Balerina shqiptare, drejt ‘American Ballet Theatre’ në Nju Jork
Xhesika Gjonikaj u shfaq së fundmi para publikut shqiptar në “Trokitje, ferr a parajsë”, një pluri-shou i Arian Sukniqit. Balerina 19-vjeçare shqiptare ka studiuar në shkollën e baletit në Tiranë për 6 vite dhe 2 vitet e fundit i ka përfunduar në shkollën e Baletit të Vjenës (Wiener Staasoper Balletakademie).
Tanimë i është dhënë mundësia të bashkohet me një nga kompanitë më të mëdha në botë, siç është “American Ballet Theatre” në Nju Jork. Që prej 1940-ës, kjo kompani ka performuar në teatrot më të mëdha në të gjithë botën, duke krijuar “një traditë të pasionit e risisë, që tejkalon kufijtë kulturorë dhe prek shpirtrat e dashamirësve të baletit”.
“American Ballet Theatre”, prej vitit 2006 është njohur nga Kongresi Amerikan si “Kompania kombëtare e Baletit në Amerikë” dhe ka një sezon 8-javor në “Metropolitan Opera House” në pranverë e një sezon më të shkurtër në teatrin “David Koch”, ndërsa pjesën tjetër të vitit bën ture nëpër botë.
“Si shqiptarja e parë që bëhem pjesë e kësaj kompanie, kisha dëshirë që ta përfaqësoja Shqipërinë në mënyrën më të mirë të mundshme”, thotë Gjonuikaj. Ajo tregon se e ka ndihmuar shumë mjeshtri Leonard Ajku, i cili “më ka ushtruar dhe mësuar shumë për teknikën amerikane, ndryshe nga ajo europiane dhe lidhjen e ngushtë që kam me Ajkun, ‘Media Arts’ në Nju Jork. Kjo më shtyu që të provoja në ‘American Ballet Theatre’ dhe të arrija të futesha brenda si një artiste profesioniste”. Për balerinën e re, këto janë vetëm fillimet, por duket se i japin drejtim drejt karrierës dhe suksesit.
Vetë balerina ka dëshirë të kërcejë rolet më të mëdha të baletit dhe shpreson të jetë sërish e ftuar për të kërcyer në Shqipëri.
“Shfaqja e fundit ishte ‘Trokitje, Ferr a Parajsë’ me koreografi të Arian Sukniqit. Ishte një ndër shfaqjet më me cilësi në Shqipëri dhe isha shumë me fat që pata mundësi të marr pjesë e të kërcej me artistë të njohur”, thotë ajo. Në Vjenë, (në shkollë) ka kërcyer në shumë balete si “Liqeni i Mjellmave”, “Don Kishoti”, “Le Corsaire” etj.
Kur pyetet për ndryshimin mes shkollës shqiptare dhe asaj në Vjenë, Xhesika Gjonikaj thotë se “shkollat jashtë janë më të avancuara nga ana teknike dhe mësimdhënia, por gjithsesi bazat merren që në fillimet e para. Unë jam mirënjohëse që pata mundësinë t’i mësoj ato hapa në shkollën e baletit në Tiranë”.