Albspirit

Media/News/Publishing

Klodeta Dibra: Ode për frutin e shegës

…Shega është një zemër
që rreh mbi të mbjellat,
një zemër e zemëruar
ku nuk çukisin zogjtë,
një zemër që nga jashtë
është e fortë si zemra njerëzore
por i jep atij që e tejshpon
erëmimin dhe gjakun e majit.
Shega është thesari
i qenies përrallore të lëndinës,
është ai që foli me Trëndafilin e vogël,
në pyllin e vetmuar.
Ai me mjekrën e bardhë
dhe cohën e kuqe.
Është thesari që ende ruajnë
gjethet e gjelbërta të pemës.
Sënduk i gurëve të çmuar
në angrra prej floriri të mugët…

Por shega është gjaku,
gjaku i shenjtë i qiellit,
gjaku i tokës së plagosur
nga furia e rrëkesë.
Gjak i erës që vjen nga mali i palatuar i gërvishtur.
Gjak i detit të paqtë,
gjak i liqenit dremitës.
Shega është parahistoria
e gjakut që ne kemi,
përfytyrimi i gjakut, i mbyllur
në rruaza të forta dhe të athta,
që ka një formë të mjegullt
prej zemre e prej kafke.

O shegë e çarë, ti je
një flakë mbi pemë,
motër gjaku e Venerës,
buzëqeshja e kopshtit sqimatar.
Të vijnë rreth fluturat
pasi të besojnë një diell të palëvizshëm
dhe nga frika se mos digjen
rrëshqasin krimbat

Sepse je drita e jetës,
princesha e frutave.
Ylli i shndritshëm i pyllit
i rrëkesë së dashuruar…
(Federico Garcia Lorca, Ode alla melagrana)

Please follow and like us: