Media: Trump u kërkoi shefave të zbulimit të hidhnin poshtë se fushata e tij kishte lidhje me Moskën
Sipas njoftimeve të medias amerikane, Presidenti Trump, u kërkoi në muajin mars dy prej krerëve më të lartë të zbulimit të mohojnë publikisht se ka patur një bashkëpunim mes ekipit të tij të fushatës presidenciale dhe Rusisë, për të favorizuar fitoren e tij në zgjedhje. Por, gjithnjë sipas medias, zyrtarët e zbulimit e konsideruan kërkesën si të papërshtatshme duke e refuzuar atë.
Shtypi amerikan citon zyrtarë të tanishëm dhe të mëparshëm, sipas të cilave zoti Trump ia bëri kërkesën drejtorit të zbulimit kombëtar Daniel Coats dhe drejtorit të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, admiralit Michael Rogers.
Sot, në një seancë dëgjimore të kongresit, zoti Coats nuk i mohoi njoftimet, por nuk pranoi të komentojë.
Ai tha se disa hetime për lidhjet e ekipit të fushatës Trump me Rusinë “janë në zhvillim e sipër”. Ato, tha ai, do të na çojnë në përfundime të sakta dhe rezultati do të bëhet i njohur, në mënyrë që vendi të mund të lëvizë përpara për t’u marrë me çështje të tjera.
Ndërkohë, në një seancë tjetër po sot, ish-drejtori i CIA-s John Brennan tha se e kishte paralajmëruar Rusinë që të mos ndërhynte në zgjedhjet presidenciale. Ai tha se më 4 gusht të vitit të kaluar kishte patur një bisedë telefonike me kreun e shërbimit të inteligjencës ruse për t’i komunikuar paralajmërimin.
Zoti Brennan i tha komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për çështjet e zbulimit se ishte zyrtari i parë amerikan që paralajmëronte rusët për aktivitetet e tyre. Brennan i kishte komunikuar zyrtarit rus se nëse Rusia vazhdonte ndërhyrjen, ajo do të dëmtonte veten dhe do të pengonte ngrohjen e marrëdhënieve.