaosin që krijuan për tre muaj, natë e ditë, e përmbyllën me një javë shtyerje zgjedhjesh dhe ndarje deri tek drejtori AZHBR.
Vetë ky dokument zyrtarizon problemet e rënda që ka ky shtet.
1- Ministritë dhe punonjësit e tyre nuk i shërbejnë qytetarëve por partive
2- Drejtorët e institucioneve shtetërore nuk janë aty me konkurs por të emëruar për të zhvatur dhe për të mbushur arkat e partive.
3- Keqpërdorimi i miliardave të ardhurave nga hashashi nuk mund të ndalohet nga ministrat e PD për 30 ditë kur për 4 vjet u lanë të lulëzonin
4- U shmang identifikimi dhe numërimi elektronik
Një prej themeluesve të “Sfidës”, Gjergj Bojaxhi tha se qytetarët e pavarur duhet të ndërgjegjësohen se jo vetëm që nuk duhet të lëshojnë asnjë votë interesi për Ramën, Berishën e Metën por duhet të motivojnë çdo të njohur, të dalin masivisht në zgjedhje për rithemeluar klasën politike shqiptare me parti të reja të pakapura nga ky sistem.
“Asnjë parti politike apo politikan që për 20 vite ka votuar për pazaret e Ramës, Berishës apo Metës nuk meriton të jëtë në parlamentin e shqiptarëve. Nuk mundet që Shqipërinë ta marrin peng 3-4 persona” u shpreh kandidati i Sfidës në Tiranë
Së parit duhet të largojmë këtë “elitë” politike e më pas të ulim radikalisht pushtetin e politikanëve përmes:
– Kontrollit të imtësishëm për çdo politikan, dhe kandidatët tanë janë të parët që ofrohen për këtë vetting.
– Përzgjedhjes së deputetëve përmes listave të hapura ku janë qytetarët që zgjedhin.
– Konfiskimit të pasurive të pajustifikuara për politikanet dhe familjaret e tyre
– Kufizimit deri ne dy mandate për kryeministrin dhe ministrat
– Investigimit penal për financimin e partive politike
– Hapjes së dosjeve për të gjithë ministrat, kryeministrat dhe ish-zyrtarët e lartë që prej viteve 90’. Asnjë person nuk duhet të kalojë pa u ndëshkuar.