Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Monika Fida: Si kurohen infeksionet e lëkurës?

Në stinën e verës, gjatë frekuentimit të plazheve dhe pishinave shqetësimet më të shpeshta që hasen janë infeksionet dhe myku në lëkurë. Mjekja dermatologe në QSUT, Dr. Monika Fida thotë se, “personat e prekur nga këto infeksione, duhet të shmangin frekuentimin e plazheve dhe pishinave deri në shërimin e tyre, kjo jo vetëm që të mos përkeqësojnë situatën dhe të parandalojnë komplikacionet e këtyre patologjive, por pakësojnë edhe rrezikun e përhapjes së këtyre patologjive tek individët e tjerë”.
Dr. Fida shprehet se infeksionet e lëkurës janë një grup patologjish që kanë një incidencë të shpeshtë dhe prekin një kontigjent të konsiderueshëm personash gjatë stinës së verës. Frekuentimi i plazheve publike dhe ndotja në këto ambiente janë arsyeja kryesore e shfaqjes së këtyre patologjive. Kontakti i drejtpërdrejtë me faktorët shpërthyes: stafilokoku dhe streptokoku (mikrobe patogjenë), si dhe funge të ndryshëm, që ndodhen në ujin e detit e të pishinave. Sipas mjekes dermatologe, sëmundja shfaqet atje ku gjen terren të përshtatshëm në kushte të një higjiene personale jo të mirë dhe varet nga sistemi imunitar, i cili gjatë ekspozimit në temperatura të larta tenton të dobësohet dhe për pasojë individët preken më lehtë nga mikrobe të ndryshme, që qarkullojnë në mjedisin e jashtëm.
Cilat janë këto grup sëmundjesh dhe çfarë rreziku mbartin?

Këto sëmundje janë infeksionet strepto-stafilokoksike, sëmundje mykotike të lëkurës. (impetigo contagiosa, pitiriasis versicolor, etj).

Së pari, rreziku qëndron në faktin se janë sëmundje ngjitëse. Ato mund të transmetohen lehtë nëse nuk respektohen kushtet higjieno-sanitare, të tilla si përdorimi i të njëjtit peshqir, përdorimi i veshjeve personale dhe shapkave e sandaleve personale, etj, dhe sigurisht nëse këta shkaktarë patogjenë gjejnë terren të përshtatshëm për t’u shfaqur. Veç kësaj, mund të ndodhë që sëmundja të përhapet dhe të japë komplikacione që kërkojnë trajtim më të gjatë dhe shenjat të bëhen më të rënda.

Kur duhet të drejtohemi tek mjeku?
Rekomandohet që tek mjeku specialist duhet të drejtoheni menjëherë, sapo shfaqen elementët e parë të sëmundjes në lëkurë, në mënyrë që të parandalohet përkeqësimi i sëmundjes, përhapja, të shmanget kronicizimi i saj si dhe komplikacionet. Fillimi i terapisë shmang dhe transmetimin e infeksionit tek personat e tjerë.

Nëse infeksionet shfaqen çfarë rekomandohet për kurimin e tyre?

Mjekimi për këtë grup sëmundjesh është kompleks në varësi të sëmundjes, shkallës së agravimit, përhapjes së saj dhe sigurisht trajtimi është individual, pasi ndikon shumë faza të kapjes së sëmundjes. Kështu nëse drejtohemi tek mjeku dermatolog në fazat kur sapo janë shfaqur elementët e parë, mjekimi bëhet vetëm lokalisht. Por nëse gjendja është e përkeqësuar, mjekimi shoqërohet me përdorimin e antibiotikëve dhe antimykotikëve oral. Gjithsesi është vetëm mjeku specialist ai që përcakton skemën e mjekimit.

A shërohen këto patologji plotësisht?
Nëse këto sëmundje kapen dhe trajtohen në kohë, mund të kurohen mjaft mirë brenda pak ditësh. Por nëse nuk eleminohen agjentët shkaktarë dhe nuk ruhet një higjienë e mirë, atëherë sëmundja mund të rishfaqet, të riakutizohet dhe të kërkojë trajtim nga e para. Këto janë grup-sëmundjesh që nuk lënë imunitet, prandaj duhet të tregohet një kujdes i vazhdueshëm sepse mund të përsëriten.

Disa këshilla se si mund të mbrohemi ndaj infeksioneve të lëkurës gjatë frekuentimit të plazheve e pishinave:
Këshillat përkojnë me shmangien sa më shumë të mikrobeve patogjenë që shkaktojnë këto grup sëmundjesh, pra stafilokok, streptokok si dhe funget që mund të hasen kryesisht në rërën e ndotur, në ujin e pishinave dhe detin e ndotur. Rekomandohet të përdoren peshqirët personalë në mënyrë që të shmanget kontakti i drejtpërdrejtë me rërën dhe shezlongëve me lëkurën. Peshqirët është mirë që të lahen çdo ditë pas frekuentimit të plazhit. Rekomandohet që sapo të dilni nga uji i detit apo i pishinave, të shpërlani menjëherë trupin me ujë të pastër, të ëmbël dhe veçanërisht në shtëpi të aplikohet larja e trupit me sapun ose shampo trupi, pra jo vetëm me ujë të rrjedhshëm. Ekspozimi për një kohë të gjatë dhe i papërshtatshëm ndaj agjentëve shkaktarë shoqërohet me rritje të rrezikut për shfaqjen e këtyre sëmundjeve të lëkurës.
Rekomandohet të shmanget frekuentimi i plazheve dhe pishinave në rast se shfaqen sëmundje në lëkurë deri në shërimin e tyre dhe kjo jo vetëm që mos të përkeqësojmë situatën dhe të parandalojmë komplikacionet e këtyre patologjive, por të pakësojmë edhe rrezikun e përhapjes së këtyre patologjive tek individët e tjerë.

Shërbimi i Dermatologjisë

Shërbimi i Dermatologjisë-Venerologjisë është i vetmi shërbim i specializuar për trajtimin e sëmundjeve infektive të lëkurës me një kapacitet prej 40 shtretërish, 30 prej të cilëve shërbejnë për të rriturit dhe 10 shtretër për moshën pediatrike. Në këtë shërbim hospitalizohen dhe trajtohen të sëmurë me patologji të rënda të cilët kanë nevojë për ndjekje spitalore. Në vitin 2010 është hartuar me profesionalizëm “Udhërrëfyesi i protokolleve të trajtimit të sëmundjeve dermatologjike”.

Ndër figurat e rëndësishme të mjekësisë Shqiptare të cilët kanë punuar dhe kanë dhënë kontribut pranë këtij shërbimi kanë qenë Prof. Kadri Kërçiku, Prof. Shyqyri Basha, Prof. Mantho Nakuçi, Prof. Florika Ndoni, Prof. Fabiola Ndoni.

Stafi i shërbimit:

Në strukturën e shërbimit të dermatologjisë punojnë:

  • 9 mjekë (4 mjekë pedagogë dhe 5 ordinatorë)
  • 1 kryeinfermiere, 12 infermierë terapie dhe 6 sanitare.

Personeli mjekësor:

Prof.Ass. Ermira Vasili

Dr. Alert Xhaja

Dr. Artan Dafa

D.Sh.M. Entela Shkodrani (Haxhiymeri)

D.Sh.M. Etleva Jorgaqi (Cekici)

D.Sh.M. Loreta Kuneshka

Dr. Migena Vargu

Dr. Monika Fida

Dr. Violeta Dajci

/M.Dani/

Please follow and like us: