Albspirit

Media/News/Publishing

Nevila Xhindi: Zgjedhjet të lira, të drejta dhe të rregullta

Në çdo palë zgjedhje të organizuara nga Qeveria Rilindase në këto 4 vite, paratë e drogës, krimit dhe korrupsionit u përdorën për të blerë zgjedhjet; Korça, Dibra, Kolonja dhe madje edhe zgjedhjet brenda Partisë Socialiste ..ulërasin me dëshminë e tyre. Sot edhe Edi Rama është i vetëdijshëm se pa patur karriken e kryeministrit, nuk mban dot pushtetin dhe paratë që u ka vjedhur shqiptarëve…dhe ja ku e mbajti edhe karrigen! Marrëveshja “McAllister + “ ia “ hëngri” qeverinë, ia shkurtoi këmbët karriges së tij dhe shtoi garancitë politike drejt zgjedhjeve të lira, të drejta dhe të rregullta! Një kauzë e ngritur në lartësinë mbarëkombëtare dhe ndërkombëtare, si kusht i nevojshëm e i domosdoshëm për demokracinë, folur për to më fort se kurrë, diskutuar me intensitet dhe dinamikë, si e drejta më esenciale në një demokraci: në 90 ditë të arta të demokracisë shqiptare.

Po a janë zgjedhjet në vetvete të mjaftueshme për demokraci? E drejta për të zgjedhur lirisht përfaqësuesit dhe për të ndikuar në drejtimin politik të qeverisë është themeli i domosdoshëm politik i demokracisë, ama shumë i brishtë në tokën Shqiptare! A munden ndonjëherë zgjedhjet të legjitimojnë përmbysjen e qeverisjes demokratike të vendosur, imponimin e një diktature apo dhunë revolucionare? Pasojat e tmerrshme të regjimeve diktatoriale, oligarkike dhe kriminale e bëjnë të qartë se përgjigjja duhet të jetë “po” një “numër i madh” i tyre e tregojnë këtë anembanë globit.

Si rregull, diktaturat që pretendojnë të mbajnë zgjedhje të vërteta i manipulojnë dhe i shtrembërojnë ato, duke e bërë të qartë qëllimin e tyre për të parandaluar konkurrencën reale dhe mundësinë e një transferimi paqësor të pushtetit. Demokracia bazohet në lirinë politike. Baza e saj kryesore, mbajtja e zgjedhjeve të lira, nuk mund të përdoret legjitimisht për të futur kushte politike të dhunës së organizuar apo represionit shtetëror që parandalojnë mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të drejta.

Në raste të tilla, zgjedhjet nuk janë shenja të demokracisë, por më tepër një maskë ndaj strukturave politike antidemokratike. Çfarë realisht duhet të kuptojmë me zgjedhjeve të lira, të drejta dhe të rregullta? Ashtu si me përkufizimet për sistemet zgjedhore edhe për zgjedhjet ” të lira, të drejta dhe të rregullta”, nuk ka përkufizime të sakta, por konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut kanë krijuar një konsensus bazë. Në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, Neni 21 thotë se “vullneti i popullit … do të shprehet në zgjedhje periodike dhe të vërteta të cilat do të jenë me votim universal dhe të barabartë dhe do të mbahen me votim të fshehtë ose me procedura ekuivalente me votim të lirë … ”

Zgjedhje të rregullta ose periodike nënkuptojnë mbajtjen e zgjedhjeve në një orar të caktuar të njohur elektoratit, qoftë në një ditë të caktuar ose në një sërë datash ose brenda një afati kohor të caktuar. Ligji federal në SHBA, për shembull, kërkon që zgjedhjet të mbahen në të martën e parë të nëntorit të çdo viti (përveçse nëse bie mbi 1) për zgjedhjen e përfaqësuesve dhe senatorëve dhe çdo katër vjet për zgjedhjen e një presidenti. Sistemet parlamentare, si i yni, zakonisht kërkojnë që zgjedhjet të mbahen brenda katër apo pesë vjetëve nga zgjedhjet e mëparshme, por ato mund të thirren më herët, siç përcaktohet nga partia ose koalicioni i partive në shumicë. Kjo i jep partisë në pushtet disa avantazhe në caktimin e datës. Megjithatë, qytetarëve u garantohet mundësia për të ndryshuar liderët e tyre dhe për të mbështetur politikat e reja nëse ata zgjedhin brenda një afati të arsyeshëm kohor. Asnjë qeveri nuk qëndron në pushtet në mënyrë të pacaktuar. Të ndershme, do të thotë se zgjedhjet janë të lira dhe të drejta. Ligjet zgjedhore duhet të ofrojnë kushte dhe mundësi të barabarta për qytetarët që të kenë qasje në qendrat e votimit dhe të votojnë. Ata gjithashtu duhet të ofrojnë kushte dhe mundësi të barabarta për të gjitha partitë dhe kandidatët që marrin pjesë në to.

Një barazi e tillë kërkon aftësinë e partive politike dhe kandidatëve për t’u regjistruar në zgjedhje pa kërkesa të paarsyeshme; që ata të kenë akses të balancuar në media; që ligjet që rregullojnë financimin e fushatave të jenë të njëjta për të gjithë kandidatët dhe që nuk i japin një kandidati apo një parti një avantazh të pabarabartë; dhe se procesi zgjedhor është i drejtë dhe nuk anon drejt një partie apo kandidati. Në përgjithësi, liritë politike të shprehjes, ndërgjegjes, asociacionit politik duhet të mbrohen në mënyrë që kandidatët dhe partitë të mund të bëjnë fushatë pa pengesë dhe të kenë mundësinë të përcjellin mesazhet e tyre politike dhe platformat tek votuesit. Secili prej këtyre përkufizimeve të gjera, ka shumë hapësirë për debat dhe kundërthënie. Çfarë mund të bëhet për të siguruar pavarësinë e procesit zgjedhor? A duhet që kandidatët dhe partitë të kenë kufij shpenzimi? Ose kufizime në fjalimin e fushatës? A duhet të ketë rregulla për qasje në media?

Dhe kështu me radhë… Në shumicën e vendeve në botë ka gjithmonë një histori që lidhet me abuzim zgjedhor, duke përfshirë gerrymandering, mbushjen e kutive me vota, mashtrimin me para dhe kërcënimin e votuesve. Abuzime të tilla tregojnë se integriteti i demokracisë nuk është një rezultat i pashmangshëm i zgjedhjeve, se integriteti duhet të mbrohet fuqishëm dhe vazhdimisht nga qytetarët e secilit vend, se zgjedhjet duhet të krijojnë të drejtat politike të qytetarëve dhe individëve. Edhe kur zgjedhjet zhvillohen lirisht, ato nuk janë garanci për një rezultat demokratik. Kur institucionet demokratike janë ose bëhen të dobëta, zgjedhjet lehtë mund të përdoren nga grupe politike të dhunshme ose autoritare për të manipuluar vullnetin e popullit dhe për të marrë kontrollin e qeverisë. Demokracia shqiptare, edhe pse tashmë 27 vjeç, është ende e brishtë dhe me një sistem elektoral të kontestueshëm, gati për korrigjime të gjata dhe të qënësishme, ku themeli janë ende zgjedhjet: të lira, të drejta dhe të rregullta! Pa zgjedhje të tilla, nuk ka asnjë mundësi për qytetarët e Republikës së Shqipërisë të shprehin vullnetin e tyre, as mundësinë që qytetarët të ndryshojnë liderët e tyre, të miratojnë politikat për vendin, të adresojnë gabimet ose të protestojnë për kufizimin e të drejtave të tyre.

Please follow and like us: