Albspirit

Media/News/Publishing

Shpëtim Nazarko: Gabimi foshnjarak i Metës dhe Priebe prapa derës

Përkundër shumë teorive konspirative ndaj sjelljes së Metës në konferencën e shtypit dje, i besoj diçkaje më të thjeshtë. Mjeshtër i taktikës apo, siç i thoja dikur në një shkrim, i respektimit të hileve para rregullave, ai iu kthye pikërisht kësaj sëmundjeje të vjetër. Le të futemi konkretisht në temë dhe të kuptojmë nga e ka burimin kjo sjellje e tillë e tij.

Pak më shumë se një muaj e ca më parë, Meta u shpreh në mënyrë eksplicite, në një intervistë të drejpërdrejtë, se ai do të pranonte për LSI-në pikërisht atë variant që e bënte pjesëmarrës në koalicionin që, bashkë me të, do të bënte kuotën e 71 votave . Thënë ndryshe, do të zgjidhte atë variant që i lejonte të ishte si dhe më parë « Kyçi i artë » për palët. Brenda një pragmatizmi të qartë, ai nuk përjashtonte as PD-në, nëse ia siguronte këtë mundësi, pavarësisht se me cilin koalicion do të rreshtohej ai vetë para zgjedhjeve.

Ku qëndron dobësia e kësaj deklarate, që mund t’i lejohet ta mendojë në heshtje çdo politikan, por kurrsesi ta shprehë, nëse flasim me zhargonin e popullit, në «pazarin e gjësë së gjallë»?

Kjo deklaratë e tij, u shfrytëzua nga PD-ja, e cila fill pas kësaj ngriti menjëherë teorinë e të mosfuturit në zgjedhje me asnjë mënyrë. Çfarë lidhje ka deklarata e saj me atë të Metës dhe pse edhe pa teori konspirative nuk ka ndonjë dyshim të madh se Meta ka hyrë në një qorrsokak, që mund ta cojë ashtu si dhe PD-në në një katastrofë po aq të madhe?

Nëse PD-ja vërtet nuk do të futej në zgjedhje, atëhere i humburi i madh pas saj do të ishte vetë Meta. Të zhvilluara pa PD-në, shumën dërmuese të 140 mandateve në zgjedhje do ta merrte PS dhe LSI. Po në këtë rast LSI nuk do të ishte aspak « kyçi i artë ». PS mund ta kishte realizuar vetë pa LSI dhe aleatët e tjerë numrin 71.  Do të ishte fiks e kundërta e asaj që kërkonte Meta në intervistë… E akoma më shumë, do të ishte variant më i keq nëse numrin 71 PS do ta siguronte nëpërmjet PDIU apo FRD, etj.

Për të rregulluar këtë defekt apo gabim elementar politik, që e shkaktoi po vetë në intervistën e tij të drejpërdrejtë, Meta thekson se do t’i bashkëngjitet edhe ai pas PD-së nëse ajo nuk futet në zgjedhje… Këtë do ta bëjë, siç thotë ai zakonisht, në emër të stabilitetit të vendit, po nuk është shumë e vështirë për sa më lart pse realisht do ta bëjë. Po ndoshta do ta bëjë në emër të stabilitetit të vendit?

Plaku Dritëro thoshte dikur që « t’i flasësh popullit duhet të kesh autoritet, ndryshe nuk i flet dot lagjes ». Meta ka marrë përsipër t’i flasë në emër të stabilitetit të vendit, jo vetëm popullit, por edhe partisë më të madhe në pozitë dhe akoma më shumë edhe vetë faktorit ndërkombëtar…

Para se të gjykojmë pasojat e kësaj manovre për vetë Metën, le të shohim se çfarë kërkohet me pak fjalë. Së pari, të ikë Rama apo të rrijë, nëse këtë e kërkon opozita. Pastaj të krijojmë një qeveri besimi. Pastaj të shtyjmë zgjedhjet. Pastaj të bëjmë vetting-un. Përpos këtyre kushteve, duhet të depolitizojmë policinë, të ndalojmë drogën, dhunën kundër zgjedhësve, etj., etj. Litari me dhe është më kollaj për t’u bërë, po zëre se i besojmë se ai i ka reale ato që mendon apo thotë.

Po me Kushtetutën si t’ia bëjmë? Vetë Meta nuk i përgjgjet dot kësaj pyetjeje. Këtë ia lë ta zgjidhin hartuesit e teorive konspirative, të cilët mendojnë që është gjë që rregullohet, madje ndoshta edhe brenda çadrës.

