Albspirit

Media/News/Publishing

Basha godet fort partinë e Metës: Votat për LSI hidhni në det

Të paktën për një gjë me sa duket Lulzim Basha ka nxjerrë mësim nga e shkuara: butësia në trajtimin e LSI-së mund t’i kushtoi një erozion të madh votash PD, ashtu sikurse ndodhi në 2013 apo edhe në 2015. Qëndrimi as mish dhe as peshk ndaj Ilir Metës, flirtimi se ai mund të jetë aleati i ardhshëm që mund ta kthejë PD-në në pushtet ka bërë që shumë demokratë të lëkundur ose simpatizantë ta shesin votën tek LSI, pa ndonjë brerje të madhe ndërgjegjie duke u justifikuar se do të jemi bashkë. Pikërish me sa duket këtë fenomen ka dashur të stopojë Basha kur sot nga Saranda ka goditur LSI-në si një forcë politike që e dredh gjithë kohën.  “Edhe LSI ta ketë të qartë që koha e matrapazëve në politikë që shkojnë sa andej këndaj “shit klyshë e bli qen” merr fund në 25 qershor, ndaj të gjithë ata votues që jeni tunduar me teserat e partive të pazarit që ua kanë dhënë për tu mbajtur peng, dijeni se votat për këto parti janë vota të hedhura në det, kurrë më pazari “bli klyshë e shit qen” nuk do ecë me PD, mos harroni ne jemi të bashkuar, e gjithë opozita është e bashkuar, ata janë të përçarë. Ne e dimë se ku po shkojmë, tani është koha juaj të bashkoheni” iu drejtua Basha sarandiotëve. Pra për herë të parë duket se mesazhi i liderit demokrat është i qartë. Ai kërkon të ndalë erozionin ku sidomos në Jug thuhet se LSI po bën kërdinë në vathën e PD-së. Dhe si për të bërë më të besueshme vendimet se “republika e re” nuk bën kompromis me askënd lideri demokrat ka denoncuar zërat e përhapur fuqishëm për një pazar mes tij dhe Ramës. Megjithëse nuk ka sqaruar asnjëhetë se çfarë ka biseduar me kryeministrin, qoftë në presidencë pasi nxorrën jashtë Nishanin, apo qoftë gjatë takimit të gjatë prej 5 orësh basha ka hedhur poshtë këto zëra: “S’do ketë pazar me interesat e qytetarëve shqiptarë, e kam premtuar, nuk do ketë pazar, republika e re do vijë, po vjen, do triumfojë më 25 qershor. Ne nuk bëjmë pazar me kauzën e qytetarëve shqiptarë, me asnjë nga thithlopat e republikës së vjetër. Rama do japë llogari për dështimit total, për harxhimin e milionave, ekonominë katastrofë”.
Please follow and like us: