Luan RAMA: Dy fjalë për Zervën e farës shqiptare
Çdo komb ka heronjtë dhe tradhtarët e vet, ka martirët dhe vrasësit e vet. Eshtë e pamundur të gjesh një popull të pastër, qoftë dhe në vendin më demokratik apo më të përparuar të botës, pasi nuk është thjesht historia, por vetë geni njerëzor ku përzihen humanizmi me krimin, heroika me mallkimin, e madhërishmja me poshtërsinë dhe çnderimin. Më duket e habitshme optika e atyre që, kur diskutojnë në media për të shkuarën, historinë e kombit, atë e shohin veç bardhezi, çka ka ndodhur së fundi edhe me figura si ish-mbreti Zog, Esat Toptani etj., apo në përgjithësi ndarja e historisë në të mirë dhe të këqij. Bota ka qenë dhe do të jetë e tillë, gjithnjë komplekse, shumëngjyrëshe, edhe pse në një përpjekje të vazhdueshme për përsosjen morale të saj. Në një debat të mëparshëm në “Gazeta shqiptare” diskutohej për Napoleon Zervën, masakruesin e çamëve në kohën e shfarosjes apo pastrimit etnik të Çamërisë nga shqiptarët myslimanë në kohën e mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, nëse ai ishte grek apo shqiptar. Ishte ky debat që më shtyu thjesht t’u referohem dy botimeve të hershme greke dhe franceze për të vënë në dukje se pse Zerva ishte një suljot, një shqiptar që si shumë suljotë e humbën vendin apo Republikën e tyre pas Revolucionit grek të viteve 1921-1827, se si krahas Boçarit e Xavellës kemi dhe një Zerva e të tjerë si ai.
Në librin e tij “Kujtime nga lufta e Pavarësisë”, një nga personalitetet e këtij Revolucioni, Konstantin Metaksa, shkruante rreth Marko Boçarit si shqiptar, që fliste gjuhën shqipe, çka e kanë shkruar para tij edhe kronistë të hershëm të shekujve XVII-XIX, apo konsulli francez François de Pouqueville etj. Ai kujton në librin e tij çastin kur në Misolongji, para betejës vendimtare në Karpenisi, Boçari mblodhi veçmas trimat e tij suljotë, duke u folur në shqip, pasi vetëm në shqip kuptonin: “Të nesërmen e bisedës me Boçarin në Misolongj, Marko thirri gjithë kapitenët, oficerët dhe ushtarët suljotë në hyrjen e një shtëpie të madhe turke, duke u folur atyre në gjuhën e tyre shqipe dhe u mbajti një fjalim patriotik dhe shumë entuziast… Zemra po më plas kur shoh që bashkëpatriotët e mi më dyshojnë padrejtësisht dhe më largohen sikur unë dua t’i komandoj të gjithë. Përçarjet tona do të sjellin shkatërrimin e suljotëve, dhe pikërisht këtë duan dhe armiqtë tanë. Ne e humbën atdheun tonë dhe duam të ndërtojmë një tjetër jetë, por duke qenë të përçarë ne s’do mund ta realizojmë këtë. Ne duhet ta ruajmë famën tonë ushtarake, por a mund ta ruajmë atë duke qenë të përçarë? Ne jemi të pakët në numër, por për shkak të famës që kemi, shumë të huaj po bashkohen me ne dhe lavdia e betejave tona na përket veçse neve. Kur të jemi të bashkuar, ne do të krijojmë një trupë të vetme ushtarake: do të jemi suljotë!… Pra pikësëpari duhet vëllazërimi, besa mes nesh, çka është mënyra e vetme përmes së cilës ne mund të nderojmë atdheun tonë dhe të na bëjë njëkohësisht të dobishëm për lirinë e Greqisë…”.
Greku Metaksa ishte bashkëpunëtor i Marko Boçarit dhe përfaqësues i qeverisë së përkohshme greke, por ndërkohë do doja të risillja me këtë rast një tekst të konsullit francez në Janinë, Eugene Poujade në vitin 1852, kur i shoqëruar nga Zerva bën një udhëtim drejt Sulit. Pikërisht ky tekst, i botuar në kujtimet e tij, në librin “Kristianë e turq – ngjarje dhe kujtime”, hedh dritë se kush ishte në të vërtetë Zerva, të cilin grekët e mbajnë si një helen të kulluar e patriot dhe shqiptarët si një kriminel të madh. Ja çfarë shkruan Poujade: “E vizitova atë teatër të heroizmit i shoqëruar nga kapedani Zerva, një nga familjet e para të këtyre maleve, i cili në fëmijërinë e tij kishte parë luftën e dëshpëruar dhe thyerjen e atdheut të tij. Niko Zerva kishte marrë pjesë në një kryengritje në Greqi kundër qeverisë së mbretit Othon dhe me një grup suljotësh kishte kaluar në shërbim të pashait të Janinës, i cili i kishte besuar ruajtjen e shtigjeve dhe kufijve të Epirit nga kjo anë, në kufirin me Greqinë. Kapedani Zerva ishte vendosur në Kamarina, gjatë rrugës nga Preveza në Sul, në një kështjellë të vogël buzë një kodrine që krijonte një nga rrafshnaltat e fundit të Sulit.
…Sapo u ulëm në atë tarracë kur agallarët e fshatrave përreth erdhën të na takojnë. Ishin veshur njëlloj si Zerva, me kostumin shqiptar e me një fez në kokë, me ata flokë të gjata e të shpërndarë në mënyrë të çrregullt: balli i rruar, këmisha e hapur nga ku u shfaqej qafa e gjoksi që nxehtësia e diellit i kishin rrahur fort, ashtu si dhe fytyrat e tyre ku lexohej një kërshëri e madhe, trimëri dhe një dinakëri që binte në sy. Ishin myslimanë dhe me Zervën flisnin vetëm shqip apo ‘skip’, dhe quheshin ‘skipetares’. Agallarët… vështirë të kuptonin dhe të bindeshin se Çamëria tashmë ishte e njohur nga gjithë europianët si shqiptare dhe jo greke. Lëshonin britma habie duke parë apo dëgjuar kur u tregoja në hartë emrat e fshatrave të tyre. Në prani të vizitorëve të shumtë të ftuar aty, na sollën darkën dhe Zerva i trajtonte ata me dinjitet, çka e lehtësonte shërbimin e tij si një mikpritës që ishte. Askund në Orient, fisi i tij nuk ishte më i respektuar sesa në Shqipëri, ku njeriu vendas quhet ‘oxhak’, një metaforë e guximshme kjo siç ndodh në poezi. Zerva ishte shumë i kënaqur të më tregonte si një helen e kristian që ishte për pozitën superiore ndaj një myslimani… Të nesërmen, bashkë me kapedanin, e të shoqëruar edhe nga të tjerët, ne u nisëm në këmbë drejt Sulit. Vëzhguam dhe në Karvari, një fshat i krishterë, ku ndoshta asnjë europian nuk kishte shkelur deri në atë kohë, çka e pikasa në sytë e atyre fëmijëve që kishin marrë një dritë të bardhë e verbuese kur ne mbërritëm në perëndim, në hyrje të grykave të Sulit. Kishte shumë vite që Zerva dhe pasuesit e tij nuk e kishin shkelur djepin e familjeve të tyre dhe varrin e kombit të tyre. Ne vendosëm t’i ngjitemi hyrjes së asaj ‘toke të premtuar’ në një vend ku bukuria e qetësia na ftonin të preheshim. U lamë e u pastruam në ujërat e kthjellëta të Akeronit që mërmëriste lehtë në shtratin e tij plot guriçka, përroi më i errët i këtyre maleve… Pasi mbaruam së ngrëni, suljotët prenë barërat me jataganët e tyre, duke na krijuar një shtrat gjithë aroma, ku ramë të flinim butësisht. Pastaj ishin ata që u ulën pranë zjarrit të madh që kishin ndezur dhe nisën të këndonin. Shqiptarët, suljotët, palikarët helenë, i nisin këngët me një murmurimë të shurdhët dhe të zgjatur që shërbente si prelud dhe shoqërim kënge, me të cilën u bashkuan pothuaj të gjithë ata që ishin të pranishëm… Atëherë të gjithë ia dhanë këngës fuqishëm, e po kështu dhe Zerva, që ishte shtrirë pranë meje mbi ato barishte plot aroma, i cili më tha: ‘Nëse trimi Karaiskaqi do kishte mundur të mblidhte 15.000 burra, lufta e Pavarësisë do kishte mbaruar më herët dhe me rezultate shumë më të mëdha se të atyre që e mbaruan këtë luftë’. Pas këngës luftarake nisi kënga e dashurisë, ku zëri herë-herë ishte vajtues dhe herë plot forcë… Po e dëgjoja gjithë kënaqësi atë histori dashurie të pastër nën qiellin plot yje të Epirit, disa hapa larg Akeronit që zhurmonte lehtë nëpër natë, nga ata suljotë në shërbim të një pashai turk. Po flija nën ehot e kësaj poezie të kënduar dhe ishte kapedani që më zgjoi në mëngjes: ‘Nisemi për udhë, – më tha ai. – Do të shkojmë në atdheun e suljotëve trima!’ Ne filluam t’u ngjiteshim shtigjeve shkëmbore të vargmaleve të Sulit dhe sa më shumë përparonim, aq më shumë peizazhi hapej para nesh e bëhej edhe më madhështor.
Shpejt u ndodhëm në mes të rrënojave të fshatrave suljote. Ja Navariko, Somaniva, Kakosuli, Suli i tmerrshëm, fshati Qafa, me të gjitha shtëpitë e rrënuara ku ende një pjesë muresh qëndronin në këmbë plot trisht. Jaseminët e egër dhe lulet e tyre plot aromë mbulonin lakuriqësinë e atyre mureve ku dikur banonte një popull i tërë i lirë e i pavarur. Zerva i njihte shtëpitë dhe më tregonte banesat e njerëzve të tij, të familjes dhe miqve të tij, kopshtet ku barishtet e egra dhe kacavjerrëse kapeshin e ngjiteshin në pemët frutore, të cilat duart e tij i kishin ujitur në fëmijëri. ‘E sheh, – më thoshte, – atje, nën atë rrap që ka ruajtur hijeshinë e gjethes në mes të asaj pamjeje të trishtë, ishin varrezat e fshatit tim, ku duken ende gurët e thyera të varreve dhe kryqi që dergjet mbi tokë. Por në Athinë, kryqi e ka zëvendësuar gjysmëhënën. A e shikon atje përgjatë brinjës së asaj maje të përpjetë, atë shteg që gjarpëron dhe ku vështirë të mendosh se kalon një dhi? Atje gratë tona ngjiteshin bashkë me palikarët tanë, të ngarkuara si dhe ata me ushqime për të mbrojtur Sulin kundër Ali Pashë Tepelenës. Ndonjëherë këmba u rrëshqiste nëpër errësirën e natës dhe shumë palikarë apo gratë e tyre të devotshme gjetën vdekjen në thellësitë e humnerës.’… Duke biseduar ne arritëm te Qafa, ku ngrihej një fortesë e vogël në të cilën banonte ‘muhafuzi’, apo roja e Sulit, një malësor gegë, të cilit i ishte besuar vëzhgimi i atyre shtigjeve tashmë të shkreta. Qëndrova disa ditë me Zervën, duke jetuar jetën e këtyre palikarëve, duke dëgjuar tregimet e tij për luftën e Pavarësisë si dhe mendimet e tij për njerëzit e kësaj epoke, apo duke kundruar bashkë me të, me një admirim të pafjalë, spektaklin e natyrës plot madhështi, ku kujtimet e historisë përziheshin aq mirë me atë të poezisë. Mikpritësi im nuk i kishte reminishencat klasike, as sytë dhe kujtesën plot me imazhet e bukura të Europës, por ai gëzonte bukurinë e pashtershme të netëve ku qielli shndriste nga yjet e panumërt, në një hapësirë të kaltër e të errët, me detin jonian, dhe malet e ngjyrosura nga zjarret e perëndimeve.
Le ta lëmë tani Sulin dhe të shohim Margaritin, qytezën e vogël të Çamërisë që varet nga peshkopata e Paramithisë, Pargën në bregun jugor të Margaritit, qytezën e fortifikuar, emri i së cilës duhet grisur nga faqja e historisë së Anglisë; Delvinën, qytezën e vogël dhe të fortifikuar, e cila varet nga peshkopata e Janinës, me shtëpitë e saj të shpërndara mes lirishtash dhe popullsinë e saj të armatosur, me familjet rivale dhe prijësit e vegjël feudalë që jetojnë në një frikë të dyanshme të pritave dhe vrasjeve…”
Konsulli francez Eugène Poujade, i cili qëndroi disa vjet në Janinë dhe i përshkoi viset shqiptare nga Janina në Prevezë, Artë etj., në tregimin e tij thekson përkatësinë shqiptare të familjes Zerva. Duke lexuar këtë libër dhe duke u ndalur në këtë fragment, menjëherë m’u shfaq një pinjoll i tij i një shekulli më vonë, Napoleon Zerva, veshur me uniformë ushtarake, me kreun e kishës greke në krahë, i cili shkonte rrugës së Filatit, Paramithisë dhe gjithë Çamërisë, me armë në sup për të bërë shfarosjen e madhe shqiptare në tokat e tyre. Shkonin pas masakrës së madhe të çamëve myslimanë në vitet 1944-1945 nëpër rrugët bosh të Filatit, Margaritit, Lopësit, Paramithisë… Ishte e habitshme që ky suljot të kryente masakra të tilla dhe, pa dyshim, ai e bënte këtë shfarosje në emër të fesë… Ky ishte identiteti i një njeriu, i cili nuk përfaqëson popullsinë e Sulit, ashtu siç një pinjoll i Boçarit të famshëm, që organizoi vrasjen e gjeneral Telinit në kufirin greko-shqiptar në vitet ’20, që nuk pranoi shtyrjen e kufirit në favor të grekëve, nuk përfaqëson Boçarët, Xavellat dhe heronjtë e tjerë të suljotëve apo arvanitasve që aq shumë i dhanë Revolucionit grek, lavdi kjo që për gati dy shekuj ra në harresë. Pa dyshim, dita po vjen që ky kontribut të dalë në dritë për të rigjetur përsëri miqësinë historike shqiptaro-greke!
*Studiues