Albspirit

Media/News/Publishing

Marrëveshja me Bashën dhe të pathënat nga katundi mediatiko-politik

Edi Rama

Kjo javë solli atë që mbase vetëm unë kisha mbetur që e besoja në këtë qytet që ende mund të ndodhte:

Ngritjen e Çadrës së Frikës nga Drejtësia dhe hapjen e bulevardit për Vetingun e për zgjedhjet me pjesëmarrjen e të gjithëve.

Kur them mbase vetëm unë kisha mbetur që e besoja ende, ishte më shumë instinkti se sa realiteti i gjërave qe më jepte ende pakëz shpresë, duke parë edhe këmbënguljen tipike amerikane në këtë rast, natyrisht. Sepse hendeku ishte vërtet shumë i madh për t’u kapërcyer në momentin më të fundit; në atë momentin kur laku i kohës është i shtrënguar thuajse plotësisht, që në shah quhet ceitnot.

Sidoqoftë si e qysh u arrit kjo marrëveshje, është një libër më vete; ku përmbajtja e vërtetë e kapitujve është shumë më e ndryshme nga çfarë është lexuar gjatë gjithë kohës së kësaj krize artificiale, përmes kronikave, analizave, interpretimeve të bëra në mexhelisin tonë mediatik. Por çfarë ka vërtet shumë rëndësi është se kjo marrëveshje, ishte një nga ato raste kur një krizë kthehet përmes vullnetit të mirë, në një mundësi të re, për një fillim të ri.

Fatkeqësisht, por jo çuditërisht, debati post-marreveshje në klubet e katundit politik e mediatik, është fokusuar thjesht tek ndryshimet në qeveri e tek fakti që nuk është rihapur rruga e krijimit të koalicioneve dhe kanë lulëzuar gjithë teoritë e konspiracioneve

Ata që renden t’i quajnë ndryshimet në qeveri një pazar të madh, për tendera, para publike, koncesione e konfeksione, janë në fakt pikërisht ata që klubet e katundit të politikës e të medias, i frekuentojnë për të kapur kocka e për të përfituar ëmbëlsira nga pazaret e vetë politikës.

Fakti është se edhe pa u bërë marrëveshja, pra edhe në gjasën që zgjedhjet do të zhvilloheshin pa Partinë Demokratike, qeveria me një urdhër administrativ të nxjerrë prej meje në datën 12 Maj, ishte angazhuar të mos shpenzonte asnjë para publike të paparashikuar dhe të mos bënte asnjë procedurë të re të asnjë lloji deri në 18 qershor.

Ashtu siç është po kaq e vërtetë, se ministrat e rinj teknike, të cilët do të përzgjidhen me konsensus po natyrisht, të propozuar nga opozita, do të jenë në detyrë si kujdestarë të etikës zgjedhore, që do të garantojnë mospërdorimin e administratës në zgjedhje dhe ndalimin e çdo lloj forme presioni mbi punonjësit e shtetit për t’u marrë votën. E njëjta gjë dhe për drejtorët e agjencive të mëdha.

Ky është në thelb, edhe dallimi i madh, mes qeverisë teknike për të zbatuar një program të caktuar politik dhe ministrave teknikë që përfshihen me një afat konkret në një qeveri politike, për të kufizuar përdorimin e mjeteve në dispozicion të qeverisë dhe ndaluar ndikimin politik mbi shtetin, dhe të shtetit mbi njerëzit, gjatë periudhës zgjedhore.

Kjo është sigurisht një premisë e shkëlqyer për t’i dhënë fund, një historie pambarim zgjedhjesh, të cilat gjithnjë kontestohen nga pala që del e humbur prej aritmetikës së mandateve. Sipas të gjitha gjasave në 25 qershor do të kemi zgjedhje, të lehtësuara si kurrë, asnjëherë nga pesha e makinerisë shtetërore dhe në përfundim të tyre, askush nuk mund të fillojë avazin e vjetër të kontestimit tradicional të rezultatit duke u ankuar për rolin e shtetit.

Por marrëveshja, për ata që kane sy të shikojnë e vesh të dëgjojnë, shkon shumë përtej këtij fakti që në vetvete është shumë i rëndësishëm. Angazhimi i palëve përmban angazhimin për zgjedhjet, si pjesë të angazhimit të mëtejshëm të mazhorancës e të opozitës së dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit, për të qënë së bashku, në rrugën e çeljes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. E thënë ndryshe, mosdakordësitë e natyrshme mes të dyja palëve, këndvështrimet e ndryshme mbi çështjet, përplasjet e pashmangshme në rrugën e bashkëjetesës demokratike mes qeverise e opozitës, nuk do të jenë më arsye për t’u bërë gazi i botës në sytë e Europës; ku kaq rëndom gjatë këtyre 27 vjetëve, jemi shfaqur si të ishim armiq me kombësi të ndryshme, me gjuhë të ndryshme, madje si të ardhur nga shtete të ndryshme.

Ashtu sikundër, marrëveshja përcakton detyrimin e ndërsjellë të palëve, si vullnet për të institucionalizuar dialogun qeveri – opozite; pa pritur më që miqtë dhe partnerët e huaj të bëjnë shkesin me muaj të tërë, thjesht për të na ulur në një tryezë. S’ka më nevoje që përpara se sa të flasim e të përplasemi shqip, sy më sy, ta bëjmë këtë në anglisht siç ka ndodhur 27 vjet në rast konfliktesh e mosdakordësish të rënda politike.

Tryeza e dialogut do të jetë e hapur dhe jo vetëm kur gjerat shkojnë në zgrip. Periodikisht kryetari i qeverisë dhe kryetari i opozitës të dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit, do të takohen për të diskutuar për ecurinë e integrimit europian, për çështje të interesit kombëtar që duhen adresuar nga politika jonë e jashtme, për mirëkoordinimin me faktorin politik shqiptar në rajon në mbrojtje të interesave të shqiptarëve kudo ku ata jetojnë, si edhe për punën e përbashkët që të përfshijmë diasporën në jetën politike dhe ekonomike të vendit.

Kjo është për mua një pikë themelore e marrëveshjes. Zbatimi i saj na bën më në fund shtet serioz në sytë e botes, por më shumë se kaq në mbrojtjen e interesave të mëdha të vendit; një shtet europian të shqiptareve, ku qeveri dhe opozita, kanë detyrimin që në vendimmarrjet e mëdha, të vën Shqipërinë mbi partinë; flamurin kuqezi të Skënderbeut e të Ismail Qemalit mbi flamujt e interesave partiake, klanore apo të çfarëdo lloji tjetër; interesin e gjeneratës tjetër, mbi çdo zgjedhje të radhës mes partive, ku pavarësisht kush fiton e kush humbet zgjedhjet, qytetarët, komunitetet, atdheu i përbashkët, kurrsesi të mos dalin të humbur.

Paketa e famshme McAllister, ishte një recetë e improvizuar me dëshirën e mirë për të na ndihmuar të kalojmë një krize te radhës. Ndërsa marrëveshja politike mes palëve është një platformë, për tu përpjekur sëbashku të këpusim zinxhirin 27 vjeçar të krizave qe i shpikin partitë dhe i paguan vendi, qytetari, shoqëria, ekonomia kombëtare e familjare e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi.

Gojët e mëdha qe e çorodisin përditë Shqipërinë me lehanqenllëkun e klubeve të katundit politik e mediatik, dhe që ushqejnë barkun e tyre të pangopshëm, me stresin që politika e interesave mizerabel të të gjitha llojeve u shkakton njerëzve, s’kanë pushuar një sekondë duke hedhur baltën e tyre mbi marrëveshjen. E godasin këtë marrëveshje si një pazar të madh bashkëqeverisjeje mes PS dhe PD, në kurriz të demokracisë, në kurriz të drejtësisë apo në kurriz të partive te vogla. Te cilat, megjithë respektin, mund të jenë gjithçka, po vetëm garante të demokracisë e të drejtësisë, as kanë qënë ndonjëherë e as mund të jenë dot. Për vetë peshën e tyre, jo në Shqipëri por askund.

Të jemi të qartë dhe ta dëgjojnë mire që te gjithë:

Ka vetëm një bashkëqeverisje në këtë marrëveshje. Kjo është bashkëqeverisja e zgjedhjeve; për të siguruar një fair play mes palëve, deri në 25 qershor, si asnjëherë më parë në historinë e pluralizmit në Shqipëri.

Këtë herë jo vetëm administrata zgjedhore është e baraspeshuar, siç ka qënë edhe në një sërë zgjedhjesh të kaluara, po edhe vetë qeveria është e vendosur bashkarisht në këtë funksion dhe vetëm në ketë funksion. Të tjerat janë llogje gojësh të pangopura në pazarin e katundit të politikës e të medias.

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, kane qënë kundërshtare, janë kundërshtare dhe do të jenë kundërshtare politike; dy alternativa pushteti me programe krejt të ndryshme në një betejë qe nuk mbaron me 25 qershorin. E mbi të gjitha, dy rrugë krejt të ndryshme për vendin tonë: E jona, për të bërë shtet, punë, mirëqenie. E tyrja, pa shtet e me të gjitha taksiratet e njohura qe kanë sjellë për këtë vend dhe për këtë popull, sa herë që kanë marrë në dorë qeverisjen.

Mos hapja e lojës së koalicioneve, s’ka asnjë lidhje me ndonjë pakt bashkëqeverisjeje.

E kam thëne qysh në fillim, kompromis me Kushtetutën, Ligjin dhe të drejtën e popullit për të zgjedhur në ditën qe i’a jep Kushtetuta e Ligji këtë të drejtë, unë nuk bëj, edhe sikur ta di që shkojmë në zgjedhje të vetëm.

Ideja e çuarjes së zgjedhjeve matanë të dielës së fundit të qershorit, ishte për mua, personalisht jo vetëm pjesa antiligjore por dhe fyese e paketës McAllister! Nuk e gëlltisja dot dhe Partia Socialiste, e angazhuar për të bërë shtet, me rregulla që vlejnë për të gjithë njësoj, nuk mund ta pranonte atë ide.

Zgjidhje që miqtë e partneret tanë as nuk i imagjinojnë se mund t’i mendojnë, dhe jo më t’i diskutojnë në vendet e tyre, i kanë shpikur në Shqipëri gjithë këto vite pluralizmi, pa asnjë gajle për faktin se ky vend ka kushtetutë, ka ligje, ka edhe një popull që meriton të respektohet njësoj si popujt e tyre.

Sepse në fakt dhe për fatin më të keq, aspak për faj të tyre, po kështu i kemi mësuar ne, 27 vjet me radhë, me lojërat tona prej kalamajsh në oborrin e katundit tonë politik! Dhe ata të shkretët kanë menduar gjithnjë, që ky është një vend që duhet gjetur një zgjidhje, pastaj shohim, e mbase kanë ndjerë se nuk meritojnë më shumë respekt se sa ndihmën për kapërcimin e krizës së radhës me formula e paketa të çuditshme, që e bëjnë Kushtetutën të duket si një tufë letrash dhe ligjet si një pirg rreckash.

Kjo marrëveshje vendos besoj, një kufi të qartë në rrugën e të ardhmes, edhe në këtë drejtim. Askush nuk mund të ngrejë më një çadër dhe të kërkojë qiqrrat e radhës, në hellin ku politika e ka djegur më shume se njëherë këtë popull, për lojëra mes partive e politikanëve që s’kanë asgjë të përbashkët me vetë interesin e popullit.

Dikush mund të thotë se rihapja e rrugës për koalicionet ishte ligjore. Po, por jo në ceitnotin e kohës duke hapur rrugë për avaze të reja, të cilave mund të mos u gjendej më fundi dhe lojërave që mund të fillonin nga e para.

Me ç’më panë sytë e me ç’më dëgjuan veshët, gjithë këta muaj, deri në momentin kur i kërkova kryetarit të opozitës të ngriheshim nga tryeza e partive dhe te uleshim ballë për ballë, sy më sy, pak orë para skadimit të kohës për zgjidhje, ishin të gjitha arsyet për të bërë çmos që të kishim një marrëveshje serioze për Shqipërinë; jo një marrëveshje sa për ta kaluar edhe këtë radhë, krizën e radhës. Por nuk kishte asnjë arsye të vetme, zero arsye, për të rrezikuar fillimin e lojërave të partive nga e para, sa në skene e sa në prapaskenë.

Të gjitha partitë kanë qëllimet e tyre, interesat e tyre, ankesat dhe fiksimet e tyre, që kthehen në një volum shurdhues sapo afrojnë zgjedhjet. Prandaj edhe jemi marre vesh që të mos e prekim Kodin Zgjedhor, për ca arna me stampën McAllister, në emergjencën e ceitnotit kohor, po të angazhohemi pas zgjedhjeve, në një reforme të re gjithëpërfshirëse, kushtetuese e zgjedhore. E cila do të adresoje të gjitha meraqet e vjetra e të reja të partive politike; në emër të stabilitetit, konkurueshmerisë, transparencës së jetës politike e dhe të garës mes partive si moment kulmor në jetën e çdo partie. Po edhe kjo pikë shumë e rëndësishme e marrëveshjes, ka kaluar pa u vënë re e pa u vlerësuar si duhet, për rëndësinë e madhe te saj, në reformimin e kulturës sonë politike.

E në fund, por jo për nga rëndësia, me këtë marrëveshje, Partia Socialiste ka treguar edhe një herë, se është fuqia e madhe e reformimit të vendit; e vetmja garante e aspiratës së socialistëve e të demokratëve si qytetarë të zakonshëm për të jetuar në një shtet serioz. Ne do te shkojmë drejt 25 qershorit, me ambicien për të bërë shumë më shumë, se sa kemi bërë në këta tre vjet e gjysmë. Pala tjetër e kësaj marrëveshjeje, do të hyjë në zgjedhje, si një kërcenim real për të na kthyer mbrapsht nga rruga e reformave qe bëjnë shtet, duke zeruar gjithë përpjekjet e mundimshme të këtij mandati, ku me reformat tona kemi venë bazat për të bërë shtet.

Na duhen te paktën 71 mandate, për të vazhduar përpara duke e mbajtur në timonin e reformave shtetbërëse, në rrugën e re që kemi nisur për Shqipërinë; ku me të njëjtën forcë, të papërballueshme, siç e patë, që luftuam dhe fituam për Vetingun, do të luftojme e fitojmë për ta çuar ekonominë e punësimin në nivele te panjohura më pare.

Kam shume besim, kam më shumë besim se përpara marrëveshjes, se do të bëjmë për Shqipërinë atë që deri para tre vjetësh e gjysmë, quhej e pamundur:

Do ta bëjmë këtë vend!

Do ta bëjmë Shqipërinë që duam, për të gjithë fëmijët e këtij vendi, me shtet, punë, mirëqenie.

Please follow and like us: