Albspirit

Media/News/Publishing

Uta Ibrahimi, shqiptarja e parë që mposht Everestin

Uta Ibrahimi është alpinistja e parë shqiptare që është ngjitur në malin më të lartë në botë “Everest”.

“Sot në të gdhirë në 22 maj 2017 në orën 05:05. Ajo e mposhti Everestin.Uta nuk u tërhoq nga moti keq, duke nderuar  kombin shqiptar”, shkruan alpinisti Xhim Begeja në rrjetin social facebook.

Pas kësaj arritjeje, vetë Uta në një postim në Facebook shkruan se “për të gjithë ju që më keni bërë të dua nënën natyrë, që më keni dhënë dashuri e përqafime, guxim e besim, nëpër ekspeditat tona të shumta për 6 vjet … e më shumë për ata që kanë besuar në ëndrrën time dhe më kanë bërë më të fortë drejt realizimit të saj! Jeta është sfidë me veten, është mësimi im për këto 50 ditë të ngjitjeve të mia të vështira në lartësi të mëdha mbidetare, nëpër #Himalaya …. ju falenderoj, veç e veç, prej zemrës, secilin”.

 

Everest është mali më i lartë i vargmaleve të Himalajës, dhe maja e tij vendi më i lartë i Tokës mbi sipërfaqen e detit, ka një lartësi prej 8.848 metra.  Lartësia e tij ndryshon çdo vit disa milimetra për arsye të krijimit të maleve që krijoi Himalajat dhe vazhdon edhe në periudhën tonë sepse pllaka tektonike e Indisë përplaset me atë të Azisë. 8.850 metrat janë në dy të tretat e lartësisë së troposferës.

Në këtë lartësi ajri është i rrallë dhe mungesa e oksigjenit, erërat e forta dhe temperaturat shumë të ulta e bëjnë të pamundur lulëzimin e bimëve dhe barit në faqet më të larta. Mali u quajt Everest si shenjë nderimi ndaj drejtorit të Shërbimeve Trigonometrike të Indisë.

Një pasdite të vitit 1852 në Dehra Dun të perandorisë Indiane, një punonjës-llogaritar hyri në zyrën e drejtorit të tij duke i thënë gjithë gëzim:  “Zotëri, zbulova malin më të lartë të botës”. Drejtori i tij, Sir Andrew Waugh, i entuziazmuar nga lajmi që sapo kishte dëgjuar vendosi që malit më të lartë të botës t’i jepte emrin e drejtorit të mëparshëm, Sir George Everest.

Please follow and like us: