Miss Globe 2017, sfilate në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta
Parkun Kombëtar të Divjakës e kanë vizituar vajzat konkurente për Miss Globe 2017, duke tërhequr edhe mjaft kurioze e vizitore të këtij parku.
Parku Kombëtar i Divjakës ka një statistike të pasur vizitorësh për vitin 2016.
Janë më shumë se 15 mije turistë që kanë hyrë në këtë park për vitin e shkuar dhe sipas drejtuesve të këtij parku, pritet që viti në vazhdim të ketë më shumë vizitore.
Vizita e vajzave të Mis Globe në Parkun e Divjakës përkoi edhe me shpalljen e Ditës së Pelikanit Kaçurrel, që do të jetë 10 maji.
Në urdhërin e ministrit te Mjedisit, Koka, theksohet se në kuadër të kësaj dite, e cila përputhet me Ditën Ndërkombëtare të Shpendëve Migratorë, duhet të organizohen aktivitete të ndryshme ndërgjegjësuese, edukuese dhe promovuese të vlerave natyrore dhe ekoturistike të këtij lloji në zonën e Parkut Kombëtar Divjakë- Karavasta si dhe në zona të tjera ligatinore të Shqipërisë, në bashkëpunim me organizatat mjedisore, njësitë e qeverisjes vendore, strukturat arsimore etj. Bashkë me shpalljen e kësaj dite mjedisore, ministri Koka ka miratuar edhe Planin Kombëtar të Veprimit për ruajtjen e Pelikanit Kaçurrel, një specie e rrezikuar, në nivel global dhe kombëtar si dhe një lloj simbol i shpendëve në Shqipëri dhe më gjerë.
Objektivat kryesore të Planit Kombëtar të Veprimit për ruajtjen e Pelikanit Kaçurrel në Shqipëri konsistojnë në rritjen e popullatës folenizuese të Pelikanit Kaçurrel, mbrojtjen dhe ruajtjen e habitateve kritike të tij në vendin tonë si dhe sigurimin e një shtese të vendeve të folenizimit aty ku kjo është e mundur.
Ndërsa veprimet konservuese të parashikuara në plan janë: përmirësimi i politikave dhe të legjislacionit, menaxhimi i llojit dhe ruajtjen e habitateve, monitorimi i efektivave të Pelikanit Kaçurrel, nxitja e edukimit dhe trajnimit për ruajtjen e mëtejshme të Pelikanit Kaçurrel, nxitja e aktiviteteve ndihmuese e të qëndrueshme etj.
Me këtë ditë të re mjedisore shënohet suksesi i arritur në 3 vite në kujdesin ndaj faunës në përgjithësi dhe në veçanti ndaj shpendëve migratore të ujit, sukses që është diktuar tërësisht nga vendosja e dy moratoriumeve të gjuetisë.
Pelikani Kaçurrel ka pasur një shpërndarje të reduktuar ndër vite deri në minimum, si pasojë e humbjes së habitateve jetike. Por, politika e ndjekur vitet e fundit nga ministria e Mjedisit ka sjellë qetësinë në laguna dhe rezultate të dukshme pranisë së Pelikanit Kaçurrel.
Prani e vërtetuar edhe nga rezultatet pozitive të Censusit të dytë Kombëtar për Pelikanin Kaçurrel që u mbajt në kuadër të Censusit Rajonal të Europës Juglindore në Shqipëri, Mali i Zi, Greqi, Rumani, Bullgari, Turqi dhe Ukrainë në datën 6 maj 2017.