Si votuan dje deputetët e PS dhe LSI për shkarkimet e ministrave
Parlamenti ka votuar dje në sesionin e jashtëzakonshëm rikompozimin e kabinetit qeveritar “Rama” me 6 përfaqësuesit teknikë të propozuar nga opozita. Pakti mes Ramës dhe Bashës është finalizuar dje me sukses, duke emëruar ministrat e rinj dhe anëtarët e opozitës në komisionet e Vetting-ut me konsensus, i cili i kaloi mbi 100 votat. Ministrat e rinj nuk kanë marrë vetëm votat deputetëve të LIBRA-s, Ben Blushi dhe Mimoza Hafizi.
Pasi u votuan në Kuvend, ministrat e rinj të propozuar nga PD-ja kanë bërë betimin para Presidentit të Republikës, raporton “Panorama”.
Ndërkohë që me 126 vota pro janë votuar dje dhe emërimet e anëtarëve të komisioneve ad hoc që do të kryejnë procesin e Vettingut.
Në komisionin ad-hoc me 12 anëtarë, opozita përfaqësohet me deputetët Oerd Bylykbashi, Fatmir Mediu, Dhurata Çupi, Gent Strazimiri, Jorida Tabaku dhe Aldo Bumçi.
Ndërsa në komisionin adhoc me 6 anëtarë janë përzgjedhur Eduard Halimi, Albana Vokshi dhe Flamur Noka. Deputetët Helidon Bushati dhe Luçiano Boçi janë përzgjedhur si zëvendësues.
Shkarkimet
Shkarkimi i kryetarit të ri të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, nga posti i ministrit të Drejtë- sisë solli numrin më të ulët të votave në Parlament.
Deputetët e LSI-së votuan në pjesën më të madhe kundër shkarkimit, ndërkohë që Ilir Meta ka votuar pro si Edi Rama dhe Grupi i PS-së dhe PD-së. Vasili u shkarkua dje me 102 pro, 10 vota kundër dhe 6 vota abstenim. Ajo që ra në sy gjatë seancës ishte vota e vetme e Ilir Metës kundër shkarkimit të një ministri.
Kryetari i Kuvendit votoi dje kundër shkarkimit të Arben Ahmetajt si ministër i ri i Financave, ndërsa ministrat e tjerë i votoi të tërë pro.
Në Parlament ra në sy mungesa deputetëve Arta Dade, Erion Braçe, Monika Kryemadhi, Parid Cara, Mira Shehu, Namik Kopliku. Po ashtu ra në sy dhe mungesa në votimin e ministrave të Shpëtim Idrizit dhe Mesila Dodës.