Albspirit

Media/News/Publishing

Kjo nuk është Shqipëria që duam, Z. Kryeministër

Frank SHKRELI*

Më poshtë është një fotomontazh i hedhur të mërkurën në fejsbukun e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Unë e dija se politika shqiptare ka rënë në nivelin më ultë moral që mund të bjerë, por ky fotomontazh mund t’ua kalojë të gjithave që kemi parë deri më sot gjatë fushatave politike dhe jo vetëm — të pakën kur të merret parasyshë burimi nga vjen. Vjen nga Zyra e Kryeministrit! Pra, fotomontazhi nuk është vendosur në fejsbuk nga ndonjë kundërshtar politik vendor i pa përvojë i Dr. Halim Kosovës, ose nga ndonjë analist e komentues që do të shpreh mllef, por nga Kryeministri i vendit, i cili duhet të jetë shembull morali e tolerance për të gjithë, e sidomos për të rinjtë e të rejat e vendit, të cilët nuk besoj se duan që fushatat politike të zhvillohen në këtë mënyrë. Çdo të thotë Kryeministri shqiptar me këtë fotomontazh të shëmtuar: se shqiptarët të cilëve u shërben Dr. Kosova qenkan kafshë. Se nënat shqiptare që lindin fëmijë na qenkan çfarë, lopë???!!!!, Z. Kryeministër? Cili është mesazhi i tij? Paske ra poshtë pa nevojë, Z. Rama. Ky fotomontazh nuk të nderon ty as familjen, as nuk nderon partinë që përfaqëson, por mbi të gjitha nuk nderon as Shqipërinë dhe as shqiptarët. Kjo nuk është fushata që dëshirojnë shqiptarët dhe kjo nuk është as Shqipëria që ata duan dhe njohin. Shqiptarët kudo që janë, dinë një moral dhe diskurs tjetër shoqëror e politik, e jo të këtij lloji që po përhapet në fejsbuk nga ju kundër Dr Halimit. Përveç mungesës së ndjenjave njerëzore dhe politike të një burrshteti, hipokrizia e juaj e madhe Z. Kryeministër shihet në mesazhin më poshtë fotos denigruese, në fejsbukun tuaj kundër Dr. Halimit. Në një tjetër fotomontazh të Kishës së Shnanout shkruani lidhje me vizitën tuaj më heret atë ditë në Lezhë: “Sipas Marubit, kjo foto e 1930 shfaq “kishën e Shnanoit të fretënve françeskanë në Lezhë. Pasi dhe nën gërmadhat e një stili të pastër romanik, dëshmohet pasuria fantastike dhe shpirtërore e hinterlandit të Lezhës dhe Laçit, djep i historisë kombëtare dhe qendër kryesore e Motit të madh të Arbërit”.

Me cilin Kryeministër të Shqipërisë kemi të bëjmë, me atë që postoi fotomontazh fyese kundër Dr. Kosovës apo me Kryeminsitrin morlaist që postoi fotomontazhin e Kishës së Shnandout të rrënuar duke venë në në dukje “moralin fantastik” të atyre zonave. Fotomontazhi fyes me mbishkrimin tuaj, “Halim Kosova i Bashkohet Kërkimit të PD për Knadidatë”, në fejsbukun tuaj zyrtar kundër Doktorit të nderuar të Tiranës nuk përputhet aspak me atë, “pasurinë fantastike shpirtërore të hinterlandit të Lezhës dhe Laçit, djep i historisë kombëtare dhe qendër kryesore e Motit të madh të Arbërit”, siç e cilësoni ju, me të drejtë.

E kundër kujt e bëni këtë, Z. Kryeministër? Kundër një personi i cili ndryshe nga të gjithë politikanët shqiptarë të këtyre 25-viteve të fundit, në fushatën e tij për kryetar bashkie të Tiranës dy vjetë më parë, mbrenda mundësive të tija, Dr. Kosova u përpoq të sillte një qytetërim politik në fushatën e tij, duke respektuar mendimet dhe qëndrimet ndryshe të të tjerve, përfshirë kundërshtarin e tij politik. Ai në të vërtetë përcaktoi tonin se si duhet të zhvillohet një fushatë politike, në një vend që e quan veten demokratik. Fatkeqsisht, zëri i tij ishte një zë që nuk u dëgjua nga profesionistët politikë si ju dhe të tjerë politikanë të karjerës, një zë që po të ndiqej mund të përbënte një fillim të ri në politikën shqiptare, ndryshe nga mesazhi që jepni ju, Z. Rama me fotomontazhin në fejsbukun tuaj. Kjo që po bëni ju me këtë mesazh nuk është fushatë ndaj një kundërshtari politik por është një përpjekje për të poshtëruar një njeri të ndershëm – që të tillë e njeh gjithë Tirana — dhe po ofendoni një profesion të ndershëm, atë të mjekut, dhe njëherazi ofendoni edhe njerzit që ai u shërben si mjek.

Po i bini Dr. Kosovës se ai nuk është politikan i tipit të politikanëve shqiptarë. Ai me fushatën e tij për kryetar bashkie mënjanoi dhe i ndejti larg pikërisht kësaj lloj fushate fejsbuku që kini ndërmarrë ju kundër tij. Dr. Kosova humbi zgjedhjet me atë rast, por doli fitues, si indivd dhe si politikan, por edhe si mjek, shërbëtor dhe kujdestar i shëndetit të popullit të tij, të cilit i është betuar se do t’i shërbejë. Është ky një betim shumë më serioz dhe më i ndershëm dhe i moralshëm se betimi i politikanëve për t’i shërbyer popullit.

Për Dr Kosovën është më e ndershme të jetë në shoqëri të burrave të ndershëm e madje edhe i vetëm, edhe nëqoftse humbet zgjedhje, se sa të bëhet pjesë e këtij diskursi imoral politik. Nuk e di nëse e mbani mend, Z. Kryeminsitër, por Dr. Kosova kishte paralajmëruar gjatë fushatës për kryetar bashkie të Tiranës se nqëoftse do fitonte, ai do të bashkpunonte me ju, me Kryeministrin e vendit, kundërshtarin e tij politik, por ai nuk u konsideori ju si armikun e tij. Kjo më pat pëlqyer dhe Dr. halimi është për tu përshëndetur nga të gjithë për këtë qëndrim dhe shembull. Fushata e Dr. Kosovës ishte një freski në atmosferën e vrazhdë, intolerante e shpesh fyese të politikës shqiptare, pasqyrim i të cilës është fotonintazhi në fejsbukun tuaj, Z. Kryeministër. Në atë kohë, qe vlerësuar se ndoshta fushata e Doktor Kosovës për kryetar bashkiak të Tiranës do të shënonte një hap përpara në diskursin, pak më të civilizuar politik shqiptar, por jo. Ja ku e hodhët ju diskursin politik Z. Kyreminsitër me postimin e këtij fotomontazhi. Është për të ardhur keq.

Kombi shqiptar ka nevojë për një diskurs të qytetëruar dhe për një tolerancë politike ndaj kundërshtarit, ashtu siç dha shembull Dr Halim Kosova gjatë fushatës së tij në zgjedhjet për kryetar bashkie të Tiranës, dy vjetë më parë. Ju Z. Kryeministër mund të jepni, menjëherë, një kontribut në këtë drejtim duke hequr fotomontazhin fyes nga fejsbuku juaj dhe t’i kërkoni falje Dr. Halim Kosovës. Të kërkuarit falje është një “pasuri fantastike dhe shpirtërore”, jo vetëm e hinterlandit të Lezhës e Laçit, por duhet të jetë e të gjithë shqiptarëve kudo, përfshirë në rend të parë udhëheqsit e vendit. Natyrisht, është pasuri shpirtërore për ata që besojnë në shpirt. Kërko falje! Sepse kështu do të vepronin burrat e vërtetë të hinterlandit të Shqipërisë! Fotomontazhi denigrues dhe i pa moralshëm, i postuar në fejsbuk-un tuaj kundër Dr. Halim Kosovës nuk përfaqëson Shqipërinë që duan shqiptarët, kudo ata gjënden.

*Ish Drejtori i VOA- s për EuroAzinë

Please follow and like us: