Albspirit

Media/News/Publishing

‘Furtuna në gotë’ e bosëve të medias televizive

Andi Bushati

Një fortunë në gotë po ngrihet nga pronarët e televizioneve lidhur me ligjin që miratoi dje parlamenti dhe që i detyron ekranet private të transmetojnë falas reklamat e partive gjatë fushatës elektorale. Shumica e mediave, pothuajse njëzëri, e konsideroi ligjin e miratuar me 118 vota një skandal. Ata i bombarduan sytë e shikuesve me tituj të rëndë dhe bombastikë. Ata ngritën zërin se ky draft ishte bërë fakt pa u konsultuar me grupet e interesit, se deputetët e kishin votuar atë pa e lexuar fare më parë, se ai ishte në kundërshtim edhe me ligjin e mediave të aprovuar nga OSBE, etj.

Në fakt, pavarësisht këtyre shqetësimeve “parimore”, lajmet që u hartuan drejtëpërdrejtë nga zyrat e pronarëve (në mos nga sallonet e shtëpive, sepse Shqipëria është një rast unikal ku çdo televizion është në pronësi të një familjeje të vetme), kishin një shqetësim të fshehtë. Atë që bosët e mediave e artikulonin privatisht: Kush janë këta Rama dhe Basha, që të vendosin për paratë tona? Si mundet që ata të marrin vendime për të ardhurat e një biznesi privat? Si mund të blejnë partitë e tyre mall pa lekë në dyqanet tona?

E gjithë kjo fabul haluçinante është shembulli më i mirë se sa larg nga problemet reale të shoqërisë janë mediat këtu tek ne;

Se sa kollaj një hall i katër apo pesë oligarkëve, mund të serviret si shqetësim kombëtar;

Se me sa lehtësi cekja e buxhetit të katër apo pesë familjeve, mund të shitet si një shqetësim demokratik.

Pretendimi i ngritur prej tyre nuk qëndron as ligjërisht, as moralisht.

Ligjërisht sepse biznesi i televizioneve private nuk është thjesht një biznes i rëndomtë si shitja e qepëve apo pantoflave. Ai ngrihet mbi një pasuri kombëtare që janë frekuencat ku ata transmetojnë, si pasuri e patjetërsueshme publike. Ai ka për qëllim përpos prodhimit të parave për Hoxhajt apo Frangajt, edhe informimin e publikut. Prandaj rregullimi i reklamave të partive në ekranet tona, ku gjithmonë pjesën e luanit e merr pushteti dhe financuesit e tij, ishte një domosdoshmëri. Në këtë kuptim, ‘Klani’, ‘Topi’ edhe ‘Vizioni’, si përdorues të frekuencave publike, që i kanë marrë me qera përkohësisht, e kanë për obligim pasqyrimin në mënyrë sa më të ndershme dhe sa më të barabartë të fushatës elektorale. Pronarët e tyre nuk i gjen ndonjë gjëmë se në emër të këtij parimi do të fitojnë pak më pak para se në zgjedhjet e kaluara.

E këtu mbërrijmë pastaj tek argumenti moral.

Vështirë të ketë ndonjë shqiptar që të arrijë të kuptojë ankesën gjëmëmadhe të këtyre oligarkëve, të cilët kanë rrëmbyer gjithçka në këtë vend. Boll të shohësh kioskat që kanë mbirë në çdo cep të Tiranës, boll të shikosh kullat që po ndërtohen dhe ato që tashmë janë planifikuar, për të kuptuar se këta njerëz po përvetësojnë çdo pasuri publike. Falë dy liderëve që arritën marrëveshjen për zgjedhjet dhe falë partive të tyre, ata janë pasuruar në kurriz të të gjithë shqiptarëve. E tani kërkojnë para të tjera për të përçudnuar informacionin që i jepet publikut për zgjedhjet. Për të vazhduar nxjerrjen e përfitimeve me mënyra që shkojnë në drejtim të kundërt me interesin publik.

Prandaj si i tillë shqetësimi i tyre nuk duhet marrë seriozisht. Ai duhet trajtuar si një shaka, si ato që vetëprovokojmë për të qeshur, atëhere kur nuk qajmë dot.
Por, duke sqaruar këtë, nuk mund të thuhet se ndryshimet ligjore për pasqyrimin e fushatës janë të mira apo të pranueshme. Tallavaja e kotë që ngritën pronarët e mediave fshehu problemet reale të saj. Sepse kjo përpjekje vërtet mëton të ekuilibrojë raportin e kohës televizive mes PS dhe PD, vërtet synon të bëjë një mbulim më të ndershëm dhe të pandikuar nga paratë e pushtetit, të mesazheve të tyre elektorale, por nga ana tjetër, ajo penalizon të gjitha ato që mund të konsiderohen forca anti establishmet. Duke sanksionuar se partitë e mëdha kanë nga 90 minuta kohë televizive falas, se ato parlamentare nga 45 minuta dhe të tjerët vetëm nga 10, ai krijon një garë të pabarabartë në start. Ai është në thelb një tentativë për ruajtjen e statusquo-së dhe çimentimin e një kaste politike. Ai është armiqësor ndaj lindjes së çdo nisme të re.

Po të njëjtat parti që kanë komisionerët dhe që numërojnë votat e të gjithëve, tani i japin vetes edhe privilegjin që të bëjnë më shumë propagandë. Po të njëjtat parti që i hoqën të drejtën të vegjëlve për të pasur koalicione, tani i japin vetes edhe një avantazh më shumë.

Kështu psh partia e Blushit do të ketë të drejtën vetëm e gjysmës së vizibilitetit të PD-së së Bashës, ndërsa ajo e Bojaxhiut edhe më keq, do të shfaqet në ekrane sa  1/10 e PS së Ramës. Dhe e divulguar, kjo është njësoj sikur Hysain Bolt ta niste garën 2- 3 sekonda më parë sesa sprintierët e tjerë, vetëm se ai është rekordmen botëror, apo sikur Messi dhe Ronaldo ta gjuajnë penalltinë me portë më të madhe, ngaqë ata njihen si futbollistët më të mirë të globit.

Kjo është e meta e madhe e këtij ligji. Ai është një hap më shumë në kalcifikimin e “republikës së vjetër”. Ai ruan pushtetin në duart e Berishëve dhe Ramëve, të cilët mund ta konsumojnë atë ose veç e veç, ose si tani duke e ndarë së bashku.

Në këtë këndvështrim ai është i ngjashëm me pamjet që pamë dje në parlament, kur pas shumë e shumë kohësh, Rama dhe Berisha u bënë në mënyrë të shpifur bashkë, për të goditur të dy kundër Blushit. Kur deputetët e njërit krah dhe tjetrit ngazëlleheshin dhe duartrokisnin fjalën e palës armike, vetëm se ajo drejtohej kundër një të treti që i bezdiste.

Mirëpo ky spektakël i shëmtuar i demokracisë sonë, kjo përpjekje flagrante e kastës për të ricikluar vetveten, kaloi pothuajse e pavërejtur për sytë e publikut. Sepse zhurma u përqëndrua tjetërkund. Ajo u ngrit si një stuhi në gotë për hallin e katër pesë njerëzve, të atyre oligarkëve që si zengjinët e rinj, nxitojnë të mbledhin dhe qindarakat që mund t’u bien nga xhepat.

Please follow and like us: