Kosovë, 5 të arrestuar për “vepra terroriste”
Policia e Kosovës ka arrestuar 5 persona, me dyshimin se po përgatiteshin për vepra terroriste, ose vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, ndërsa pas komunikatës raportohet se të ndaluarit janë në kuadër të hetimeve për plagosjen e avokatit Azem Vllasi.
Operacioni i gjerë policor është mbështetur nga urdhri i lëshuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës për kontrolle në 5 vendndodhje të ndryshme në Prishtinë, Gjilan dhe Ferizaj.
Në pranga, sipas burimeve të “Indeksonline”, kanë përfunduar shtetasit Ragip Sallova, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Sabit Berisha dhe një tjetër person N.N. Këta shtetas dyshohet se janë pjesë e organizatës “Syri i popullit”.
Pas marrjes në pyetje të tyre, prokurori i çështjes ka nxjerrë urdhërndalimi për 48 orë ndaj shtetasve Sallova dhe Berisha, ndërsa Halimi dhe Konjusha janë lënë më pas të lirë.
Gjatë kontrollit në shtëpitë e tyre janë gjetur dhe sekuestruar një revole me karikator dhe dy fishekë, një pushkë gjahu me 7 fishekë, një kompjuter (motherboard), 6 telefona celularë, disa fletore dhe një USB, të cilat do të dërgohen për ekzaminim të mëtejshëm.
Pas plagosjes së Vllasit, policia kishte arrestuar të dyshuarin kryesor, Murat Jasharin, si dhe dy persona të tjerë.