Ilir Hashorva: Kur fiton blofi dhe humbet shahu
Pas tre muajsh protestë të Lulzim Bashës, pas thirrjeve me një gjuhë lufte për shkatërrimin e PS-së dhe Edi Ramës, të dy udhëheqësit e urtë: Lulzim Basha dhe Edi Rama, u bashkuan kokë më kokë, në prani të askujt, në mes të natës dhe, në fshehtësi, ngjizën atë që nuk ia priste mendja kujt e që e quajtën “Marrëveshja Basha – Rama”. Nga mediet u cilësua si historike, disa uruan që ai bashkëpunim i sinqertë PD-PS të vazhdonte, e të tjerë dhanë siguri se ai bashkëpunim do të vazhdonte edhe pas zgjedhjeve.
Vetë protesta e Bashës dhe plotësimi i pjesshëm i kërkesave të saj nga Rama janë veprime të papërgjegjshme që nuk mund të ndihmojnë në forcimin e shtetit, madje mund të përbëjnë një precedent të rrezikshëm për t’u përsëritur herë pas here në periudha parazgjedhore në të ardhmen
Nuk ka asnjë dyshim se as qeveria teknike, as zgjedhjet pa Ramën kryeministër dhe as Republika e Re nuk qenë synimet e vërteta të protestës së PD-së. Edhe vetë Basha e dinte se ato ishin të pa realizueshme dhe shërbenin vetëm si mjete propagandistike për të elektrizuar dhe mbajtur gjallë frymën në çadër, për t’i bërë të pranishmit në çadër: miqtë vendas e të huaj si dhe kryetarë partish të djathta që e kanë humbur me kohë identitetin e tyre, të mbanin aty fjalime, të besonin se ishin pjesë e një revolucioni të madh që do të fshinte një herë e përgjithmonë “Republikën e Vjetër” dhe do të ndërtonte “Republikën e Re”, pa drogë, pa kriminelë e pa Ramën.
Qëllimi i vërtetë i protestës, ashtu siç ka deklaruar edhe Rama, ka qenë vetëm pengimi i realizimit siç duhej i vettingut dhe reformës në drejtësi
Megjithatë, Basha dhe Rama, sikur nuk kishte ndodhur asgjë, u morën vesh, nënshkruan një marrëveshje, dhe PD-ja e kënaqur, pasi arriti diçka, do të futet në zgjedhje. Çështja e kanabisit, çështje që përsëritej me qindra herë çdo ditë në çadër, për të mos u lënë jashtë, zuri vendin e fundit në marrëveshje, ndërsa për çështje të tjera, vërtet të rëndësishme, si korrupsioni, pronat, drejtësia etj. në marrëveshje nuk kishte vend. Ato nuk përbënin probleme që të shqetësonin dy partitë e mëdha!
Një pyetje që besoj se bën çdokush në këtë rast është: ç’e detyrojë Bashën t’i hynte një aventure që mund ta linte jashtë zgjedhjeve dhe të kryente një vetëvrasje së bashku me partinë e tij? Ishte pikërisht vettingu dhe reforma në drejtësi që mendohej se do të kishin pasoja për Berishën dhe për Bashën që i bënin ata të mendonin se do të ishte më me leverdi të bënin presion me sakrifikimin e zgjedhjeve dhe partisë së tyre deri në fund, sesa të rrezikonin veten. Tashti, të mos presë më njeri që, qoftë reforma në drejtësi dhe qoftë vettingu, si pjesë e saj, do të kryhen ashtu siç duhet. Ato me siguri janë sakrifikuar dhe sakatuar. Një pyetje tjetër: ç’e ndihmojë Bashën që, ndonëse pa asnjë forcë reale politike a ligjore, të bënte me dhjetë fjalë dhe me pesë fraza, kërkesa absurde e kërcënime të frikshme dhe të arrinte me to sukses? Blofi!
Sali Berisha, mjeshtër i krijimit dhe manipulimit të situatave dhe njerëzve, mjeshtër i njohjes së karakterit të njerëzve dhe i shfrytëzimit të tyre, tutori i Bashës, e mësonte nxënësin e tij që të godiste fort dhe pa ndërprerje, me tone të ashpra e me kërcënime, se nuk kishte rëndësi se ç’thoshte, por si i thoshte; e siguronte se kundërshtari i tij, pavarësisht nga paraqitja prej kokoroshi, ishte i brishte, se batutat me të cilat ai mburrej dhe e mburrnin nuk kishin asnjë vlerë, se atij i mungonte kuraja dhe guximi. Këto ai ia kishte provuar më parë. Ndërsa Basha pati këtë instruktor me përvojë e me kurajë, Rama nuk pati ndonjë të tillë dhe, edhe po të kishte, nuk do ta dëgjonte.
Po ashtu, lind pyetja tjetër: ç’e detyrojë Ramën të bënte ç’qe e mundur, të pranonte pjesërisht kërkesa absurde të Bashës dhe të fuste PD-në në zgjedhje, kur as logjika, as ndërgjegjja e as ligji nuk e detyronin, kur interesi i tij dhe i partisë së tij ia donin që PD-ja të përjashtonte veten nga ato zgjedhje dhe PS të merrte shumicën absolute të votave në zgjedhje dhe të krijonte e vetme qeverinë me të në krye?
Duke parë se të huajt bënë çmos që PD-ja të hynte në zgjedhje, sepse donin një proces zgjedhor pa probleme, mund të jetë e mundshme që Rama, për t’u treguar para tyre si perëndimor, si tolerant, si person që vë interesat e bashkekzistencës politike para interesave të tij dhe të partisë së tij, si burrë shteti, u tërhoq. Gjithashtu, mund të jetë e mundshme që tërheqja e tij të lidhet me maninë e madhështisë që i vihet re dukshëm dhe që e bën të mendojë se është i padiskutueshëm, se fitoren e shumicës në zgjedhje e ka të sigurt edhe me pjesëmarrjen e PD-së. Ndoshta mund të ekzistojë edhe ndonjë sekret kundër tij që mund ta dinë vetëm Berisha e Basha dhe që e bënë Ramën të stepet.
Marrëveshja e arritur analizohet sot në formën e përcaktimit të fituesit: cili fitoi Rama apo Basha? Ithtarët e të dy partive pretendojnë të sigurt se fitoi udhëheqësi i tyre. Për mendimin tim, si krejtësisht jashtë atyre partive, tërheqja e Ramës, në mos qoftë ndonjë tërheqje taktike, që për momentin nuk kuptohet, tregon për dobësi të Ramës, të pranimit prej tij të kushteve që parashtroi Basha, të cilat nuk do t’i kishte guxuar t’i paraqiste asnjë tjetër dhe nuk do t’i kishte pranuar asnjë tjetër përveç Ramës. Mendohet se triumfi i Bashës është arritja e futjes në qeveri të gjashtë ministrave teknikë. Kjo është fare pa rëndësi, sepse zëvendësimi i disa ministrave për një muaj nuk do të luajë asnjë rol në rezultatin e zgjedhjeve, pasi, për më tepër, stafet e ministrive nuk do të ndryshojnë. Megjithatë, pranimi i zëvendësimit të tyre, tregon për një tërheqje të panevojshme të Ramës, në mënyrë që Basha të mos dilte kokulur nga e gjithë zallamahia që krijojë.
Rezultati i marrëveshjes si dhe fituesi i saj nuk kuptohen dot sot. Ato do të kuptohen pas zgjedhjeve. Ka shumë gjasa që PS-ja, me pjesëmarrjen e PD-së në zgjedhje, pavarësisht nga analizat në tym që bëhen sot, nuk do të fitojë dot më shumë se gjysmën e deputetëve që i duhen për të krijuar e vetme qeverinë dhe qeveria e ardhshme do të jetë përsëri bashkëqeverisje: ose PS-LSI, ose PD-LSI. Një bashkëqeverisje PD-PS ka pak gjasa që të ndodhë, ndonëse në vendin tonë ndodhin çudira. Më e sigurt është që LSI-ja, ndonëse më e vogël se dy partitë e tjera, në një pozicion tepër komod, do të jetë, ashtu si në tetë vitet e shkuara, ajo që do të përcaktojë karakterin e qeverisë së ardhme. Ka më shumë gjasa që LSI-ia të bashkohet me PD-në sesa me PS-në dhe të krijojnë qeverinë e tyre. Përvoja e deri tanishme si dhe shenjat që po tregohen sot nga deklarata dhe qëndrime të udhëheqësve të saj, të japim të kuptosh se mund të jetë më e mundshme një bashkëqeverisje PD-LSI, sesa një bashkëqeverisje PS-LSI dhe, në ndodhtë kjo, Edi Rama do të kuptojë se ç’gabim bëri që e futi me zor PD-në në zgjedhje, se Mbreti u zu mat dhe loja e shahut humbi. Në këtë rast, ithtarëve të tij nuk do t’u mbetet gjë tjetër, veçse t’i këndojnë këngën e famshme rome: “Vare veten me kollare o Dino”.