Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: A DO HAPET NË SHQIPËRI LIBRI I ZI I KOMUNIZMIT?

Në nderim të atyre artistëve, këngëtarëve, poetëve, shkrimtarëve, piktorëve, skulptorëve etj. të cilët u therorizuan në diktaturë.
Disa prej tyre kishin një program të qartë, një mision që donin ta çonin në fund. Disa e nisën kundërvënien intuitivisht nga fillesat artistike brenda tyre, deshën të jenë vetëvetja, pa ndonjë program apo konceptualitet të pjekur… dhe u ndëshkuan nga diktatura enveriane..
Libri i zi i gjithë krimeve komuniste nuk është hapur gjer në fund. Pa u hapur ai libër e keqja nuk do të shërohet kurrë.
Prej andej, prej qindra e mijëra vetëve të dënuar e të pushkatuar pa asjë faj, deri tani kemi emrat e artistëve.
Në nderim të së dënuarës përjetë me burg e internim Musine Kokalarit (Musineja kishte një program politik), në nderim të Arshi Pipës, në nderim të Mitrush Kutelit, të Nikoll Gazulit, në nderim të Petro Markos, në nderim të imzot Vincens Prenushit,(ekzekutuar) te E. Haxhiademit (vdekur në burg), të Donat Kurtit, të Lazër Shantojës (ekzekutuar), të Frederik Reshpjes, të Sherif Merdanit, të Edison Gjergos (vetëvrarë), të Faik Balllances,(vetvrarë) të Viktor Qyrkut, (vetvrarë) të atë Zef Pllumit, të Pashko Gjeçit, te Visar Zhitit, të Trifon Xhagjikës (pushkatuar) F. Kokomanit V Lezhos (te dy pushkatuar), të Maks Velos, të Shpëtim Ginës (vetëvrarë), të Kujtim Spahivoglit, të atë Bernardin Palajt (pushkatuar) të dom Shtjefën Kurtit (pushkatuar), të poetit atë Ali Turabi (pushkatuar), të Justina Aliaj, të Mihallaq Luarasit, të Edi Luarasit, të Iliriana Çarçanit, të Francesk Radit, të Daut Gumenit, të Gaspër Çurçisë (pushkatuar), të Myqerem Janinës, të Havzi Neles (varur në litar), të Xhelal Koprenckës, (pushkatuar) të Genc Lekës, të Vilson Blloshmit (të dy bashkë pushkatuar) …të Gjergj Fishtës, dhunuar varri, përjashtuar 40 vjet nga historia e letërsisë shqiptare, të Martin Camaj, përjashtar për së gjalli nga jeta letrare…

DESHMIA NEN PRESEN E THIKES

Festivali i 11-të tregoi që Shqipëria dëshironte të hapej nga Perëndimi. Shqipëria e artistëve, e shkrimtarëve, e muzikantëve e dha provën e kësaj dëshire. Festivali i 11-të e dha këtë dëshmi për shqiptarët por edhe përpara atyre kancelerive perëndimore që i kishin thënë Shqipërisë: hapu, liberalizohu. Por dëshirat janë tjetër gjë nga realitetin i hekurt. Shqipëria për vullnetin e atij që e udhëhiqte diktaturën a për rrethanat e paracaktuara të Luftës së Ftohtë, do të mbetej peng i kufijve që nuk u hapën kurrë. I kufijve që ishin ngritur si direkët e Perdes së Hekurt të vendosura që prej Jaltës. Si duket, sa do të dëshironim ne, për brezin tonë këto porta nuk do të hapeshin kurrë. Të përplasura në këtë mur të hekurt të vendosur nga forca përtej nesh, nga forcat e stërmëdha që mbajnë ekuilibrat e botës, dëshirat, poezitë, këngët, ngjyrat, miznaskenat, fustanet e unazat e bukura, zërat e vajzave dhe të djemve që performuan në atë fund dhjetori të vitit 1972, u prapsën, u gjymtuan, u thyen. Gjithë eleganca dhe brishtësia e atyre që guxuan te jenë vetja u dëshmuan në atë Festival të quajtur të !1-të. Ishte Festivali i atij lloj njeriu që guxon të jetë vetja edhe kur e burgosin, edhe kur e damkosin me ndalim, me dëbim të përjetshëm nga arti, nga skena. Ata u bënë fli si gjelbërimet e hershme përpara ngricave, para një klime të ngricave 40-vjeçare të paracaktuara ndërkombëtarisht.
Si manifestim i lirisë në robëri, si dëshmi e së bukurës, e së ndaluarës ndaj historisë ata nuk janë të humbur. Para një rendi botëror të paracaktuar që pa lindur, ata thanë , kënduan, u veshën, u sollën në skenë me një vetvetishmëri që është e barabartë me njëmijë vite liri në errësirë. Ndaj errësirës ata bënë të tyren, e bënë edhe në kundërshtim me vazhdimësinë e jetës së tyre. Ç’mund të bëhej me shumë sesa aq, sesa të pohoje që je për vete dhe je krye më vete, (jo domosdo një kryengritës), ç’ mund të bëhej pra më shumë? Më shumë nën një perde të hekurt si presë thike mbi krye…?

Please follow and like us: