KUVENDET, SHPREHJE E DEMOKRACISË NË VATËR
Në Foto:Nga Kuvendi i vitit 2015 ne Jacksonville, Florida/
Ne Foto:Kengetari Frederik Ndoci duke percjelle Hymnet Kombetar te SHBA dhe Shqiptar/
NGA DALIP GRECA/
Me 10 Qershor 2017 do të nisë punimet Kuvendi vjetor i Vatrës, i cili krahas analizës së punës mes dy kuvendeve do të ketë edhe karakter zgjedhor.
Kryetari i Vatrës, dr. Gjon Buçaj, i cili e mori drejtimin e Vatrës më 2010, do të paraqesë raportin në emër të Kryesisë, ndërkohë që do të ketë raporte edhe nga arkëtari Marjan Cubi, presidenti i Fondit të Studentëve Mithat Gashi, Presidenti i Vatra Fondation INC dr. Nexhat Kaliqi, editori i Diellit Dalip Greca, do të ketë raportime nga kryetarët e degëve dhe diskutime të lira. Pjesa e fundit do t’i kushtohet zgjedhjeve të reja.
Kuvendi do të japë një shtysë të re dhe do ta gjallërojë organizatën më të vjetër të Botës Shqiptare dhe do të vendosë piketa të reja për të ardhmen e federatës, kontributi historik i së cilës, është të i pakrahasueshëm me asnjë organizatë tjetër. E krijuar shtatë muaj para shtetit të pavarur shqiptar, Vatra, i parapriu pavarësisë dhe e kreu më së miri edhe rolin e shtetit të vdekur shqiptar.Kontributi i Vatres është vlerësuar nga Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani me dekoratën më të lartë të Republikës së Shqipërisë”Urdhëri i Flamurit”, ndërkohë që më parë ishte dekoruar nga Presidenti Bamir Topi me Urdhërin”Nderi i Kombit”.
Përmes Kuvendeve, Vatra, ka përsosur demokracinë e saj të brendshme. Që nga Kuvendi themelues i 28 prillit 1912 (mbledhja themeltare) e në vijim, Vatra i është bindur parimeve demokratike, që burojnë nga demokracia amerikane.
Përvoja tregon se problemet e mëdha Kombëtare dhe ato të brendshme Vatra i ka zgjidhur përmes Kuvendeve. Ka pasur raste, kur brenda vitit janë zhvilluar më shumë se një Kuvend. Në rekordet historike të federatës, janë regjistruar tre kuvende në një vit pas themelimit të saj, më 1913. Madje brenda muajit janë organizuar dy Kuvende, njëri më 4 korrik, tjetri më 20 korrik 1913.Kuvendi i dytë vendosi që Vatra të kishte Kryetar, pasi gjer atëhere nuk kishte Kryetar, detyrën e kryente sekretari i përgjithshëm. Mirëpo me ikjen e sekretarit të përgjithshëm, Faik Konicës në Europë, ky vend kishte mbetur vakant.
Në kuvendin e 20 Korrikut u zgjodh Kryetari Kristo Dako, i cili kryente edhe detyrën e Editorit të gazetës”Dielli”. Mirëpo problemet nuk shkuan mbarë. Kishin lindë mosmarrveshje mes kryetarit Dako me sekretari Loni Kristo e radhitësin e gazetës Efthim Natsi. Problemet dhe mosmarrëveshjet nuk u zgjidhën as në mbledhjen që thirri kryetari 10 ditë pas Kuvendit të dytë, me 30 korrik, edhe pse sekretari u hoq përkohësisht nga detyra.
Me 24 gusht 1913 u thirr sërish një Kuvend tjetër, i treti në dy muaj. Në kuvend, kryetari Dako nuk gjeti rrugë tjetër që të shmangeshin moskuptimet dhe në këto rrethana e dha dorëheqjen edhe si kryetar Vatre edhe si editor i Diellit. Me pjekuri u zgjidhën mosmarrveshjet dhe u kthye normaliteti. Kryetar i ri u zgjodh Vangjel Gjika, ndërsa Editor i gazetës”Dielli, u zgjodh Dennis Kambury. Loni Kristo u rikthye sërish si sekretar i Vatrës.
