Albspirit

Media/News/Publishing

Kastriot Dervishi: Regjimi komunist dhe katostrofa e arkivave të Shqipërisë

Kryeministri deklaroi në një takim me zgjedhësit në Lezhë se Enver Hoxha i kyçi në kasafortë dokumentet e pronave dhe nuk i preku. Meqë ka vite që merrem me historikun e arkivave në Shqipëri e quaj me vend të sqaroj diçka në lidhje me këtë çështje. Në këto vite të tranzicionit është përhapur një opinion i gabuar sikur regjimi i Enver Hoxhës ishte diktatorial, por ruajti dokumentet e trashëguara, madje kryeministri tha se i “kyçi në kasafortë”. Jo atëherë, por as sot e kësaj dite shteti shqiptar nuk ka ende infrastrukturën më minimale në drejtim të arkivave.
Në vitet 1944-1964 rrjetor arkivor i Shqipërisë kaloi një prej tragjedive më të pashembullta në histori, kur një regjim banditësh dhe injorantësh e shkatërroi tërësisht atë. Janë dëmtuar e asgjësuar miliona dokumente me vlerë shumë të rëndësishme për historinë e vendit dhe vetëm pas vitit 1964 filloi sistemimi i atyre çka tepruan nga kjo masakër. Kanë marrë jugosllavët sa kanë dashur, kanë marrë sovjetikët, po ashtu kushedi sa dokumente origjinale janë përdorur si ambalazh për qoftet në pazar, etj. Vetëm në 12 magazinat e Durrësit, “ekspertizën” e dokumenteve në vitet ’50 e bënin disa hamej që i trajtonin dokumentet bashkë me letrën karton, gëlqeren, marmalatën, etj. Konkretisht, regjimi komunist shkaktoi këto dëme:
-Shkatërroi, dogji, ngatërroi, prishi, etj, të gjitha dokumentet që ndodheshin në sekretari-arkiva.
-Hoqi nga puna gjithë arkivistët dhe i zëvendësoi me militantë dhe analfabetë.
-Prishi sistemin e administrimit të tyre.
-Shiti për letra të vjetra, duke i dërguar në Jugosllavi e vende të tjera nëpërmjet magazinave të Durrësit dhe Vlorës dokumente me mjaft rëndësi, etj.
Nëse ky regjim nuk do hiqte nga puna tërësisht gjithë arkivistët, nuk do vinte në krye të tyre injorantët, si dhe do investonte në rrjetin kombëtar të arkivave, gjendja sot do ishte shumë herë më mirë, edhe për çështjet e dokumenteve të pronësisë.
Një shtet nuk ngjan fare si shtet kur prek themelin e vet që janë arkivistët. Çdo prekje e këtij themeli e rrëzon ngrehinën e shtetit, sado që të lyhet e bojë e të mbahet me propagandë. Edhe sot Shqipëria është qindra vite larg së qeni shtet normal në këtë drejtim sepse harxhon energji dhe fonde për autoritete të kota e nuk investon atë që e ka detyrim ligjor dhe kombëtar për arkivat.

Please follow and like us: