Sadik Bejko: Luljeta LLESHANAKU, çdo kohë ka përbindshat e vet
METALIKE
Ne nuk dinim asgjë atëkohë për Santa Klausin,
por njihnim Hasijen, shitësen e akullores.
Të ngjeshur fort pa banakut, para syve tanë,
një perëndeshë e kolme, e dalë prej shqisave të Ticianit
me një lopatë të madhe druri zhvendoste akulloren e sapoardhur
nga një makineri centrifugale
në një kazan prej inoksi.
Ne njihnim numrin e nishaneve në parakrah
më mirë seç njihnim vitet tona.
Kur ajo linte lopatën, një stuhi metalike pesëqindarkshash
i vërshonin në fytyrë
Ata më të gjatë ishin me fat,
të shkurtrit ishin monedhat pa zot
që vërtiteshin vetvetiu si në hipnozë
të shtyrë me forcë atje në qoshe.
Askush nuk e pa ndonjëherë Hasijen
të hapte apo të mbyllte derën e dyqanit,
por, shoferët e linjave të largëta thonin se po
kur ndaleshin që pa gdhirë për një ekspres
dhe për një konjak e ca tym, në mbrëmje vonë.
‘E pamundur’ do të hidhej përpjetë ndonjëri nga ne.
Të shije Hasijen tek voziste në atë re të bardhë
me mëngët e shpërvjela deri në sqetull
ishte një ëndërr me sy hapur.
Dhe ashtu siç prishet gjithëçka në ëndrra, sekondën e fundit,
sa herë vinte radha ime,
zëri i saj bëhej metalik: “Kaq qe. Akulloret mbaruan”.
‘Kaq qe, thashë! S’ka më për sot!’
Por askush nuk lëviste. Papritur, radhët e fundit, monedhat pa zot,
bëheshin agresive
duke vazhduar me të vetën: “Një akullore, teta”
për ta, të pafuqishmit,
lajmi i keq është gjithmonë një thashethem
dhe pas kazanëve të zbrazur
një perëndeshë, bëhet dy herë e tillë.
Vite më vonë, kur u ktheva,
pyeta për dyqanin e akulloreve dhe Hasijen,
të cilës
nuk ia mbaj mend fytyrën, por veç unazën e akullt saturnale.e
Më thanë se kishte pasur tumor, e gjora,
e s’ikish mbijetuar.
Kështu duhet të ndodhte. Mitet lokale kanë vetëm dy zgjidhje:
ose duhet të ikin, ose duhet të vdesin
që ne të kemi një të shkuar të përkryer për të treguar.
+++
Çdo kohë ka kufizimet e veta. Në fantazinë tonë ata që i kanë në dorë portat e këtyre kufizimeve, mund të marrin format e atij përbindëshit që Odiseut ia mbyllte portat e shpellës dhe kur të donte e shqyente me duar e gëlltiste. Në komunizëm këta ciklopë mund të ishin shitësat e rëndomtë në tregtoret e qumështit, të frutave, të lodrave, të veshjeve. Vinte një çast kur këta thoshin: Nuk ka më. Nuk ka një shishe qumësht për fëmijët e tu të vegjël, nuk ka akullore, nuk ka një mollë për prindin tënd në spital. Komunizmi, koha e varfërisë për të gjithë ne që e jetuam, nuk kishte mjaftueshëm nga këto që thamë më lart. Sot gjëra të tilla i gjen me shumicë sa dhe kalben…
Por çdo kohë ka përbindshat e vet.
Në këtë poezi Lleshanaku sjell një situatë të fëmijërisë së saj dhe një portret, një personazh që i ka peshuar fort, që e ka shtypur me ndalesat, aq sa i është shndërruar në një mit të frikshëm, si ata gogolat që na shpifen në ëndrra.. Dha gogolat nuk janë vetëm. Janë pjesë e një makthi sa një natë. Më shumë. Sa një gjëndje natë e paanë.
Në situatë, një porttret… Mbase detyra këto të prozës më shumë se sa të poezisë. Noli në poezinë tonë moderne ka sjellë portrete: Moisiun, Krishtin, Kirenarin, Barabën, Maratonomakun, ashikun plak, B. Currin, Gurakuqin etj. LLeshanaku ecën në këtë vazhdë. Por jo me heronj e shenjtorë mitikë. Te librat ‘Fëmijët e natyrës’ dhe te ‘Pothuajse dje’ ajo sjell tipa e portrete njerëzore. Nga ata që i takojmë për ditë në mjediset familjare a në sheshet e qyteteve tona të vogla, provnciale. Dhe u jep tipare arketipale
Me këtë poezi, ‘Metalike’ ajo sjell një nga makthet më të përsëritura në jetën e njeriut. Tipin e atyre që rastësisht janë të fortët e botës në një hark kohor të jetës a të fëmijërisë sonë. Këta që kthjellin e ngrysin, bëjnë ligjin në përmbushjen a mos përmbushjen e dëshirave tona në një cak kohor, në sytë tanë kthehen në mite, në perëndi. Hasija, shitësja e akulloreve, shitësja e kohës së komunizmit, shitëse në ndonjë provincë dhe aq, është e tillë. Është një Juno, një Athina, një perëndi antike, pavarësisht se, siç është e udhës, si femër mund të mëkatonte me ndokënd, mund të bënte tym me ndonjë shofer, apo, si njeri, si gjithë ne të tjerët, si dhe unë e ti, nuk mund t’i mbijetonte një tumori malinj. Poezia sjell arketipin e atij që si qenie njerëzore është fare i brishtë, i vdekshëm, por që në një segment kohor a hapësinor të dhënë, rrethanat i kanë dhënë forcën që ty a dikujt tjetër të na e zbukurojë apo t’na e nxijë jetën.
Autoria në fund të poezisë e vdes këtë personazh të fëmjërisë së saj. Por, unë mendoj se ajo nuk vdiq nga tumori. Jo, sapo vdesin rrethanat, ajo, a kushdo si Hasija, janë të vdekur vetiu.
Për brezat që vijnë përbindshat janë aty, si në një kaçube, të fshehur në një ëndërr tjetër.