Nëse e fillojmë me Kushtetutën, e cila ka autoritetin të krijojë realisht stabilitet përpara Metës dhe Ramës, apo kujdo tjetër, një socialist i thjeshtë mund të na përgjigjej: Se çfarë thoni ju, nuk na hyn në punë. Po zbatojmë Kushtetutën dhe po zhvillojmë zgjedhjet brenda rregullave. Siç e përcaktojnë ligjet që kemi bërë dhe që e respektojnë kushtetutën, paraqitini njerëzit në komisione brenda afatit të caktuar. Pra numërues, etj., etj. Nëse ata që janë caktuar në këto vende nuk vijnë, atëherë, po sipas ligjeve, zëvëndësohen nga të tjerë. Si i bëhet në këtë rast?

Pa hyrë në llogari se çfarë do të bëjë opozita në këtë rast, se p.sh. ajo mund të prishë edhe kutitë e votimit, unë pyes: çfarë do të bëjë vetë Meta? Nuk dyshoj se ai do të marrë pjesë në këtë proces të shkatërrimit të zgjedhjeve, sepse do të prishte bashkë me Kushtetutën edhe stabilitetin që kërkon.

Po përveç Kushtetutës, duhet t’u flasësh edhe ndërkombëtarëve për stabilitet. Këta të tregojnë se në çdo rast konfliktet zgjidhen me proces gjyqësor dhe me depolitizim komisionesh apo komisionerësh. Në fjalimin e tij, Meta nuk përmendi fare procesin gjyqësor që të huajt po kërkojnë ta realizojnë nëpërmjet vetting-ut. Përmendi vetëm një inisiativë të Idrizit, i cili në vend që t’i depolitizojë komisionet, i shton atyre frymën partiake, apo burimin e sherreve gjithnjë nëpër zgjedhje.

Unë besoj që jo vetëm PS ka shqyer sytë nga konferenca e Metës, por edhe Pribja, në emër të Evropës; apo Lu, që po pret në emër të Amerikës. Po presin për vetting-un, të cilin Meta dhe tezat e tij hëpërhë nuk e kanë në listën e pikave që rregullojnë stabilitetin… Këtë e ka lënë apo harruar fare kur të mbarojmë ca punë të vogla që mund të shndërrohen në akoma më të mëdha…

Çfarë besoj normalisht? Pa dyshim që me deklaratën e tij një muaj më parë për numrin 71 të votave apo kyçin e artë, Meta ka shtyrë së pari Bashën dhe pastaj veten e tij, në një nga ato manovrat që i quaj «manovra në zunkth».

Ato mund të çojnë edhe në rrëmuja çasti, po nuk shpëtojnë dot njeri, as nga dita e zgjedhjeve dhe as nga vetting-u. Përfundimi, sado i hidhur, është prapë i qartë. Pas PD-së, listës së humbësve, jo vetëm në zgjedhje, por edhe para ndërkombëtarëve do t’i shtohet edhe LSI.

Thua? Po bën propagandë-do të thoshte një kritik apo militant. A e di ti që pa opozitë nuk shkohet në zgjedhje? Jo, unë mendoj se pyetja nuk shtrohet fare kështu. Krim shtetëror quhet apo është kur nuk lejon opozitën të marrë pjesë në zgjedhje. Po nuk jemi fare në këtë rast. Nëse Meta do të më kishte thënë që këta nuk lejojnë opozitën në zgjedhje, ai do të kishte të drejtë të fliste, madje jo vetëm në emër të stabilitetit.

Për mua, Meta ka bërë dje një nga ato gabimet foshnjarake që nuk i lejohen as një diletanti politik. Duke lëshuar gojën se nuk merr pjesë në asnjë qeverisje që nuk e lejon atë të bëjë 71, thjesht ka yshtur PD-në në një aventurë qesharake. Duke mos e kuptuar se ka bërë vetë i pari këtë gabim, është futur thellë në një batak më të madh. Kërkon të prishë po ai vetë zgjedhjet duke mos marrë pjesë në to, duke e maskuar një realitet që shihet me sy me teza bajate në emër të stabiltetit.

Ajo që shoh akoma më qartë në këtë histori banalele është se Pribja, që pret prapa derës në emër të vetting-ut dhe që përfaqëson Evropën po ashtu si dhe Lu, nuk kanë për ta besuar në këto teza. Në fund të fundit, as e marrin mundimin të mendojnë se kush qeveris, por kush është ai që nuk respekton atë që ata kanë dy vjet që e kërkojnë në emër të stabilitetetit dhe që ata e quajnë vetting.

Ndoshta, pavarësisht shprehjeve të Metës që ndërkombëtarët vijnë vetëm pasi del tymi, ata po vijnë kësaj radhe në emër të vetting-ut, që të mos lënë më njeri që të vërë flakën. Ca më shumë që zjarrvënësit njihen pasi kanë njëzet e pesë vjet që rrinë në pushtet dhe nuk janë ndërruar asnjëherë.

Please follow and like us: