Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Jordan DACI: Si do jetë dita e parë e Vettingut?

Vetting-u nënkupton procesin e pastrimit të sistemit gjyqësor në Shqipëri nga gjyqtarët dhe prokurorët bazuar në tri aspekte vlerësimi kalimtar të cilat janë:

  1. Kontrollin e pasurisë
  2. Kontrollin e figurës
  3. Kontrollin e aftësive profesionale

Që një prokuror ose gjyqtar të dalë nga sistemi, nuk kërkohet plotësimi i të tri kushteve njëkohësisht, por mjafton edhe vetëm njëri nga këto kushte sipas kritereve që përcakton Kushtetuta dhe ligji.

Ky proces është i një rëndësie jetike për vendin dhe ka për qëllim rikthimin e besimit të qytetarëve tek organet e drejtësisë dhe mbi të gjitha për të garantuar një gjyqësor të pavarur, profesional, të përgjegjshëm dhe të aftë për të dhënë drejtësi sipas ligjit me standarde të krahasueshme me vendet e zhvilluara demokratike. Rrjedhimisht, gjithsecili nga ne do të dëshironte që dita e parë e këtij procesi të ishte sa më afër dhe së bashku me fillimin e punës të kishim edhe rezultatet e para.

Megjithatë, dita e parë e Vetting-ut do të quhej dita kur organet e ngarkuara me realizimin e këtij procesi të ishin të krijuara sikurse parashikon legjislacioni në fuqi dhe të ishin të gatshme të fillonin aktivitetin edhe nga pikëpamja e burimeve të tjera ndihmëse. Ardhja e kësaj dite duhet të presë edhe ca kohë, pasi ende nuk bërë plotësimi i organeve në fjalë dhe se në dijeninë time nuk është gati as infrastruktura ndihmëse materiale dhe njerëzore. Po kur do të jetë kjo ditë? Normalisht, kjo varet nga angazhimi i Kuvendit dhe i komisioneve ‘ad hoc’ dhe askush nuk është në gjendje të japë një datë, por me angazhimin e duhur mendoj që është e mundur që shtatori të na gjejë gati për të filluar zbatimin e tij.

Nga ana tjetër, publiku nuk mund të presë rezultate të menjëhershme pasi hetimi dhe vlerësimi i këtyre tri aspekteve është kompleks dhe i vështirë dhe do të marrë kohë, por në të njëjtën kohë do kemi një efekt të menjëhershëm frenues si pasojë e frikës së ndëshkimit që deri më tani nuk ka ekzistuar. Nga ana tjetër, mendoj që këto organe duhet të punojnë me orar të zgjatur me qëllim që të kemi brenda pak javësh, maksimalisht 1-2 muajsh, disa shembuj ndëshkimi. Kjo gjë është e mundshme dhe do të ishte mesazhi më i mirë për publikun që ky proces, jo vetëm që do bëhet, por edhe do të sjellë rezultate të prekshme dhe të shpejta.

Sidoqoftë, duhet nënvizuar që Vetting-u nuk është zgjidhja përfundimtare e problemit, por përbën kushtet e nevojshme për zgjidhjen e problemit. Zgjidhja e problemit për sistemin e drejtësisë si edhe për çdo sistem tjetër, është vetë njeriu. Pra, ndryshimi i mentalitetit, ndryshimi i ambientit, dekurajimi i disa fenomeneve, emancipimi i shoqërisë në tërësi, rifreskimi i sistemit me njerëz të rinj, etj. Sigurisht ky është një proces i gjatë, por i mundshëm dhe i duhur. Në tërësi mendoj që procesi i Vetting-ut do të zgjasë një dekadë edhe ndoshta edhe më shumë dhe efektet e dukshme do t’i japë pas kalimit të vitit të parë.

Gjithmonë, efekti i këtij procesi do të varet nga angazhimi i personave të zgjedhur për këtë qëllim, përkrahja pa rezerva nga ana e shtetit dhe e shoqërisë, si dhe klima e përgjithshme shoqërore në vendin tonë. Ky proces duhet të shoqërohet edhe me ndryshimin e shumë ligjeve sidomos kodeve në funksion të krijimit të një gjyqësori të gjyqësor të pavarur, profesional, të përgjegjshëm duke përfshirë edhe ndryshime rrënjësore në edukimin ligjor në vendin tonë, si dhe hapjen e sistemit gjyqësor ndaj prurjeve të reja që nuk kalojnë domosdomshërisht nëpërmjet Shkollës së Magjistraturës.

Për ta përmbyllur, duhet thënë fakti që nuk do të ketë Vetting pa pjesëmarrjen dhe ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Prandaj, i gjithë populli duhet të jetë në përkrahje të këtij procesi, pasi ky proces është çelësi për një Shqipëri demokratike dhe për një shtet të së drejtës, sikurse demokracitë e zhvilluara.

Please follow and like us: