Pakti Rama-Basha, nis fshesa për administratën
Majlind Lazimi, Drejtori i Postës Shqiptare duket se është guri i radhës që rrëzohet, në serinë e dominove që rreshtuan me marrëveshje Edi Rama dhe Lulzim Basha, mesnatën e 17 Majit. Një drejtor i LSI-së, që ikën nga puna, në kulmin e sulmeve politike nga PS dhe PD.
Sot qeveria ngriti Task Forcën e Ndëshkimit, për të gjithë ata nëpunës të shtetit që përfshihen në fushatë. Asnjë prej ministrave dhe zyrtarëve të lartë që janë pjesë e saj, nuk vijnë nga LSI. Kjo forcë politike është përjashtuar nga ndëshkimi i administratës. Të emëruarit nga LSI në administratë kanë arsye të shqetësohen nga vendimi i sotëm i qeverisë.
Një valë ndëshkimesh pritet të nisë për punonjësit e administratës, që kapen nëpër mitingje në orarin e punës, apo bëjnë propagandë nëpër institucione.
Fillon nga sot, një muaj vëzhgimi dhe ndëshkimi. Në vendimin e Këshillit të ministraveqartësohet se punonjësit e administratës mund të bëhen pjesë e fushatës, vetëm jashtë orarit zyrtar.
Punonjësi i administratës shtetërore, pas orarit zyrtar të punës dhe jashtë mjediseve të institucioneve shtetërore, ka të drejtë të marrë pjesë në veprimtari politike apo zgjedhore të një partie politike ose kandidati në zgjedhje.
Nëse një punonjës shtetit ka dëshirë të angazhohet si numërues apo vëzhgues në procesin e votimit, atëherë më parë duhet të marrë leje me shkrim tek eprori i tij. Në rast të kundërt do të ndëshkohet.
Po ashtu është e ndaluar që gjatë orarit zyrtar të punës të manifestojë bindjet politike me parrulla apo mjete të shkruara.
“Punonjësi i administratës shtetërore ka të drejtë të angazhohet si komisioner zgjedhor, në përbërje të KZAZ-ve, KQV-ve dhe GNV-ve, pasi të ketë njoftuar me shkrim eprorin direkt dhe njësinë e personelit. Angazhimi si komisioner nuk duhet të ndikojë në përmbushjen e detyrave funksionale si pjesë e shërbimit civil” thuhet në vendimin e qeverisë.
“Punonjësit të administratës shtetërore, gjatë orarit zyrtar të punës dhe brenda mjediseve të institucioneve shtetërore, i ndalohet çdolloj pjesëmarrjeje në veprimtari politike apo fushatë zgjedhore të një partie politike ose kandidati në zgjedhje.
Nëpunësit civil, gjatë pjesëmarrjes në veprimtari, sipas pikës 4, të këtij vendimi, në kuptim të nenit 37, të ligjit nr.152/2013, të ndryshuar, i ndalohet:
a) të bëjë fushatë për një subjekt zgjedhor;
b) të manifestojë me pankarta, parrulla apo çdo mjet tjetër të shkruar dhe të ekspozuar publikisht;
c) të jetë protagonist në aktivitetet/veprimtaritë politike.”
Të forta janë rregullat edhe për punonjësit e policisë, efektivët e Gardës, ushtarakët apo ato të Shërbimit Informativ Shtetëror. Për to është ndaluar anëtarësimi në një forcë politike apo mbështetja e shpallur publike për forcat politike, qoftë edhe jashtë shërbimit.
Ndalohet edhe përdorimi i makinave të administratës, apo të mjeteve të tjera publike për fushatën e partive, ndërsa parashikohen monitorime të vazhdueshme, me kontrolle periodike nga eprorët.
Punonjësit do të ndëshkohen edhe në rast denoncimesh me foto ose video, kur provohet se ato kanë shkelur rregullat që u miratuan sot nga qeveria.
Parashikohet gjithashtu edhe pezullimi nga detyra i nëpunësve, të cilët janë regjistruar si kandidatë për zgjedhjet e Kuvendit, të datës 25 qershor 2017.
Gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, automjetet si dhe karburanti, në përdorim të titullarit apo institucionit të administratës shtetërore, ndalohen të përdoren për veprimtari të fushatës zgjedhore të subjekteve zgjedhore, të regjistruara në zgjedhje.
Strukturat e Policisë së Shtetit, kur konstatojnë përdorimin e automjeteve shtetërore të institucioneve të pushtetit qendror e vendor për veprimtari të fushatës zgjedhore, të bëjnë bllokimin e tyre dhe, menjëherë, të njoftojnë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe titullarin e institucionit në përdorim të të cilit është automjeti.
Sipas vendimit të sotëm, vendosen procedura të reja prokurimi publik, koncesioni apo partneritet publik-privat. Për miratimin e tyre duhet të nënshkruajë vetë kryeministri./lapsi.al/