Gara e çmimit Kadare 2017: Graçi me “800 hapa larg Venerës”
Në kuadër të “Ditëve Letrare të Razmës” që organizohen në Razmë më 26-28 maj 2017, Departamenti i Komunikimit dhe Marrëdhënieve publike në Universitetin Europian të Tiranës organizon Konferencën Kombëtare Shkencore “Kujtesa dhe letërsia”, ku edhe Institucioni Europian “Pashko” jep çmimin “Kadare”. Deri në shpalljen e fituesit, gazeta publikon çdo ditë një finalist duke prezantuar veprën dhe autorin në garë; sot, në fokus shkrimtari Virion Graçi, me romanin “800 hapa larg Venerës”
Është kënaqësi të vdesësh në çdo ditë të javës, por kënaqësia më e madhe provohet po të vdesësh të enjten. Kristofori nuk zgjodhi ditën e enjte për t’u ndarë prej nesh. Ndërroi jetë të mërkurën në mëngjes, në orën katër e gjysmë, sipas orës vendore. Pranë iu gjendën disa kalimtarë, postieri dhe një fqinje e tij, Kumria, që po kthehej nga puna. Ashtu mund të dorëzohej Kristofori-në lëvizje, në udhëtim, i vendosur për t’u kthyer në shtëpi, pranë Zanës, bashkëshortes shembullore, pranë Kolombit e Vespuçit, djemve të tij të mrekullueshëm. 800 hapa larg shtëpisë kur, papritur u shemb përtokë pa frymë… Në këtë nisje të romanit në dorëshkrim, shkrimtari Virion Graçi na lajmëron se “udhëtimi” në brendinë e njeriut, i enigmave të jetës së tij mbetet një preferencë aq dhe kërkim i vazhdueshëm për lëndë letrare si një kërkesë receptive me individualitet të dukshëm.
“800 hapa larg Venerës” është përkujtimi i jetës së një njeriu, Kristoforit, nëpërmjet shpirtit të tij menjëherë pas vdekjes. Shpirti i tij dëgjon fjalët që thuhen për Kristoforin pas vdekjes, ndahet nga trupi i tij dhe nis jetën e re, në natyrë, nëpër shkurre, shtylla, gurë, pemë. Ky shtegtim i shpirtit nuk jep vetëm një jetë të re të tij, por kryesisht është një rikujtim elegjiak, sarkastik i jetës së mëparshme tokësore që ka pasur Kristofori: historitë e trishta nga jeta bashkëshortore, fundin e parakohshëm e të padrejtë të karrierës së tij profesionale, disa karakteristika të jetës tokësore qytetare në vendin e tij. Në pyll, shpirti i Kristoforit gjen trupin e një vajze të re që është vrarë nga dikush, ai qëndron pranë trupit të vajzës për ta pritur shpirtin e saj derisa të dalë në sipërfaqe, për t’u shoqëruar më të, për t’u bashkuar në miqësi, dashuri, ndoshta. Ndërkohë malli e kureshtja për dy djemtë e tij e kthen në qytet. Kështu ai dyzohet… dhe mbetet i tillë… Duke u përpjekur të ndreqë diçka në fatin e tij ai duket se e përkeqëson atë pa dashje.
Graçi i takon brezit të pas ’90-s duke hyrë në letërsi me gjuhë dhe stil rebelues ndaj sistemit letrar që u ngrit nga vitet e diktaturës, duke vazhduar krijimtarinë me intensitet të pandërprerë, krah një sërë autorësh që kanë krijuar letërsinë e re, bashkëkohore.
Virion Graçi, lindur në 1968, Gjirokastër, diplomuar për gjuhë-letërsi shqipe në Universitetin Shtetëror të Tiranës në vitin 1992. Në vitet 1994-2010 pedagog i letërsisë botërore në Universitetin “Eqrem Çabej”. Tani specialist letërsie në QSA. Pas një sërë paraqitjesh në periodikët letrarë-kulturorë të kohës nga viti ‘93 ka pasur një veprimtari të rregullt botuese si autor me librat: “San Valentino” (poezi, 1993); …si dhe romanet “Të çmendur në parajsë” (1995) botuar në Francë te “Edition Gallimard” dhe në Greqi te “Edition Patakis”); “Shpata e ndryshkur” (1999); “Bijtë e zotit majmun” (1999); “Babai në shi” (2000); “Zonja pa emër” (2005); “Litari dhe lamtumira” (2011); “Stina e Hijeve” 2014; “Djali memec” (2016). “Autobiografizmi dhe romani” (2016, studim krahasues). I njohur dhe i pranuar në vendin e tij si publicist dhe romancier, ka qenë i ftuar si shkrimtar në aktivitete të ndryshme jashtë trevave shqipfolëse: Athinë, Sarajevë, Grac, Caen, Bruksel, Leipzig etj. Me romanin “Stina e hijeve” u nderua me çmimin “At Zef Pllumi” si prozatori më i mirë për vitin 2014, vlerësuar nga Ministria e Kulturës.
800 hapa larg Venerës
Fragment nga romani
….Është kënaqësi të vdesësh në çdo ditë të javës, por kënaqësia më e madhe provohet po të vdesësh të enjten. Kristofori nuk zgjodhi ditën e enjte për t’u ndarë prej nesh. Ndërroi jetë të mërkurën në mëngjes, në orën katër e gjysmë, sipas orës vendore. Pranë iu gjendën disa kalimtarë, postieri dhe një fqinje e tij, Kumria, që po kthehej nga puna. Ashtu mund të dorëzohej Kristofori-në lëvizje, në udhëtim, i vendosur për t’u kthyer në shtëpi, pranë Zanës, bashkëshortes shembullore, pranë Kolombit e Vespuçit, djemve të tij të mrekullueshëm. 800 hapa larg shtëpisë kur, papritur u shemb përtokë pa frymë. Kumria i mati pulsin. Ishte e gatshme ta kthente në jetë të ndjerin Kristofor, nëse do të kishte një fije shpresë. Më kot, ndihma e saj nuk e pati rezultatin e duhur. Megjithëse i papunë prej një jave, ai i la të gjitha punët në mes: plane të parealizuara, projekte të gatshme e të uritura për energjinë dhe forcën e tij, pra një makineri e gjallë pune, dashurie e zelli e ndalur befasisht. Në orën pesë të së mërkurës kish planifikuar të zhvillonte disa takime. Thonë se ka lënë një letër-ankesë në degën e personelit të bashkisë, por kjo mbetet për t’u vërtetuar. Kish një javë që sillej rrugëve, pa e ditur kush shkakun. Prisnim ende prej tij, ishte gati të sakrifikohej për komunitetin, po t’i jepej një mundësi e dytë; ndërkohë pohojmë me krenari cilësi të tjera të tij: natyrën gazmore, dashurinë për sportin, veçanërisht për lojën e bilardos. Prind i pazëvendësueshëm, bashkëshort i përsosur. Prisnim suksese të reja prej tij dhe ato do bëheshin realitet. Ishte i aftë dhe i gatshëm. Fati u tregua i padrejtë, vdekja e parakohshme e rrëmbeu nga gjiri i shoqërisë që e donte dhe e vlerësonte aq shumë sikurse, pak ditë më parë, reforma në administratë e shkëputi nga kolegët e zyrës së urbanistikës. Kështu jemi mbledhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit bashkëqytetarit tonë, mikut, shokut, njeriut të palodhur e të papërtuar që po i drejtohet amshimit. Përherë qe shembull frymëzimi për ata që ishin pas tij, vepra e tij ndriçonte kur nuk kishim dritë, mendimi i tij na printe kur e humbisnim rrugën. Tani po mbetet vetëm një kujtim i vyer, një shembull për t’u ndjekur, një dëshpërim pa fund që po na merr frymën.
Këtu, në këtë pjesë Dalani e ndërpret fjalën, merr frymë më thellë se zakonisht, përfshin me shikimin e tij prej shqiponje ata pak kureshtarë që kanë marrë mundimin të vijnë. Dhe shtoi:
Në emër të intelektualëve të pavarur të lagjes sonë propozoj një minutë heshtje për të ndjerin Kristofor, – e mbylli përkohësisht fjalën e rastit Dalani. Njëkohësisht palosi dhe vuri në xhepin e pasmë të pantallonave fletën e nekrologjisë.
Oh… oh… pizevengu, maskarai, krokodili…, – ofshau Kristofori brenda arkivolit. Gjeti përsëri rast për t’u tallur me mua. Nejse, nuk duhet të habitem. Dalani kështu ka qenë gjithmonë – një qen endacak që të kafshon pas shpine, në befasi, kur nuk e pret. Shpesh e kam kapur në faje, në lapërdhi; e kam demaskuar duke i folur mënjanë. E kam falur Dalan qelbanikun, por zemërgjerësinë time njerëzore ai e ka kuptuar si dobësi, si paaftësi. Më e keqja është se kësaj here jam i detyruar të pajtohem me fyerjet e tij, jam i pamundur ta kundërshtoj. Unë jam i vdekur nën dhe, ai është i gjallë mbi tokë, në dritën e diellit.
Kristofori u mundua të lëvizë duart në hapësirën e paktë brenda arkivolit. Me ato duar kishte ngritur pantallonat, kishte lidhur këpucët, kishte tërhequr këmbëzën e pushkës automatike, kishte kapur për fyti një nëpunës të korruptuar, kishte duartrokitur udhëheqësit lokalë, kish mbajtur lugën, thikën, pirunin, kartopecetat dhe letrat higjienike, librezën e kursimeve, fletët e votimit, timonin e veturës, gazetat e mëngjesit, veglat e punës. Duart nuk iu bindën. U mundua të lëvizë këmbët. Me ato këmbë kishte shkuar në disa dasma kushërinjsh. Me ato këmbë kishte shkuar të bënte tifo për skuadrën e zemrës, me ato këmbë Kristofori kishte vrapuar disa herë si i çmendur kur e kishte ndier të nevojshme, si të vetmen mundësi për të shpëtuar. Këmbët nuk iu bindën. U përpoq të lëvizë kokën, sado pak. Me atë kokë kishte udhëhequr trupin e tij, kishte diskutuar për probleme të ndryshme, me atë kokë kishte mbajtur për dy vjet kapelën e rekrutit ushtarak, me atë kokë kishte trembur një fëmijë të komshiut kur ky i fundit i kish dalë befas një mbrëmje në një kthesë të pandriçuar mirë. Edhe koka nuk iu bind. Hoqi dorë nga çdo përpjekje për ta lëvizur trupin.