Albspirit

Media/News/Publishing

Eduard Halimi: Dy fjalë për propozimet e Bashës për AP dhe kryetar të KQZ

 

Dje Lulzim Basha bëri disa propozime që do votohen sot në Kuvend, por unë dua të ndalem në 2 prej tyre që janë me mandat të plotë: Avokatin e Popullit dhe kryetarin e KQZ.

Erindën e kam njohur në gjykatë si kolege kundërshtare; unë avokat i Olldashit dhe ajo e Edi Ramës, kur Olldashi e akuzonte për koncertin e Pezës. Olldashi e fitoi gjyqin pak para zgjedhjeve të 2005, por unë kujtoj se Erinda ishte një avokate profesioniste ashtu si kolegia e saj Evelina Qirjako e cila përfaqësonte Nanon dhe qeverinë në atë kohë.

Deri në 2005 unë isha avokat dhe ndër të tjerë përfaqesoja eksponentë të PD në gjykata, ndërsa Evelina dhe Erinda eksponentë në PS.

Unë iu bashkova politikës, Evelina shkoi në Gjykatë të Lartë me votat e PD, ndërsa Erinda qëndroi si avokate duke bërë zgjedhjen e saj gjatë 12 vjetëve. (Ndoshta më të duhurën).

Çdo njeri racional e di se kur sëmuret kërkon mjekun më të mirë, pa e parë se cilin ka mjekuar para tij, të majtë apo të djathtë, dhe njëlloj mendon edhe kur duhet të shkojë në gjyq, zgjedh avokatin që mendon se është më i miri.

Ndaj për këtë arsye mendoj se Edi Rama ka zgjedhur atëherë Erindën si avokate. Erindën nuk e kam parë ndonjëherë të hyje në PD, por kjo është tregues për lartësinë e propozimit për të.

Lulzim Basha mund të kishte bërë një konkurs fasade, si ai para 5 viteve që bëri Edi Rama, ku të kishte zgjedhur dikë tjetër, ndonjë militant pasi pa as më të voglin dyshim ka shumë profesionistë që janë militantë të PD. Por zgjodhi Erindën si një avokate profesioniste, civiliste e shkëlqyer për të cilën jam i bindur se edhe opozita e nesërme do gjejë avokaten e saj, ndaj sot kot janë mërzitur mediat pranë PS.

E njëjta dhe për Klementin. Unë e di që nëse Basha mund të kishte zgjedhur ndonjë militant në PD që mund të hidhej në zjarr për PD, që të kishte qenë drejtor i Bashës si Denari drejtor i Ramës, të kishte qenë kamikaz si Denari, por zgjodhi Klementin, burrin e mençur racional e profesionist për ti treguar kundërshtarit politik se e sheh përzgjedhjen e njerëzve në institucione jo si një proces fasadë, por me përgjegjësinë për të zgjedhur më të mirët, me profesionistët.

Suksese të dyve edhe Erindës edhe Klementit.

Please follow and like us: