Hoxhaj e Çitaku i reagojnë Vuçiqit: Kosova, kurrë pjesë e Serbisë
Ministri i Jashtëm në Qeverinë në largim të Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka bërë betimin njësoj, sikurse edhe paraardhësit e tij, duke u mbështetur në mite.
“Kosova kurrë nuk do të jetë pjesë e Serbisë. Betimi i Vuçiqit, jo vetëm që është jo i vërtetë dhe i parealizueshëm, por ai dërgon mesazhe negative gjithë rajonit se Serbia edhe më tutje jeton në mite”, ka shkruar Hoxhaj në Twitter.
Ndërkaq, ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku në një reagim rreth betimit të Vuçiqit në postin e presidentit të ri të Serbisë, ka shkruar se fjalimi i Vuçiqit në Kuvendin e Serbisë nuk dallon shumë nga ato të radikalit, Vojisllav Sheshel.
“Gjatë ceremonisë së dhënies së betimit, presidenti i Serbisë ka thënë se do të luftoj që ta ruaj Kosovën si pjesë të Serbisë. Në cilën botë jeton ai?”, ka shkruar Çitaku në Twitter.
Të mërkurën, Aleksandër Vuçiq, ka bërë betimin për president, i përcjell nga protestat opozitare të cilat kundërshtuan inaugurimin e tij.
Ai ka pasuar presidentin në largim, Tomisllav Nikoliq.