Albspirit

Media/News/Publishing

Republika e Re do lartohet gur pas guri, jo me një të hapur e të mbyllur të syrit

Le të qajnë, – më tha dikush, që me sa duket e kishte ndjekur me vëmendje krizën e fundit politike, deri në pikën e saj më kulmore, shpalljen e listave të PD-së për zgjedhjet e 25 qershorit. – Të vjen çudi? – më pyeti. – Unë e prisja.

E kishte fjalën për disa deklarata të neveritshme nga ana e katër a pesë deputetëve të PD-së, që nuk u përfshinë në listat e kandidatëve për parlamentin e ardhshëm. Në të vërtetë, ai përdori shprehjen “të qurraviten”, jo “të qajnë”. Madje shtoi se priste edhe ndonjë hungërimë. Po mua s’ma bëri zemra të shkoja në tejskaj, përderisa deri dje e pardje kontributin e qaramanëve që po nxjerrin krye sot në radhët e PD-së, e kam konsideruar pasuri të partisë që i hapi rrugë pluralizmit në Shqipëri. Kam konsideruar se, nëse unë ose ti, fjala vjen, kemi vënë me modesti një apo dy gurë në ngrehinën e saj si anëtarë të thjeshtë, – të rishmë a të kahershëm, s’ka rëndësi, – ata kanë bërë qoshet e ngrehinës. Nuk është pak. Për qoshet duhet mjeshtëri, jo punë e rëndomtë.

Është e tepërt tashmë, madje humbje kohe, t’i marr e t’i rendis emër për emër, – me mbiemër gjithashtu, – ata pak mitomanë politikë që pandehin se të qenit deputet është profesion, në mos po titull i përjetshëm. Mirëpo, për fatin tonë të mirë dhe për të keqen e tyren, ata e çorën maskën me duart e veta, sapo mësuan se nuk u përfshinë në lista. Shpërthyen si çiban i mahisur, të ta thotë mendja se pa praninë tyre në aulën e parlamentit, jeta parlamentare në Shqipëri do të merrte fund.

As më shumë, as më pak, zhurma që bënë, u hapi punë ekraneve televizive dhe të ftuarve të tyre, analistëve, herë “pe të vërteti”, – si thonë korçarët, – herë llafollogë, – siç thuhet me një kompozitë gjysmë turqishte e gjysmë greqishte. Partisë Demokratike, aspak. As Lulzim Bashës. Me zhurmën dhe me jehonat e saj të përkohshme, le të merren pra analistët e llafollogët. Le ta gjejnë ata arsyen e mosarsyes nëse listat i bëri zoti Basha “në krye të vet” (kujto talljen e shkodranëve me Pal Vatën!) apo në bashkëpunim me Dr. Berishën; nëse duhej përfshirë ose jo në lista X-i apo Y-i; nëse kreu aktual i PD-së do të jetë fituesi apo humbësi i madh i zgjedhjeve të ardhshme. Dihet që kësaj i thonë “mbill e mos korr!” Zaten, po të sjellësh ndërmend “parashikimet” e ndoca analistëve-llafollogë për zhvillimet politike në çaste të veçanta të politikës së ditës, do të vëresh se atë çka ata e kanë pështyrë të djeshmen a të pardjeshmen, s’e kanë pasur për gjë ta lëpijnë të nesërmen a të pasnesërmen. Le të kujtoj rastin më të fundit, “Çadrën e Lirisë”. Në një periudhë kohe bajagi të gjatë, protestën e nisur më 18 shkurt e quajtën edhe hap të dështuar të zotit Basha, edhe papjekuri të tij politike. Edhe alibi për t’iu shmangur ashtu-të-quajturit vetting, edhe ashtu ose kështu… E quajtën e ç’ nuk s’e quajtën tre muaj rresht, derisa më në fund e shpallën si fitore të liderit të opozitës.

Tashmë, me punën e listave jemi përpara faktit të kryer. Basha s’u tund nga bindjet e veta dhe mirë bëri. Përndryshe ç’ kuptim do të kishte hartimi i tyre asisoj? Ndërkohë, qëndrimet kinse politike të qaramanëve s’bënë tjetër, veç i dhanë pak frymëmarrje kundërshtarit. E dinin ata, ndaj edhe shpërthyen si të tërbuar, ndaj edhe vepruan në atë mënyrë ziliqare, më së paku, në mos po që t’i jepnin goditje nën brez liderit të PD-së, nxitur nga mllefe personale ndaj tij, siç po flitet poshtë e lart.

Që, për shkak të listave, të dëgjojmë ankesa për mosrespektim “të procedurave dhe të rregulloreve statutore” prej atij që u largua nga PD-ja dhe u bë bashkëthemelues i një partie që sot nuk i ka mbetur as nam, as nishan; që iu bashkëngjit Komiteteve të Shpëtimit më 1997 dhe që, më pas, u rikthye në PD për të marrë një post ministri, pasi kishte konsumuar dy poste të njëjta ndërsa PD-ja ishte në opozite, është me të vërtetë e tepërt. Jo për kësi farë soji politikanësh, se të tillëve aq u bën, por për ne, idealistët, që kemi pasur fatkeqësinë të përjetojmë bëmat e tyre.

Ndaj, do të thosha, i lumtë, zotit Basha! Me apo pa mendimin e liderit historik të Partisë Demokratike, Doktor Berishës, ai guxoi të shkarkonte barrë të panevojshme në rrugëtimin e pandalshëm drejt Republikës së Re. Sepse Republika e Re, nuk lind, as nuk ngrihet me një të hapur e të mbyllur të syrit. Madje, as në njëzetekatër orë, as në një javë, as në një muaj apo në një vit. Gur pas guri do të lartohet ajo, ama pa kolltukofagë që hanë njëherësh Partinë Demokratike që i pati kandiduar me ose pa meritë, që na hanë ne, mbështetësit e saj, por edhe kundërshtarët tanë politikë, në fund të fundit, vëllezër të një gjaku./gazeta55/

Please follow and like us: