Matura 2017, struktura si do jetë testi për gjuhën e huaj
Pranvera Kola – DITA
Maturantët kanë nisur tashmë përgatitjet finale për provimin e parë të detyruar të Maturës së 2017, për lëndën e gjuhës së huaj që do të zhvillohet të martën e datës 5 qershor.
Ekspertët e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit (ish-AKP), kanë hartuar tashmë fondin e përgjithshëm të pyetjeve, nga ku do të përzgjidhen 25 pyetjet finale për provimin e detyruar të gjuhës së huaj në lëndën e anglishtes, gjermanishtes, frëngjishtes dhe italishtes.
Ndërsa përgjatë javës së ardhshme pritet të ngujohen në këtë qendër, ekspertët që do të përcaktojnë formatin final të testit të gjuhës së huaj, i cili do të jetë i nivelit B1.
Sipas përcaktimeve të bëra në programin udhëzues, struktura e testit të gjuhës së huaj do të përmbajë pyetje për të tria nivelet e vështirësisë, ku raporti i pyetjeve do të jetë: 40 për qind për nivelin nënmesatar, 40 për qind për nivelin mesatar dhe 20 për qind e pyetjeve do të jenë për nivelin më të vështirë.
Maturantët kanë në dispozicion plot 2 orë e 30 minuta për të plotësuar përgjigjet e këtij tetsi të cilat do të jenë të strukturuara në tre pjesë, që kanë të bëjnë kryesisht me të kuptuarit e një teksti të caktuar, të shkruarit së bashku me rregullat e gramatikës, si dhe pjesa e tretë që ka të bëjë me esenë që maturanti duhet të shkruajë rreth një tematike të përzgjedhur.
Testi për provimet e detyruara ka në përmbajtje 25 pyetje, prej të cilave 13 kërkesa janë me përgjigje me alternativa, që vlerësohen secila me nga një pikë, ndërsa 12 pyetjet e tjera do të jenë me shtjellim, të cilat vlerësohen në total me 37 pikë, sipas një skeme të përcaktuara nga ekspertët e MAS.
Në vijim të shkrimit gjendet e detajuar edhe skema e plotë e pikëve që nxënësit duhet të sigurojnë nga secila pjesë e testit të gjuhës së huaj.
Megjithatë, për të mos rrezikuar vijimin e garës për të fituar universitetin, krahas njohurive në përvetësimin e programit orientues të gjuhës së huaj, maturantët duhet të jenë të kujdesshëm që të respektojnë edhe rregullat që kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e testimit.
Mësuesit e shkollave po udhëzojnë maturantët që do testohen në lëndën e gjuhës së huaj (anglisht, italisht, frëngjisht dhe gjermanisht), që duhet të paraqiten në orarin e përcaktuar, si dhe të kenë me vete detyrimisht dokumentin e identifikimit.
Konkretisht, sipas kushteve të vendosura edhe në rregulloren e MAS, maturantët duhet të paraqiten në ambientet e provimit detyrimisht 1 orë e 30 minuta para nisjes së testimit, kohë në të cilën duhet të kalojë edhe të gjitha procedurat e kontrollit nga administratorët mbikëqyrës.
Këta të fundit do janë përgjegjës edhe për sistemimin e maturantëve sipas vendeve të përcaktuara në listën zyrtare të zbardhur nga Qendra e Shërbimeve Arsimore për secilën shkollë.
Hyrja, shpërndarja dhe sistemimi i çdo pjesëmarrësi nëpër salla, lejohet vetëm duke ndjekur rreptësisht rendin zbritës të listës emërore të dërguar nga kjo qendër.
Vendi i përcaktuar për maturantët apo kandidatët që mungojnë mbetet bosh. Ndalohet ndërrimi i vendeve.
Maturanti duhet të plotësojë testin me stilolaps me ngjyrë të zezë, ose blu.
Gjatë kohës së zhvillimit të provimit drejtorit të shkollës i ndalohet të jetë i pranishëm në mjediset e provimit. Për të marrë vlerësimin maksimal nga provimi i detyruar i gjuhës së huaj maturantët duhet të sigurojnë 50 pikët finale të testit.
Pragu minimal i pikëve për të qenë kalues
Maturantët konsiderohen kalues në provimet e detyruara vetëm në rastet kur do të grumbullojnë me përgjigjet e dhëna të paktën 20 për qind të pikëve totale me të cilat vlerësohet testi.
Kandidatët që nuk sigurojnë këtë nivel pikësh e humbasin të drejtën për të garuar për pranimet në shkollat e larta përgjatë raundit të parë që do të zhvillohet në muajin korrik.
Këta kandidatë duhet të presin sezonin e vjeshtës për të dhënë sërish këtë testim dhe vetëm në rast se rezultojnë kalues do mund të përfshihen në garë për studimet larta duke aplikuar në raundin e dytë të pranimeve që do të zhvillohet përgjatë mesit të muajit shtator.
Maturanti ndëshkohet me përjashtim dhe humbje të provimit nëse:
Nuk qëndron në vendin që i është caktuar.
Nuk është i pajisur me dokument identifikimi.
Merr e jep informacion, kopje ose komunikon me maturantë/kandidatë të tjerë.
Bën komente për përmbajtjen ose zgjidhjen e testit gjatë kohës së zhvillimit të provimit.
Dëmton testin (palos, zhubros, gris, vendos shenja të dallueshme dhe të veçanta), ose nuk e dorëzon atë.
Përdor laps ose stilolapsa me ngjyra të ndryshme në plotësimin e testit, si dhe kur heq ose dëmton kodin e sekretimit (barkodin) të vendosur në test.
Mban telefon celular, radio ose çdo mjet tjetër komunikimi në mjedisin e provimeve.
Në rast se kandidati refuzon të largohet nga mjedisi i provimit, mbikëqyrësi i provimit evidenton rastin me procesverbal dhe e njofton atë mbi mosnjohjen e rezultatit.
Maturanti kandidati që përjashtohet nga provimi për shkelje të parashikuar, e cila përshkruhet edhe në procesverbalin përkatës, humbet këtë provim dhe ka të drejtë ta japë atë në sesionin e ardhshëm.
Skema e pikëve për të gjitha pjesët e testit
Testi i gjuhës angleze me detyrim në nivelin gjuhësor B1 do të jetë i ndarë në 3 seksione ku testohen:
– Të kuptuarit e një pjesë letrare ose jo letrare.
– Përdorimi i gjuhës që përfshin aspektet më të rëndësishme gramatikore dhe leksikore
trajtuar në vitet e shkollës së mesme.
– Të shkruarit.