Albspirit

Media/News/Publishing

Humbja e paralajmëruar e LSI/Strategjia e lexuar e Ilir Metës

Marrëveshja Rama-Basha duket si lëvizje për të futur në morsë LSI-në, e cila është kthyer në një plagë e fortë për shoqërinë shqiptare. Ish-kreu i LSI, Presidenti i zgjedhur, Ilir Meta, këtë e kupton më shumë se çdokush tjetër dhe për këtë arsye, ai ka filluar intrigat e tij, duke u përpjekur të gjejë teza për të shpëtuar nga disfata në zgjedhjet e 2017.

Më poshtë do të sjellim disa fakte pse Ilir Meta e kupton çfarë po i ndodh dhe cili është urdhri i tij dhënë zyrtarëve të lartë të LSI që të propagandojnë në opinionin publik.

Në vitin 2009, me sistemin aktual zgjedhor, LSI mundi të siguronte katër mandate, dy nga të cilët me ndihmën e PD. Në Fier dhe në Tiranë, respektivisht Dritan Prifti dhe Ilir Meta në atë kohë i kërkuan Berishës besën që t’iu mbronte votat, pasi socialistët po i vidhnin.

Në atë kohë, LSI dhe Meta luajtën rolin e viktimës. Deklaruan se ishin kundër dy të mëdhenjve, të cilët një vit më parë kishin përgatitur një ligj, me qëllim për t’i dobësuar. Në të njëjtën situatë faktike është sot LSI, megjithëse nuk e artikulon këtë fakt. Ndryshe nga 2009, në 2017 Ilir Meta ka zgjedhur që të deklarojë fitore, të krijojë frymë optimiste dhe të theksojë se do të jetë forca e parë politike në vend. Shkon dhe më tej, sa deklaron se asnjë nga partitë e mëdha nuk merr dot më shumë se 52 mandate.

Pësimi i 2009 dhe mësimi i 2013 e kanë çuar Ilir Metën në një lëvizje me tentativën për të maksimalizuar votën.

Në rast se 2009 ishte një pësim, 2013 ishte një mësim. Në atë vit, LSI është sjellë thuajse si sot. Fliste për rreth 77-78 mandate të sigurta, së bashku me Ramën aleat. Ilir Meta garantonte gjithkënd se LSI do ishte forcë fituese, hapi dyert e administratës për demokratët, të pavendosurit, të majtë apo socialistë që donin të kishin një vend të sigurt në administratë, kjo sepse LSI do të qeveriste edhe katër vite të tjera me Edi Ramën, ashtu siç kish bërë me Berishën.

Intriga dhe loja në opinionin publik i dha jo pak efekt. PD u rrudh, LSI gati u dyfishua. Meta dhe partia e tij siguronin gati 16 mandate në Parlament. Rrudhja e PD solli një ngritje të LSI dhe forcim të koalicionit të atëhershëm, i quajtur “koalicioni i ngjalave”, shpalosur nga PS si Rilindje.

Sot, siç e përmendëm edhe më lart, LSI dhe drejtuesit e saj po luajnë me të njëjtën formulë, si në vitin 2013. Ata nuk duan të bëjnë gabimin e zgjedhjeve të 2009. Sot Meta, Vasili, Kryemadhi etj, deklarojnë LSI forcë e parë apo theksojnë se Rama apo Basha të vetëm nuk sigurojnë dot 71 mandate. Kreu i LSI në qëndrimin e tij ka sqaruar publikisht se në rast se socialistët sigurojnë 71 mandate, LSI është në opozitë.

Me të gjitha shanset dhe mundësitë, rritjen elektorale, aksionin politik dhe veprimet, LSI tashmë e futur në morsën e të mëdhenjve, megjithëse marrëveshjen e tyre do ta shpallë fitoren e saj, “çeta” e Metës e quajtur ndryshe LSI, tani pret të dobësohet, të zvogëlohet, për këtë janë të gjithë të bindur, Ilir Meta më shumë nga të gjithë.

Sistemi elektoral dhe formula janë zgjedhur, këtë herë me votat e maksimalizuara dhe frymën e 2013, nuk i jep Ilir Metës më shumë se 10-12 mandate në të gjithë vendin dhe për këtë janë të bindur edhe ata që i shkojnë nga pas. Megjithëse shpresa vdes e fundit!

Për t’i dhënë frymë kësaj shprese një intrigë të re, ashtu si në 2013, ka shpalosur forca e tretë politike në vend. Në shumë qytete të Shqipërisë tashmë ka filluar të artikulohet një gënjeshtër “Votoni LSI, ne do të jemi prapë nesër në qeveri, ne nuk kemi ikur nga qeveria.

Ilir Meta nuk është prishur me Edi Ramën, pa Metën nuk bëhet qeveria. Sot nuk kemi dorëzuar ende asnjë drejtori dhe ministri. Petrit Vasili u largua vetë. Që të jeni të sigurt, duhet të votoni LSI, ajo nuk ikën kurrë nga pushteti dhe Rama-Meta kanë një marrëveshje, që do të qeverisin dhe pas shtatorit, por për të futur Lulzim Bashën në zgjedhje kanë bërë gjoja sikur janë zënë. Edhe po se bëmë më Ramën, do ta bëjmë me Lulzim Bashën, i cili ka 4 vite që na lutet”.

Fjalitë që thamë më lart, kjo intrigë me shpresë se mund të sigurojmë vota me gënjeshtra, është gërhama e fundit e përpëlitjes së “çetës” së Ilir Metës, e cila nuk jeton dot pa pushtetin dhe pas zgjedhjeve të ardhshme do ta shohim në opozitë, jo sepse pa të nuk bëhet qeveria, jo sepse mund të kemi një palë që fiton zgjedhjet e vetme, por sepse koha që banda korruptive, që në më shumë se tetë vite ka shkatërruar çdo parim në sistemin politik shqiptar, të shkojë aty ku e meriton dhe të shohim se sa vlen vërtet një grup klientelist korruptiv dhe interesaxhinjsh, që hallin e kanë si të mbushin xhepat dhe jo si të ndihmojnë në zhvillimin e vendit./CityNews

Please follow and like us: