Trump dhe liderët e BE, me qëndrime “të ndryshme” për Rusinë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump u takua sot në Bruksel me zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian
Pas takimit, presidenti i Këshillit të Evropës, Donald Tusk tha se presidenti Trump dhe zyrtarët e lartë të BE-së, dështuan të gjejnë terren të përbashkët në disa çështje.
Tusk u tha gazetarëve në Bruksel se përderisa për disa çështje, siç është lufta kundër terrorizmit, kishte qëndrime të njëjta, por ai shtoi se “disa çështje, siç është klima dhe tregtia, vazhdojnë të jenë të hapura”.
“Nuk jam 100 për qind i sigurt që sot ne mund të themi, dhe kur them ne, mendoj zoti president dhe unë, nuk kemi pozicione të njëjta, mendime të njëjta për Rusinë. Edhe pse kur bëhet fjalë për konfliktin në Ukrainë, duket se jemi në të njëjtën linjë”, tha Tusk.
Trump, i cili është në udhëtimin e tij të parë jashtë vendit, që prej se është zgjedhur president, u takua në Bruksel edhe me presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, shefen për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Federica Mogerini, si dhe me presidentin e Parlamentit Evropian, Antonio Tajan.
Presidenti amerikan, i cili në këtë vizitë po shoqërohet nga Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis, Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson dhe këshilltari për siguri kombëtare, H.R. McMaster “kanë shprehur shqetësimin se mund të humben vende të punës në SHBA për shkak të Brexit”, ka thënë një burim nga BE-ja që ka njohuri për mbarvajtjen e këtij takimi.
Përpara se të marrë jesë në takimin me aleatët e NATO-s, Trump do të takohet me presidentin e Francës Emmauel Macron, në një drekë pune.
Presidenti amerikan ka qenë kritikë edhe ndaj NATO-s si dhe BE-së. Trump më herët e kishte cilësuar NATO-n si “organizatë të vjetruar”, duke thënë se aleanca nuk po bën mjaftueshëm për të luftuar terrorizmin.
Ai po ashtu ka kritikuar shumicën e aleatëve për mosrespektimin e udhëzimeve të NATO-s mbi shpenzimet.