Fleckenstein: Nuk përjashtoj mundësinë e një koalicioni PD-PS pas zgjedhjeve
Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein, ka shprehur kënaqësinë për arritjen e marrëveshjes politike në Shqipëri.
Në një intervistë për ABC News, Fleckenstein ka folur për marrëveshjen Rama-Basha, ku thekson se kjo marrëveshje nuk i intereson fare, me rëndësi zhvillimi i zgjedhjeve.
Pjesë nga intervista
Si e shihni ju marrëveshjen Rama-Basha? A mori Basha më shumë se ç’pritej, apo Rama lëshoi më shumë pe për të qëndruar në pushtet?
Nuk më intereson fare. Vërtet nuk më intereson. Nëse Kryeministri dhe lideri i opozitës gjetën dakordësi për mënyrën se si të zhvillojnë zgjedhjet e përgjithshme dhe për të gjitha elementet e nevojshme që paraprijnë zgjedhjet, unë jam i kënaqur me këtë. Jam shumë i lumtur, që McAllister, Lee dhe ndoshta dhe unë kontribuuam për këtë rezultat, pro në fund, ishin 2 bosët që vendosën se si do të vijojnë. Ky është një hap pozitiv dhe shpresoj që një dakordësi e tillë të arrihet pa asistencën tonë herën e ardhshme.
Flitet që mund të ketë një koalicion midis Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike pas zgjedhjeve. A është Shqipëria gati për koalicione të mëdha të qeverisjes së të majtës dhe të djathtës siç e kemi parë në vendin tuaj Gjermaninë, apo në Francë pas zgjedhjes së Presidentit Macron?
Për mua, koalicionet e mëdha janë gjithnjë një përjashtim, edhe pse në Gjermani u bënë vite që vendi qeveriset nga një koalicion i madh. Nëse nuk do ketë asnjë alternativë tjetër për koalicion, atëherë një koalicion i tillë i madh, qoftë dhe teorikisht, mund të formohet. Pse jo?
Do jeni pjesë a misionit vëzhgues të PE-së në Tiranë?
Jo, nuk do jem, por di që ka shumë kolegë që do shkojnë atje dhe jam i sigurt që ata do bëjnë një punë të mirë. Unë do jem i lumtur të pres rezultatin dhe pastaj ne do vazhdojmë punën për integrimin e Shqipërisë në BE.
Prioriteti juaj permanent ka qenë Reforma në Drejtësi, me fokus zbatimin e procesit të Vetting-ut. A jeni i kënaqur me fillimin e punës së Komisionit ad-hoc ?
Jam i kënaqur që një nga prioritetet e Kryeministrit ishte zbatimi i Vetting -ut dhe kjo ka filluar. Nuk ka dyshim që pas zgjedhjeve, puna për Vetting-un do vazhdojë. Kjo ishte dhe është parakusht për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe ne do të nxisim që kjo të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur.
A mendoni se ka garanci të mjaftueshme për zgjedhje të lira dhe të ndershme?
Nuk e di nëse një kompromis i tillë ishte i nevojshëm, por tani që edhe partitë e opozitës shohin që kjo mund të arrihet, nuk kam se si ta shoh ndryshe.