Albspirit

Media/News/Publishing

Klodeta Dibra: Pasqyra e ndërgjegjes

A e ke pyetur, shkurtazi, veten…
Kush je ti?
Në agun e një dite të acartë e qiellpastër,
i ngulur u gjenda
duke u këqyrur në pasqyrë.
Papritmas,
vura re një tjetër shëmbëlltyrë
… jo shëmbëlltyra ime!
I tronditur e mosbesues për ç’ka po m’ndodhte,
u afrova edhe më,
duke provuar shumë herë
të bëja nojma,
e ndërsa dalloja se në imazhet e pasqyruara
ajo (shëmbëlltyra) nuk përsëriste lëvizjet e mia
në kohë reale.
Qëndronte e patundshme,
e panjohshme,
mbeta i prekur
nga kjo dukuri e mahnitshme.
E megjithatë veç unë isha.
Si, vallë, është e mundur e gjitha kjo?
Në një dekikë mora zemër,
duke u orvatur t’i flas
dhe e pyeta:
“Kush je?
Nga vjen?
Çfarë do nga unë?”.
Papandehur, si me magji,
shëmbëlltyra zuri të lëvizë,
duke m’u përgjigjur me zë të hollë
e të pështjelluar.
“Nuk, nuk po m’njeh?”
m’u gjegj!
“Jo”, ia ktheva! “Kush je?”
“E megjithatë
unë jam brenda teje
që nga dita e lindjes tënde.
A është e mundur mos t’më njohësh?
Unë jam ai që jam,
ndërsa ti je ai që jam unë,
pasqyra e ndërgjegjes tënde,
e shpirtit tënd,
që jeton pa pushim
brenda teje,
dhe që nuk t’braktis kurrë.
Mbaje mend se,
kur një ditë gjithçka do jetë fshirë mbi këtë tokë,
do zgjohesh në një tjetër botë,
ku nuk do ketë as ditë e as natë,
as agim e as perëndim.
Dhe s’bashku do t’mbajmë barrën e rëndë të kësaj toke
që na bujti për kohë të gjatë,
duke përsiatur e njohur fajet tona.
Gjithçka do t’lësh…
andrrat, lavditë, pasuritë,
mjerimet, dhimbjet, kënaqësitë,
padrejtësitë, të vërtetat.
Të gjitha tok
do varrosen përjetësisht me ty.
Pra…
dëgjoje zërin e ndërgjegjes tënde,
e shpirtit tënd,
deri sa kohë jetësore t’kesh,
sepse
ndërgjegja një ditë vdes,
por shpirti jo!
Ai
do mbetet i amshueshëm
në pavdekësi.


(Carmelo Fiore, “Lo specchio della coscienza”)

Please follow and like us: