Albspirit

Media/News/Publishing

Emil Asdurian: REPUBLIKA E RE…

Pas një çadre që qëndroi gjatë, për arsyet që kryetari/kryetarët e dinë, thuhet “kundrakorrupsion”, nën një “trysni ndërkombëtare”, u arrit një marrëveshje për hir të Vetingut dhe të zgjedhjeve demokratike të vërteta, ndërkohë që fare pak ose thuajse aspak ka demokraci midis partive të mëdha politike, në strukturë dhe në veprimtarinë e tyre mes të gjithë elementëve që i përbëjnë duke përfshirë dhe kryetarët që si të mësuar nga “Baba Sulltani”, cili do qoftë ai dhe në çfardo shekulli, vazhdojnë të ndjekin mënyrën e lashtë arkaike “o me mua a kundra meje”, pa dyshim efikase por e lidhur me diktatorë e ku republika e re apo e vjetër e kish humbur vlerën dhe forcën e saj.

Sigurisht kjo mënyrë të menduari mbizotëron sot kudo në politikën në Shqipëri, reflektuar nga mass-media tek veprimtaritë publike dhe lajmet zyrtare nga vetë partitë. Gjithçka përmendet, por ç’vihet re, është theksimi i heshtur që buçet kudo si jehonë bëmash për një “Ndryshim”. Ndryshimi në krijimin nga të vjetrat e nga të vjetrit grupe të disa partive të reja, ndonjë aty këtu fare e re. Pikërisht këtyre u heq kapelen, me respekt edhe pse janë fare të kufizuara në bazë. Ju lumtë, burimi pikë pas pike bëhet lumë. Ndryshimi në sjelljet e partive të mëdha, bashkëpunim e jo luftë, mirëkuptim e jo kundërshtim. Pas bojkotimeve e sharjeve, shtrëngime duarsh e ndarje a marrëveshje gjeopolitike të jashtëzakonshme në njëzet e tetë mijë metra katrore, bile qytetet principata u ndanë, bashkimi si trup i vetëm për Vetingun, që s’merret vesh se kundër kujt do të drejtohet pastrimi, se kryetarët mbeten e do mbeten të dlirë e të pacenuar si virgjëresha, u bë një e vërtetë e prekshme.

Lindi dita e re, kuptohet fjala e re përfshin padyshim ndryshimin. Ndryshimi më i madh e kaq i pritur në listat e deputetëve. Njëra parti ndërroi disa të vjetër që si merhumi “Koci Xoxe” kishin “abuzuar me pushtetin e tyre”, por edhe disa të tjerë duhet të hiqeshin pa tjetër se duhej gjak i ri, Themija duhej të dilte në skenën politike që vota e saj e “lirë” të ndryshojë partinë e mbarë vendin. Sigurisht kjo revoltoi ata që dhanë kaq shumë për partinë dhe si “trockistë” u ngritën kundër kryetarit, ose sekretari e ndjeu rrezikun dhe thirri Themijet e bazës dhe bazën q’iu lëshuan për t’i shqyer, kur ai vet shkruan direktiva dhe kujtime dhe shikon të ardhmen drejt në sy. Ndërkohë që partia rivale, apo me të drejtë partia mëmë, e republikës së vjetër, flet për një republikë të re, me një “rilindje”, kur ende s’ka pasur një lindje. Ndryshim! Ah, kjo e fundit e ka kuptuar që gratë janë forcë e madhe, drejtuese dhe mendore dhe nuk i denigron duke i cilësuar pjellarake, e shpërthen kjo këngë si ndryshimi thelbësor dhe më kryesori, (dhe se vetë programet e partive), që dihet askush s’i lexon, se metren si të paqëna, ndërkohë që nxitojmë të ndryshojnë fasada apo mure, sheshet asfaltohen, ngrihen parqe, flamuj, takime gju me gju me popullin…. Dhe asnjë nuk ngrihet t’u thotë, apo të paktën të thërrasë për të çliruar makthin e kaq viteve: NDRYSHONI VETEN.
IKNI JU Të PARET, mos hiqni njerëz e i zëvendësoni ata si gurë shahu, pa asnjë konsultim, arsye, diskutim, duke pretenduar që të paktën keni pak tejdukshmëri dhe burrëri t’u thoni atyre që duhet të ikin, të ikin dhe arsyet pse, e jo me prapaskena e kulisa të fshehta me thikë mbrapashpine. Mos ktheni një aspiratë për një ndryshim kaq të pritur, në luftë klanesh apo fushatë eliminimi. Ndërtoni procedura që brenda partisë të mos silleni si perëndi e të bëni si të doni, jo për interesat e vendit por tuajat, që të siguroni mbretërimin apo të lani hesapet me ata që kundërshtuan e t’i tregoni të tjerëve se po të jesh me mua të pret e ardhmja, paratë, pushteti, e gjithë të tjerat a ndryshe do vdisni në harresë. Shikoni ata para jush, edhe ata që u ndanë e bënë sikur ikën, këtu vinë e falen. Të dy partitë më të mëdha në emrin që kanë shiten si parti ku dëgjohet zëri i popullit (demo, socio, popull, shoqëri), kur në fakt, s’ka asnjë fakt që anëtarët kanë sado pak zë, zë në vendimet që marrin kryetarët. Kush i zgjodhi deputetët dhe pse duhet kryetarët t’i zgjedhin ata, pse nuk ka debat brenda partive për këtë, ashtu pse s’ka debat midis kandidatëve të partive të ndryshme që votuesit t’i njohin. Ah, kjo është e tepërt kur ne do votojmë gjithesesi për partinë e jo personin, për bajrakun dhe jo për programin. Presidentin e zgjedhin partitë para se ta zgjedhë populli. Për këtë duhet të ndryshohet kushtetuta, po kush do ta bëjë kur deputetët janë partiakë të cartur dhe zgjedhjen e përzgjedhjen ia detyrojnë kryetarëve. Prisja se mbas Lëvizjeve Popullore kudër korrupsionit në Rumani, dic do të ndodhte dhe në Shqipëri. Korrupsioni ish i njëjtë, por si duket tek ne, s’kish se pse. Zgjedhjet janë pranë dhe këpucët e reja të vrasin këmbët aq më tepër kur duhet të vraposh. Këpucët e vjetra mbulohen nga togat e reja dhe pantallonat e reja, e kështu s’i sheh askush. Fytyrat e qeshura të të zgedhurve të rinj i shohin të gjithë. Ndryshimi është i dukshëm. Kush drejton, se ku duhet të shkojmë ngelet të bëhet nga të njëjtat këmbë me të njëjtat këpucë të vjetra. RROFTë REPUBLIKA E RE.

AVE CESAR.

Please follow and like us: