Vaid Hyzoti: Adoleshenca
Si erdhi aq shpejt dhe kurrë nuk po ikën,
Një dunë rërë në shkretirë më mbeti adoleshenca…
Veç dielli gjithnjë s’harron ta veshë me dritë,
Ndonëse jam urdhëruar:
Të piqem nga jeta!
Pse kujtoj me mall të gjithë çmenduritë,
Kur gjithnjë mendoja vetëm për femra?
Ende s’e di ku gjeja energjitë:
Vinin nga mishi,
Vinin nga zemra?
Isha fatkeq: gjithë vajzat që njoha
Qëlluan të çmendura si unë…
Më jepeshin shpejt (ndofta kurioze)
Dhe kishin dëshirë
Të putheshin shumë…
Dhe vonë kur shkoja në shtëpi,
Librat e detyrat flinin tek sirtarët:
S’di si e kuptonin prindërit e mi,
Mallkonin “buçat”
Dhe mua me “zagarët”!
Dhe besonin se vitet e ardhshme
Do ishin kurë për adoleshencën time…
Fundja gjithkujt i jepet jeta
Vetëm të shlyej
Të tijat gabime!
Por kanë kaluar mbase tre dekada,
Prapë adoleshenca më vjen e plotë…
Mbase do të kem jetë të gjatë,
Ose “i papjekur”
Do iki nga kjo botë!