Sadik Bejko: Rebelët e rinj në PD-në e vjetër
Reagimi i zonjës Topalli ishte në përputhje me staturën e saj prej zonje të fortë të politikës.
Sipas saj, kjo PD e listës së Bashës nuk është më PD e 1990-ës. Historia e kësaj Partie na thotë se në PD flakjet poshtërsisht nga politika kanë qenë normë. PD nuk ka qenë prej kohe parti e ’90-ës, por parti personale e Berishes, e Njëshit. Sipas saj, Basha nuk ka respektuar strukturat, statutin. Njëshi statutin e PD e ka pasur si paçavure.
Zonja Topalli dhe të tjerët i kanë ditur këto dhe, deri sa ata nuk prekeshin, nuk ndiheshin.
PD ka pasur Meksin, Arbnorin, L. Toton, A. Spahinë, Zhulalin etj, etj… të gjithë të flakur. Disa prej tyre dhe vdiqën shpejt (mbase nuk e gëlltitën flakjen si leckë).
Këta burra e gra që sot flasin si të përjashtuar duhet ta dinë mirë se si u zgjodh Basha. Atij (Olldashit) që për të u bë kurban… mbase po i lëvizin eshtrat andej matanë. Thuhet se një femër që ishte me të kur vdiq, nuk foli kurrë. Motër-ministri, ish-grua ministri ajo u respektua më shumë se ai që vdiq. Këta karrigethyerit i dinë gjërat po nuk flasin. E kanë pranuar që politika e përfshin edhe këtë aspekt (vdekjen), jo vetëm shkelmin në prapanicë.
E ashpër kjo politika, ashtu me zemër të ashpër si vetë zonja Topalli.
Dhe… dhe këta të përjashtuarit e mëparshëm, të 1990-tës, (Topalli s’ ka qenë e ’90-tës) nuk u ngritën të kërkojnë rrëzimin e kryetarit… në ditët e fushatës.
Nëse ndodh që nga këta karrigethyer si zonja Topalli, në se ndodh që prej tyre (siç pretendojnë) të rrëzohet kryetari Basha, të flaket nga politika Berisha… atëherë mund të themi se PD pa këto dy figura, është PD e re.
Derisa kjo nuk ka ndodhur, karrigethyerit e rinj kot ankohen. PD e Bashës është në traditën e PD-së së vjetër, e liderit të vjetër, e ligjit të vjetër…