Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Epilog i romanit “Sytë e gështenjave të egra”

Para se të vdiste, ai kishte lënë një letër. Linte porositë e fundit.
Për të gjitha sa kishte pësuar në jetë, ai fajësonte grykat e qafat e kodrave dhe të maleve të vendlindjes. Ato ia kishin fajin. Ç’m’u desh mua t’i sfidoja, pse doja të dal përtej tyre. Më vonë, sa herë ishte ndier keq në jetë, e kish parë veten nën prangat e gurta të atyre grykave dhe qafave… një fëmijë me një çantë në shpinë, mbi një xhade të gurtë…Xhade malore ku gjithmonë fryn erë, ku të qethte , të priste era. Më tej, prapë xhade të vetmuara malore, xhade që qarkoheshin dhe rrotullohëeshin pas grykave dhe qafave, që u rrëshqisnin dhe u ngjiteshin kodrave…me makina të rralla në to, me njerëz fare të rrallë, njerëz të përkulur më dysh nga era. Njerëzit dhe kafshët më mirë ndiqnin rrugët tërthore, sesa xhadenë e shtetit, shtruar me kalldrëm guri gri në të errët. Ai kishte ndjekur fillthi këtë xhade të shtetit, për te një shkollë e shtetit. Tre vjet ecejak në ngricë e në vapë. Me erën që edhe kur ngrihej nga gurët, nuk rreshtte. Me një fërfërimë nervoze dhe monotone si e një luzme bletësh të ikura nga kosherja, era lëvarej në majat e lisave, të kodrave, vërshëllinte lehtë dhe te telat e telefonave. Ishte aty lart edhe në piskun e vapës. Erë, erë, erë … ra ra ra…. ë ë ë… rë rë rë vinte i butë si rrëshqitja e nepërkës në gur nëpërkalimi i saj nëpër gjethet e pyjeve dhe të drurëve të vetmuar majë kodrave. Edhe në pikë të verës.
Ato qafa e gryka, ato erëra ia kishin fajin që e kishin falur, e kishin lënë të dilte gjallë prej tyre.
Sa herë, i ndodhur ligsht e keq gjer në pikë të fundit, atij i përhitej ai ujku i asaj ditës me borë dhe me erë. I katavalur nga të pangrënët, nga të veshurit e pamjaftueshëm, ai ishte falur te era që sakaq e kishte rrëmbyer, e kishtte mbështetur në një ledh me borë që të prehej, të flinte. Ujku me hapa të lehtë nëpër mjegull ishte afruar mbi të. Por një njeri, një njeri që s’dihej nga mbiu, mbase rojtari i pyllit a punëtori i rruga-urës, a një kalimtar i rastit po qasej me fener e me urë zjarri në duar. Dhe ujku ia mbathte rrëpirave. Grykat e qafat edhe këtë herë e kishin falur.
Nëna i thoshte mos shko nesër në shkollë, por ai qante për librat, dhe ajo e ngrinte nga gjumi herët… një trahana, një copë bukë me gjizë në trastën e librave dhe… Ato gryka ia kishin fajin. Aii i sfidonte, ato e falnin… e shtynin dhe nga pas me erë që të arrinte me kohë në shkollë.
Më së fundi, ai ujku nuk e kishte falur. Ishte moshuar, ishte zbrujtur, ishte mposhtur dhe ujku e kishte gëlltitur me dhembët e gurtë të grykave dhe të qafave…e kishte kthyer pas atje te xhadeja me erë… tek nxitonte me peshën e librave shkollore mbi shpinë.
Kishte lënë amanet ta varrosin atje te malësia e tij. Sipër shtëpisë ku kishte lindur, përfund rrëzomës së malit, vinte një rrasë e madhe, e bardhë, një rrasë guri rreth 600 metra e gjatë dhe 6-7 metra e lartë. Kishte rrëshqitur mbi të kur ruante kecat. Aty donte t’ia mbyllnin kufomën. Të hapej rrasa e gurtë me matrapik e në të të mbyllej arkëmorti. Të bëhej njësh me rrasën e gurit. Pa emër, pa një shenjë mbi të. Të bëhej njësh me elementet e përjetshëm… me malin, me gurët, me drurët. Bora të rrëshqiste, shirat ta lagnin, ngrica ta shponte, vapa ta digjte. Eshtrat do t’i pastroheshin nga çdo gjë e butë, nga gjithë helmet dhe pengjet. I ngurtësuar, i bërë llagar si uji dhe si guri i malit, ai do të ndjehej mirë. Si atëherë kur hapi sytë, mori frymë, u ngrit, pati ëndërra të bukura, u nis nëpër botë…
Ky ishte amaneti i tij.
Nuk e di se sa u realizua.
Ky është dhe fundi i këtij personazhi. Më çudiste ky burrë mali. Nuk donte as emër mbi varr, nuk donte as emër mbi librat e botuara prej tij.
Dikur me një gur ai trokiste te shtylla e telefonit, vinte veshin në të, dridhej bashkë me ngjethjen e shtyllës së drunjtë nga ajo gumëzhimë e sertë, e thellë prej telash që prisnin qiellin atje lart. Alo, alo, alo.. hë, më thoni ç’bëhet andej nga bota e madhe? Alo alo…
Mos vallë tashmë e kishte lodhur bota? Këtij njeriu dhe po t’ia dija varrin, nuk do t’i çoja lule përsipër. Nuk më bën zemra, t’i çoj nga këto lulet që kultivojnë njerëzit e sotëm. Lulet atij le t’ia jepnin guri dhe dheu i malit. Me që kishte dashur të ikte pa një emër për sipër, lulet e egra të malit le të lëkundeshin nga erërat mbi të. Vetëm lulet e gurit…

Please follow and like us: