Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: LUTJE NAIMIT

 

Mbyll sytë dhe i shtrydh që t’më vijnë lotët.
Sytë, moshuar, nuk kanë mjaftueshëm gjendra loti.
Nuk kam lotë, lotë, më duhen lotët
Ose duhet t’i ble në farmaci.
Kjo është si të lahesh në një liqen artificial,
Basen uji pa gjeth, pa bletë, pa zogj, pa zhapi.

Në mëngjes ku ta gjej një grusht lotë
sytë të m’i shpëlajë balte,
mjegulle, vreri a një rëre prej qelqi.
Oh, kjo notë vajtimi është një “do”, një “si” a një “sol”…
Oh! Si ta thyej, ta bëj copë, pllangën e natës në sy, në pus,
Në xham të pasqyrtë profecie që deri sot
s’e përftoi dot asnjë Nostradamus.

O, o, Naim Frashëri është ushtar i gjethërimit të botës,
ushtar i lisit të gjatë, i lumit të kulluar.
i malit me gjeth e bar ekologjik,
ku ndërron qyrku në lëkurë dhelpre e lepuri nëpër erë,
Ku mbin lulja… Eja, eja Naim më jep një grusht lotë
Nga aty ku buron ujët e ftohtë
e fryn veriu në verë.

Kjo poezi e vitit 2016 ne kujtim te dates 25 maj 1845, ditelindjes se Naimi Frasherit, publikohet sot per here te pare

Please follow and like us: