Ilnisa Agolli: A kanë një blerës këto pasarela?
Mbrëmë ishte përvjetori i Ami Event. Për shumë, ky 10-vjetor ishte një përvjetor magjik, nga ata që vipat, duke pushtuar qendrën e Tiranës, kishin mundësi të shpërfaqin dhe tangërllepsjen e radhës. Se e di? Mezi priten ndonjëherë evente gala të kësaj natyre. Më shumë se kopsitja e kureshtjes për koleksionin e fundit të një bote dasmash, paraqitur me shumë përkushtim nga ana e Ermalit dhe Amit, në fakt realiteti grishte një tjetër botë. Atë të një vitrine të madhe, një butiku gjigant në sallonin e të cilit të vërdallisej kokës vetëm një pyetje e madhe: Cilët janë shitësit dhe cilët janë blerësit?
Në këtë qytet të vogël, ku të gjithë njihemi me të gjithë dhe ku të gjithë spiunojmë të gjithë nëpërmjet teknologjive të fundit, ‘’përshendetjen’’ nuk e vesh askush. E pse duhet, tekefundit? Ne kemi ç’veshim. Ne marrim me qira gjëra më ‘glamour’ se kultura.
Por kulturën nuk mund ta zhveshim me inat, as t’i hedhim pak parfum apo krehim në parukerinë më të afërt, sepse në fund të ditës, fallcitetin, në mos vetes apo të tjerëve… ta njeh jastëku.
Me mënyrën se si visheshin burrat dhe gratë e vendit tonë, evropianët u njohën në shek XIX. Pra, pasarela e parë me veshje shqiptare shëtiti salloneve të Evropës më 1822, nga ku moda shqiptare, nëpërmjet kostumeve popullore, krijoi tablonë e saj. Të gjithë e mbajmë mend tablonë e Bajronit realizuar në Londër në studion e piktorit Thomas Phillips, kostumi i të cilit në fakt ndikoi për shumë vite në mjediset artistike. Por ishte një tjetër kohë, një tjetër botë dhe një tjetër erë atëherë. Po tani çfarë ndodh?
Fjala vjen: kostumet e natës së shkuar për çfarë ndikojnë, për kë ndikojnë dhe si?
Një tjetër paralele është dhe fotografia e famshme e Sophia Loren me shikimin po aq të famshëm që i hedh Jayne Mansfield në një natë ‘glamour’ Paramount në 1957.
A s’të vjen për të qeshur nëse i kombinojmë të dyja këto me ralitetin tonë. Sepse nuk bëhet fjalë vetëm për një natë, por për çdo ditë me atë çka ndodh dhe paraqitet rrugëve të kryeqytetit.
Realiteti vazhdon të jetë i trishtë, pra! Ti nuk vishesh për veten. Ke kohë që s’e bën! Po për të tjerët, aq më tepër në evente ku nata merr çehre komike dhe ndërsa sytë janë të gjithë tek ti… sapo hyn u detyrohesh t’i buzëqeshësh fotografëve ashtu, nën këmbë që të vrasin dhe fustan aspak komod, sepse i mëshon qëllimit: të shesësh shtirje vitrinës.
Një shtirje që të ka kushtuar ca para në fakt. Por je vip tashmë! Dhe një vip shqiptar e manaxhon mirë moskomoditetin, sepse është gjithmonë në kërkim të një blerësi.
Por cili është ky?
Gjithsesi, ishte një mbrëmje e bukur. Me kukulla të bukura nga ku prej vitrinës së Meduzës i thanë dhe një herë njerëzve: ‘’ Robërohuni. Sepse ne… zor se heqim dorë vullnetarisht nga kënaqësia e magjepsjes.’’
Po deri kur?
Derisa të dalë një Cincinnatus (burrë shteti romak në shek.V para erës sonë që mbahej si model virtyti).