Boronica, antioksidanti më i madh në 40 lloje pemësh
Në mes 40 llojeve të ndryshme të pemëve dhe perimeve, boronicat (Vaccinium myrtillus) paraqesin burimin më të pasur të antioksidantëve.
Për këtë, më shumë kanë meritë antocianinet, të cilët i japin ngjyrën e saj karakteristike këtij fruti malor. Shumë hulumtime kanë treguar që lëngu i boronicave është ilaç i përkryer kundër anemisë, që boronica ngadalëson procesin e plakjes, përmirëson funksionimin e shikimit dhe qarkullimit të gjakut, ndalon fazat fillestare të zhvillimit të karcinomës.
Frutat e kësaj bime, origjina e së cilës është në Amerikën Veriore, e cila në formën e egër rritet në tokën me lagështirë të moderuar të pyjeve gjetherënëse të ahut, përmban acide organike, veçanërisht të mollës dhe të limonit, pastaj sheqer, taninë pirokatehinike, vitamina C dhe B, karotinë, proteina, vajra yndyrore.
Përveç frutave, edhe gjethet e boronicës janë shëruese, sepse janë minierë e vërtetë e mineraleve të kaliumit, natriumit, manganit, kromit, hekurit dhe bakrit. Po ashtu janë të pasura me vitaminë C, acide organike, saponinë, sheqer dhe taninë. Për të qenë efektive, gjethet duhet të vilen në pranverë derisa bima lulëzon, ndërsa frutat vetëm kur janë tërësisht të pjekura. Edhe frutat e thata janë shëruese, ndërsa thahen ose në hije, ose në furrë në 40 gradë Celsius. Përmbajnë shumë përbërës të vlefshëm, siç janë flobatanina, sheqeri invert, acidet organike (të mollës, limonit ose qelibarit), pektinë, vitaminë C, karotinë.
Frutat e boronicës paraqesin dobi në parandalimin dhe terapinë e avitaminozës dhe hipovitaminozës, si dhe në shërimin e diarresë joinfektive te fëmijët. I njohur është edhe veprimi i tyre dietik. Pavarësisht për çka përdoren, më së miri është të konsumohen frutat e freskëta ose si lëng.
Boronicat kanë shije të këndshme, të thartë në të ëmbël. Megjithatë, nuk duhet të harrohet se nga këto fruta të rrumbullakëta e të lëngshme, me ngjyrë të kaltër të errët, krijohen shurupet, reçelet, çajrat e shijshëm dhe cilësorë. E vetmja gjë që iu mungon pas gatimit është vitamina C. Lëngu është më i miri për shpëlarjen e fytit, ndërsa marmalata freskon ngrohtësinë e dhimbshme të buzëve dhe fytit të infektuar. Nga frutat e pjekura përgatitet një ekstrakt i veçantë, nga i cili krijohen tableta për forcimin e shikimit. Meqenëse ky ilaç është i shtrenjtë për shumicën, më së miri është të pihet lëngu i shëndetshëm, i pastër dhe i pafermentuar i boronicës. Për qëllimin e njëjtë mund të përgatit edhe reçeli nga frutat e thata të pjekura.
Nga gjethet e boronicës përgatitet pija e çajit, që është kardiotonik dhe diuretik i shkëlqyeshëm, është i mirë për shërimin e veshkave dhe fshikëzës, ndërsa përdoret edhe si përbërës i përzierjeve bimore për shërimin e sëmundjes së sheqerit. Në mjekësinë popullore, efekti shëruesi i boronicës theksohet deri në atë masë, saqë e quajnë insulinë bimore. Përdoret edhe tek çrregullimet e punës së organeve për tretje, respektivisht të vjellat, diarreja, ngërçet e stomakut, kollitja…
Pija fitohet edhe me derdhjen e gjetheve në ujë të nxehtë. Megjithatë, gjatë përdorimit të gjetheve duhet të jeni të kujdesshëm, sepse gjatë përdorimit afatgjatë ose mbidozimit mund të arrihet deri te helmimi kronik, i cili kërkon shërim shtesë. Sidoqoftë, duke pasur parasysh që boronica ka dobi të shumëfishta shëndetësore, duhet të përfshihet më shpesh në ushqim./shekulli/