Albspirit

Media/News/Publishing

Engel i kërkon Brukselit të pezullojë procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE

Ligjvënësi amerikan Eliot L. Engel, dënoi qëndrimin e autoriteteve serbe që nuk i lejuan hyrjen në Serbi, ish presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Ish presidentja Jahjaga pritej të merrte pjesë në një festival me emrin “Mirëdita.Dobardan” që synon, siç thuhet nxitjen e dialogut dhe përmirësimin e marrëdhënieve në qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë.

Ajo pritej të fliste të premten në Beograd mbi një libër me dëshmi të grave që u ishin nënshtruar torturave dhe përdhunimeve gjatë luftës në Kosovë.

Ligjvënësi Engel i shkroi shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, mbi këtë çështje, duke theksuar se mosvullneti i Serbisë për t’u përballur me krimet e së kaluarës, është arsye për të ngadalësuar procesin e anëtarësimit të saj në BE.

“Për vendin ballkanik, Serbinë, të shmangësh diskutimin dhe pranimin e përgjegjësisë për krimet e luftës, paraqet një problem shumë serioz. Nëse nuk adresohet, kjo mund të çojë në përsëritjen e sjelljes nga e kaluara. Sinqerisht, Beogradi thjesht nuk është i gatshëm të bashkohet me komunitetin e demokracive të BE-së nëse nuk e pranon plotësisht të kaluarën dhe nëse nuk merr përgjegjësinë për krimet e luftës”, shkroi ligjvënësi Engel.

Në letrën e tij, zoti Engel shpreh respektin e tij për punën e BE-së në nxitjen e dialogut, mirëkuptimin dhe normalizimin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Dje, megjithatë, qeveria e Serbisë pengoi ish presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, që të hyjë atje dhe të flasë në një konferencë që synon nxitjen e ripajtimit ndërmjet të dyja kombeve. Siç mund ta dini, zonja Jahjaga duhej të diskutonte tragjedinë e grave të Kosovës që mbijetuan torturat e përdhunimeve nga forcat serbe gjatë luftës. Ish presidentja planifikonte të diskutojë për një libër mbi këto krime të luftës dhe sfidat me të cilat përballen gratë për t’u rehabilituar nga trajtimi brutal si një pjesë e rëndësishme e dëshmive historike dhe ndriçimit të asaj çfarë ka ndodhur.

Po e shtroj këtë çështje me ju sepse jam i shqetësuar që kjo lë të kuptohet një problem më të madh në Serbi për shmangien e diskutimeve dhe të pranimit të fakteve mbi luftën e Kosovës.

Për shembull, më herët gjatë këtij viti, Qendra e respektuar për të Drejtën Humanitare me seli në Beograd, publikoi një dosje me titullin , ‘Fshehja e dëshmive mbi krimet e luftës në Kosovë’. Raporti përshkruante varrezat masive në të cilat ishin fshehur trupat e rreth 1 mijë trupave të shqiptarëve të Kosovës, kryesisht civilë të vrarë larg betejave në Kosovë gjatë vitit 1999 dhe tregonte se vendimi për t’i fshehur trupat ishte planifikuar që në mars të vitit 1999 në nivelet më të larta të qeverisë. Dosja përfundonte se ‘askush asnjëherë nuk është bërë përgjegjës para gjykatave ne Serbi për operacionin e gjerë të fshehjes së trupave të shqiptarëve të Kosovës në varreza masive’.

Unë e respektoj plotësisht procesin e anëtarësimit të vendeve aspiruese në Bashkimin Evropian dhe vendimet e rëndësishme që ju dhe kolegët tuaj duhet të merrni përgjatë procesit. Për fat të keq, më duhet t;ju kërkoj që ta shqyrtoni seriozisht pezullimin e procesit të anëtarësimit të Serbinë në këtë pikë. Për vendin ballkanik, Serbinë, të shmangësh diskutimin dhe pranimin e përgjegjësisë për krimet e luftës, paraqet një problem shumë serioz. Nëse nuk adresohet, kjo mund të çojë në përsëritjen e sjelljes nga e kaluara. Sinqerisht, Beogradi thjesht nuk është i gatshëm të bashkohet me komunitetin e demokracive të BE-së nëse nuk e pranon plotësisht të kaluarën dhe nëse nuk merr përgjegjësinë për krimet e luftës“, përfundon letra e ligjvënësit Engel.

Autoritetet në Kosovë thanë se ndalimi i vizitës së ish- presidentes Jahjaga në Beograd, është shkelje e marrëveshjes së Brukselit për lirinë e lëvizjes dhe atë për vizita zyrtare midis dy shteteve.

Në reagime thuhet se kjo dëshmon qartë se Serbia nuk është e gatshme të përballet me të kaluarën e saj dhe as për paqe, drejtësi dhe marrëdhënie fqinjësore midis dy shteteve.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës por është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizim marrëdhëniesh në këmbi të afrimit me Bashkimin Evropian.

Please follow and like us: