Bisedimet sekrete SHBA-Shqipëri për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike
Problemet e shtetit te ri shqiptar ishin te shumta edhe ne arenen nderkombetare pas daljesnga lufta e dyte botwrore. Pwrveç problemeve te shumta ekonomike qw shteti i ri i perballonte nwn dashakeqwsine jugosllave, shtet i cili realisht synonte qw ta gjunjwzonte ekonomikisht, pwr ta gllabwruar mw pas politikisht, deri ne ribashkimin si republike tw sajwn. Keto probleme Hoxha i a ka ngriur edhe Stalinit, pas prishjes me Titon. “Amerika dhe Anglia nuk duan që Shqipëria t’u takojë Italisë, Greqisë, Jugosllavisë, por Amerika nuk do që Shqipëria t’i takojë Anglisë”, kështu e qetëson Enver Hoxhën diktatori sovjetik J.V. Stalin në fund-marsin e vitit 1949. Kjo e ka shtyrë liderin 41-vjeçar Shqiptar të ndërmerrte tratativa për t’u lidhur me Uashingtonin dy muaj më vonë, në maj. “Më 1949, qeveria shqiptare rifilloi përçapjet pranë qeverisë amerikane për njohjen e saj dhe normalizimin e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve mbi bazën e njohjes së traktateve të vjetra nga ana e Shqipërisë. Me këtë detyrë u ngarkova unë”, shkruan diplomati i shquar Behar Shtylla (1918-1994) në një libër të viteve 1991-1992 dhe të botuar pas vdekjes, në vitin 1997.
HISTORIA NE DOKUMENTAT SEKRETE TE DEKLASIFIKUARA TE SUPERFUQIVE TE KOHES
Një pjesë e historisë së Shqipërisë në vitet e luftës së ftohtë po ndriçohet vitet e fundit me publikimin e dokumenteve sekrete diplomatike në Federatën Ruse dhe SHBA. Kryqëzimi i këtyre dokumenteve sqaron dhe veprime të caktuara të dy superfuqive. Në këtë numër po botojmë një dokument amerikan mbi gjendjen në Shqipëri rreth pranisë sovjetike këtu. Zyrtarët e Departamentit të Shtetit dhe ministrisë franceze të Punëve të Jashtme nuk e dinin se në vitin 1949 prania sovjetike në vendin e vogël ballkanik nuk ishte dhe aq e madhe, pasi Stalini nuk ia varte dhe aq shumë Shqipërisë dhe Enver Hoxhës. Madje, ai u ka bërë namin Dimitrovit dhe Titos për përkrahjen që i jepnin PK Greke gjatë Luftës Civile Shqipëria, Bullgaria dhe Jugosllavia. Autokrati i Kremlinit dëshironte të respektonte Jaltën, ku Çërçillit i kishte premtuar që Greqinë ta linte nën ndikimin perëndimor. Këto nuk kishte se si t’i dinin nëpunësit e vegjël.
ARKIVAT
Në arkivat ruse është zbuluar një stenogram i njërit prej 5 takimeve zyrtare të Enver Hoxhës me Stalinin, ai i 23 marsit 1949. “Pas deklaratës së Kominform-it mbi klikën e Titos marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave po përkeqësohen gjithmonë e më shumë”, kështu i ka deklaruar Enver Hoxha ministrit të jashtëm të BS, Andrej Vishinski, në prag të takimit me shefin e Kremlinit. Lideri shqiptar diti të përfitojë me zgjuarsi nga përplasja mes Josip Titos dhe Josif Stalinit për të hequr qafe diktatin jugosllav. Në librat “Faktori sovjetik në Evropën Lindore 1944 -1953”, në dy vëllime dhe “Evropa Lindore në dokumentet e arkivave ruse. 1944-1953” në dy vëllime, janë botuar shumë dokumente të panjohura të nxjerra nga arkivat e ish-perandorisë komuniste sovjetike. Në stenogramin i bisedës së 23 marsit 1949, në Moskë, mësohet se “sh. Stalin vë në dukje se të gjitha fjalët që qarkullojnë për ndarjen e Shqipërisë janë sajuar me qëllim që të trembin shqiptarët. Sikurse dihet, pavarësia e Shqipërisë është garantuar nga deklarata e tre shteteve – Amerikës, Anglisë dhe BRSS-së. Sigurisht, deklaratën mund të shkelin, por kjo nuk është kaq e lehtë. Për sa u takon grekëve të Caldarisit [Konstantinos, 1884 – 1970, kryeministër i Greqisë në vitet 1946 dhe 1947, ambasador në OKB në vitet 1947-1949] ata mezi po mbahen më këmbë, dhe jo më të flasin seriozisht për ndarjen e Shqipërisë. Nëse shqiptarët do të mbajnë qëndrime korrekte, nuk do t’i shajnë shumë imperialistët, nuk do t’i provokojnë, por do të sillen sa më me modesti, atëherë Shqipërinë nuk do ta prekë askush. Amerika dhe Anglia nuk duan që Shqipëria t’i takojë Italisë, përderisa kjo gjë do të sillte forcimin e Italisë; nuk duan që ajo t’i takojë Greqisë, përderisa kjo gjë do të sillte forcimin e Greqisë; nuk duan që Shqipëria t’i takojë Jugosllavisë. Për më tepër, Amerika nuk do që Shqipëria t’i takojë Anglisë. Për këtë arsye ato janë pro pavarësisë së Shqipërisë”.
NORMALIZIM MBI BAZË TË RE
Në librin “Fan Noli, siç e kam njohur. Kujtime”, botuar në vitin 1997, pas vdekjes së autorit, Behar Shtylla, diplomati i njohur, ministri i Punëve të Jashtme me karrierë të gjatë dhe që zëvendësoi Enver Hoxhën në vitin 1953, jep informacione krejt të reja për diplomacinë e fshehtë. Në vitin 1949 ai ishte ambasador në Francë, por dhe i emisar i Tiranës në OKB, ku Shqipëria ende nuk ishte pranuar. Shtylla tregon se “më 1949, qeveria shqiptare rifilloi përçapjet pranë qeverisë amerikane për njohjen e saj dhe normalizimin e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve mbi bazën e njohjes së traktateve të vjetra nga ana e Shqipërisë. Me këtë detyrë u ngarkova unë. Për këtë qëllim, kur shkova në Nju Jork në pranverë 1949 për të diskutuar në Kombet e Bashkuara krijimin e një Komiteti Pajtimi midis Greqisë nga njëra anë dhe Shqipërisë, Bullgarisë nga ana tjetër, mora kontakt me përfaqësues të Departamentit të Shtetit dhe bëra sondazhe për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve mbi këtë bazë të re.
Njoftova dhe Nolin për udhëzimet që kisha nga qeveria dhe për bisedimet me përfaqësuesit amerikanë. Nga data 13 deri më 17 maj 1949 zhvillova disa bisedime me funksionarët e Departamentit të Shtetit, Xhon Kempbëll, i ngarkuar edhe me çështjet e Shqipërisë, dhe Harri N. Hauard, këshilltar drejtorie. Për fat të keq, nga ana amerikane këtë radhë nuk ishte pengesë vetëm çështja e traktateve të vjetra, por u ngritën dhe pengesa të tjera”.
NUK KA LËVIZJE DISIDENTE APO REZISTENCE
Në këtë numër të gazetës po botojmë një dokument diplomatik amerikan që ka të bëjë me Shqipërinë, i vitit 1949. Enver Hoxha po përgatiste të niste në Nju Jork ambasadorin shqiptar në Paris, Behar Shtylla, me një mision të fshehtë për normalizim marrëdhëniesh me SHBA-në. Xheferson Kafri (Jefferson Caffery, 1886-1974), ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i SHBA në Francë, 25 nëntor 1944-13 maj 1949, dërgonte nga Parisi, më 29 prill 1949 një telegram në Departamentin e Shtetit, në përgjigje të telegramit të Departamentit nr. 1349, datë 27 prill, me një informacion mbi gjendjen në Shqipëri pas prishjes me Jugosllavinë. “Ministria (franceze) e Punëve të Jashtme u tregua e gatshme të na lejojë të studiojmë despatches e kohëve të fundit nga Tirana, shumicës të të cilave u hodhëm një sy dje, por nuk besoj se ka shumë më tepër informacion të detajuar se sa ajo që është përmbledhur këtu dhe që do ta keni në dispozicion”, shkruan Kafri. Por “Ministria e Punëve të Jashtme e ka të kufizuar materialin e detajuar apo statistikor për Shqipërinë dhe mendon se ajo po shndërrohet nga pikëpamja strategjike në një avanpost i rëndësishëm sovjetik mes Jugosllavisë dhe Greqisë”. Ambasadori amerikan vëren se “francezët mendojnë se në tërësi shqiptarët, në një shkallë të konsiderueshme, mbajnë qëndrim armiqësor ndaj regjimit dhe shfaqen prirje kundër rusëve. Megjithatë, ata janë nën kontroll të plotë dhe nuk ka lëvizje disidente apo rezistence, që mund të ekzistojnë përveçse potencialisht”.
Dokument
Avanpost sovjetik
QËNDRIMI I SHBA-SË NDAJ REGJIMIT NË SHQIPËRI
875.00/4–2949: Telegram
Nga ambasadori (Kafri [Caffery]) në Francë për Sekretarin e Shtetit
TOP SEKRET
PARIS, 29 prill, 1949, ora 19.00
1746. Gjegje telit të Departamentit nr. 1349, datë 27 prill. Ministria e Punëve të Jashtme e ka të kufizuar materialin e detajuar apo statistikor për Shqipërinë dhe mendon se ajo po shndërrohet nga pikëpamja strategjike në një avanpost i rëndësishëm sovjetik mes Jugosllavisë dhe Greqisë, me kontroll të plotë politik, ekonomik dhe ushtarak sovjetik të vendit nëpërmjet 4 000 teknikëve civilë sovjetikë dhe 1 300 ushtarakëve sovjetikë, këta të fundit për të stërvitur ushtrinë shqiptare me një efektiv prej 25-30 000 vetash, e cila po merr pajisje sovjetike në shkallë të gjerë.
Kontrolli politik ushtrohet nëpërmjet regjimit të Hoxhës, njeriut të Moskës Shehu , Ministër i Punëve të Brendshme dhe pasardhës zyrtar i Hoxhës.
Kontrolli sovjetik ekonomik, i cili para se prishjes së marrëdhënieve të Titos me Kominformin realizohej nëpërmjet Jugosllavisë, është total. Të gjithë teknikët jugosllavë janë larguar dhe u zëvendësuan gjithsej me 4 000 rusë. Për më tepër, BRSS ka praktikisht monopolin e tregtisë së jashtme shqiptare, ku me transport detar bëhen, jo vetëm importet e ushqimeve të domosdoshme, pa të cilat do të vuante nga uria, por me sa duket, gjithashtu të plehrave kimike, traktorëve, pajisjeve hekurudhore dhe industriale etj., duke shënuar kështu një orvatje reale, qoftë propagandistike ose të bazuar, për krijimin e një shteti modern tërësisht të varur nga BRSS. Lidhja e rregullt me BRSS përveç me anije, reduktohet në një avion sovjetik një herë në dy javë duke kaluar mbi Jugosllavi, dhe për rrjedhojë duke iu nënshkruar kontrollit të saj.
Kontrolli mbi kulturën dhe arsimin është në duart e BRSS, që zëvendëson Jugosllavinë, e cila zëvendësoi Italinë. Rusishtja është gjuha kryesore e huaj që mësohet në shkolla dhe shumica e studentëve shqiptarë që studiojnë jashtë me shpenzime të shtetit janë transferuar në universitetet ruse.
1 300 oficerëve sovjetikë rezidentë në Shqipëri që kanë për detyrë organizimin dhe stërvitjen e ushtrisë shqiptare duhet t’u shtohet një numri i panjohur forcash rebele greke, të atashuara, të cilat përdorin si bazë territorin e Shqipërisë. Këta të fundit, megjithatë, nuk kanë funksion të brendshëm në Shqipëri.
Francezët mendojnë se në tërësi shqiptarët, në një shkallë të konsiderueshme, mbajnë qëndrim armiqësor ndaj regjimit dhe shfaqen prirje kundër rusëve. Megjithatë, ata janë nën kontroll të plotë dhe nuk ka lëvizje disidente apo rezistence, që mund të ekzistojnë përveçse potencialisht.
Ish-ministri francez Menant tani ndodhet në Francë në pritje riemërimit (ndoshta në Panama) dhe u pasua nga Shartje (Chartier) ish-konsulli i përgjithshëm në Milano, i cili arriti Tiranë në muajin shkurt…
Ministria e Punëve të Jashtme u tregua e gatshme të na lejojë të studiojmë despatches e kohëve të fundit nga Tirana, shumicës të të cilave u hodhëm një sy dje, por nuk besoj se ka shumë më tepër informacion të detajuar se sa ajo që është përmbledhur këtu dhe që do ta keni në dispozicion. Nëse Departamenti ka pyetje specifike besoj se një bisedë me Menant-in (i cili nuk është tani në Paris), do të ishte më produktiv. Do t’ju dërgohet kabllogram lidhur me orvatjen për të kontaktuar z. Uolling (Walling), shtetas amerikan dhe përfaqësues i UNICEF-it në Shqipëri, tani në Francë, si dhe për pikëpamjet e tij, nëse ia arrijmë.
KAFRI, shënime të botuesit amerikan të dokumentit:
1. Materiale shtesë lidhur me qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Shqipërisë janë përfshirë në dokumentacionin mbi Luftën Civile Greke dhe përpjekjet e bashkërenduara për të zgjidhur mosmarrëveshjet midis Greqisë dhe Bullgarisë, Jugosllavisë dhe Shqipërisë, të paraqitura në vëllimin VI.
2. Ne te është shtypur; ambasadës në Paris iu kërkua të merrte në Ministrinë franceze të Punëve të Jashtme mundësisht sa më shpejt informacionin që disponohej nga legata franceze në Shqipëri lidhur me situatën e tanishme ekonomike, ushtarake dhe politike në Shqipëri me detaje specifike për shkallën e kontrollit sovjetik (875.00/4-2749)
3. Gjeneral major Mehmet Shehu, zëvendëskryeministër dhe ministër i Brendshëm, anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i Sekretariati i Partisë së Punës së Shqipërisë.
4. Gjeneral Enver Hoxha, Kryeministër i Shqipërisë, ministër i Punëve të Jashtme, ministër i Mbrojtjes dhe Komandant i Përgjithshëm, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Punës së Shqipërisë (Partia Komuniste e Shqipërisë).
5. Gi Menan (Guy Menant), ministër i Francës në Shqipëri, gusht 1946-dhjetor 1948, në prill 1949 u caktua ministër i Francës në Panama. – See more at: http://shqiptarja.com/dossier/2711/bisedimet-sekrete-shba-shqip-ri-p-r-rivendosjen-e-marr-dh-nieve-diplomatike-421375.html#sthash.03qqGuh8.dpuf