Siç ka konstatuar historishkruesi i Vatrës, ish editori Refat Gurrazezi, Kuvende të shpeshta janë bërë si për të shuar konfliktet,për të zgjidhur problemet kombtare, ashtu edhe për shkak të gjetjes së një editori të aftë sepse pas ikjes Konicës, Nolit dhe dorëheqjes të Kristo Dakos, nuk po gjendej një editor i aftë. Kjo i diktoi Vatrës që të thërriste një Kuvend tjetër ende pa u mbushë viti nga tre kuvendet e 1913-tës. Ky Kuvend u thirr me 10 Janar 1914 dhe pati si ceirman Kostaq Lepçishtin. Në Kuvend u vendos që t’u shkruheshin letra për të ardhë në krye të gazetës njerëz të njohur të penës si: Faik Konitza, që aso kohe ishte në Durrës, Milo Duçi në Vlorë, Aleksandër Xhuvani, Midhat Frashëri, Simon Shuteriqi, Abdyl Ypi etj. Faik Konitza nuk u gjet në Durrës pasi ishte larguar, ndërsa personat e tjerë që morën ftesat, u përgjigjën se nuk mundnin të vinin pasi ishin të zënë me punë të tjera.
Ky Kuvend, shënoi edhe një ngjarje që ka mbetur në rekordet e Vatrës:Kryetari Vangjel Gjika dha dorëheqjen dhe Vatra mbeti në dorë të sekretarit Loni Kristo. Në këto kushte krize për Vatrën hapet një dritë shprese:Fan S Noli i shkruan një letër Vatrës dhe shfaq dëshirën që të marrë drejtimin e Diellit. Vatra i pranoi kushtet që vuri Noli dhe i shkroi që të vinte menjëherë, por ai nuk u përgjigj për shumë kohë. Atëherë iu bë një ftesë Kostë Çekrezit, i cili atë kohe ishte me Komisionin Ndërkombëtar të Kufijëve në Shkodër. Çekrezi e pranoi ftesën dhe me 8 nëntor 1914 mbërriti në Boston dhe mori drejtimin e Diellit, duke e kthyer atë në një gazetë të përditshme. Gazeta gjeti ustanë për një kohë, por kuvendet e Vatrës nuk u normalizuan në ciklin kohor, nuk u kthyen të përvitshëm.
Kuvendi i radhës u mblodh me 4 korrik 1915, ku Noli, që tashmë kishte mbërritur në Boston, vuri kandidaturën për kryetar të Vatrës. Edhe ky Kuvend e gjeti Vatrën pa kryetar.Cairman i këtij kuvendi u zgjodh Lambi Kreshpani dhe sekretar Kolë Rodhja. Kuvendi vendosi me shumicë votash që të ndalohej hyrja e dy kandidatëve për kryetar Vatre, Fan S Nolit dhe Kostë Çekrezit. Për mosprishje qejfi mes dy kandidatëve, kuvendi nuk mori vendim për asnjërin për kryetar, dhe e la gjendjen siç ishte, pa kryetar. Natyrisht nuk mund të vazhdohej gjatë me këtë gjendje.U thirr një Kuvend tjetër me 17 korrik. Sërish kemi dy kuvende brenda muajit. Ky Kuvend i dytë pati për cairman të komisionit të qendrës Hasan Bitinckën, ndërsa si cairman të Kuvendit Dennis Kambury. Kuvendi i vijoi punimet për dy ditë. Pas debateve u zgjodh kryetar Fan S Noli, ndërsa zyrtarë: Kristo Kirka, Kol Rodhe, Hasan Bitincka, Kostë Çekrezi(Editor i Diellit),Kol Tromara, dhe Kostë Racka. Ky Komision që drejtoi Vatrën pas atij Kuvendi, diskutoi edhe një pikë delikate: A mund të kthehej programi i Vatrës në politik? Konsultimi me një avokat të njohur ktheu përgjigje negative:JO!
Kuvendet e Vatrës përshkoheshin nga fryma e debatit, por jo rrallë ngriheshin tonet. Gjithësesi parimet demokratike nuk shkeleshin. Kryetari i Kuvendit mbante rregull, madje duke shfrytëzuar votën e delegatëve, kalonte deri në përjashtimin nga kuvendi të ngatrrestarëve; dhe nuk lejontë që të shkeleshin rregullat e përcaktuara. Kur nxeheshin gjakrat merreshin masa ekstreme, madje deri në thirrjen e policise për të nxjerrë jasht shkaktarët. Kështu psh në kuvendin e 2 Korrikut 1916, që u drejtua nga cairman Kostë Issaku dhe Ndreko Stavro sekretar, në sesionin e katër, u ashpërsuan bisedimet dhe delegatët kërkuan që të nxirrej jashtë Kuvendit Kristo Dako dhe të gjithë zyrtarët e Vatrës, me qëllim që të vazhdonte Kuvendi. Tonet e ashpra kishin si burim Nolin dhe Dakon. I nxorën jashtë edhe Dakon e Nolin edhe zyrtarët e Vatrës. Kryetari i Kuvendit vazhdoi punimet e Kuvendit. Më pas i thirrën që të hynin prapë. Pyetën Nolin se çfarë mendonte ai për rregullimin e punëve të Vatrës. Noli tha se nuk kishte nevojë fare për kryetar, që të mos i mbetej qejfi askujt për të qenë në krye dhe se ai mund ta drejtonte Vatrën duke bashkëpunonte me një komision me atdhetarë të njohur.
Pyetën Dakon se çfarë mendonte ai.Dako tha se Vatra duhej të kishte një kryetar të paanshëm dhe vetë ai propozoi Kostë Hotovën, ndërsa për vete tha se do të qëndronte jasht komisionit. Madje ai shtoi që Vatrës t’i shkonin punët mirë, ishte e mira si ai, ashtu dhe Noli, të rrinin jashtë Komisionit drejtues. Mirëpo të nesërmen në sesionin e pestë gjithçka ndryshoi si me magji, Dako propozoi Nolin për zyrtar të Vatrës, ndërsa Noli propozoi Dakon. Kuvendit nuk i mbeti gjë tjetër veçse t’i duartrokiste. Për kryetar konkuruan Kolë Tromara dhe Kostë Hotova. Tromara mori 29 vota, nga 25 që mori Hotova. Editor u zgjodh Bahri Omari, që nuk pati kundërshtar, pasi Rauf Fico që ishte ftuar nuk mundi të vinte nga Elbasani. Ky Kuvend mbahet mend për një vendim të rëndësishëm: Zgjodhi një person që do të paguhej me rrogë nga Vatra për t’u kujdesur për emigrantët që vinin në Ellis Island, të cilët kishin nevojë për ndihmë pasi s’njihnin gjuhën. Për këtë qëllim u zgjodh Kostë Hotova.
U duke se punët do të shkonin mirë, por pesë muaj më pas debatet u ashpërsuan dhe nisi çarja, që shkëputi një pjesë të madhe të vatranëve, që shkuan pas Kristo Dakos që krijoi Partinë Politike.
Kuvendet e Vatrës merrnin vendime të rëndësishme që kishin të bënin me fatet e Shqipërisë. Kështu psh Kuvendi i 1916, mbahet mend se emëroi Mehmet Konicën delegat të Vatrës në Londër, ndërsa ai i Majit 1917 mbahet mend për fushatën e madhe të 3 qershorit, që shpëtoi Shqipërinë, Kuvendi i 1919, që dërgoi delegatë në Konferencën e Paqës e Paqës në Paris, ose Kuvendi i 1920, organizoi huanë Kombëtare, që përmirësoi financat e qeverisë së Kongresit të Lushnjës.
Kuvendi më i gjatë që shënon rekord në historikun e Vatrës është ai 1 Korrikut 1917, i cili ka vazhduar për 12 ditë. Vendimi më i rëndësishëm i atij Kuvendi ishte Memorandumi për Greqinë që të ndaltë shpërnguljen e çamëve nga trojet e tyre, por ky mbahet mend edhe si Kuvendi i përçarjes së parë të Vatrës, që çoi me 27 gusht 1917, lindjen e Partisë politike të Dakos, me qendër në Worcester dhe nisjen e publikimit të gazetës”Albania”, kundërshtare e Diellit.Pas kësaj çarje ndodhën edhe dy çarje të tjera të mëdha të Vatrës, më 1925 dhe 1936.Bashkimi erdhi në kohën e pushtimit të Shqiëprisë prej Italisë fashiste.
Kuvendet ia kanë rritur jetëgjatësinë Vatrës dhe kanë forcuar frymën kombëtare të saj. Nga viti 2013 u rikthyen sërish kuvendet vjetore të Vatrës, ndërkohë që Kuvendi i fundit u organizua më 2015 në Jacksonville , Florida.
Le t’i urojmë punime të mbara kuvendit të 10 qershorit 2017!