Zv/Kryeministrja Mandija kallëzon penalisht Drejtoren e Filialit Berat të Posta Shqiptare
Zv/Kryeministrja Mandija, në cilësinë e kryesueses së Task-Forcës, ka kallëzuar sot penalisht Drejtoren e Filialit Berat të Posta Shqiptare, Haris Ngjeqari e cila me veprimet dhe mosveprimet e saj të kryera me dashje ka vepruar në kundërshtim me nenin 238/a “Detyrimi për pjesëmarrje në veprimtari politike” të Kodit Penal, Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 473, datë 01.06.2017 “Për marrjen e masave dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë për vitin 2017” si dhe me Urdhrin e mëparshëm nr. 65, datë 12.5.2017 të Kryeministrit.
Sipas njoftimit për shtyp, Task-Forca e drejtuar nga Zëvendëskryeministrja, në zbatim të detyrimeve ligjore është vënë në dijeni të faktit se Drejtorja e Filialit të Posta Shqiptare sh. a., zj. Haris Ngjeqari, gjatë ushtrimit të detyrës së saj shtetërore, përdor në mënyrë të kundraligjshme funksionin e saj në këtë shoqëri me pronësi shtetërore, me qëllim favorizimin e një subjekti politik “Lëvizja Socialiste për Integrim” pjesëmarrës në zgjedhjet e qershorit 2017.
“Znj, Ngjeqari konkretisht ka shpërndarë për administratën në varësi, një formular për të paraqitur në të të dhëna personale, me anë të të cilit u kërkohet informacion që mund t’i shërbejë një subjekti politik konkurrues në zgjedhje; ka kërcënuar punonjësit në varësi të saj se, nëse nuk e plotësojnë këtë formular do të largohen nga puna dhe madje ka larguar nga puna punonjës për këtë shkak; ka lejuar kandidatë apo përfaqësues të subjektit politik “Lëvizja Socialiste për Integrim” të bëjnë takime me qëllime propagandistike politike në ambiente të ndryshme të institucionit, madje edhe në zyrën e saj duke thirrur punonjësit një nga një; ka lejuar persona të caktuar në varësi të saj, të angazhohen në veprimtari politike të subjektit politik të sipërcituar gjatë orarit zyrtar të punës duke u paguar rregullisht!”, thuhet në njoftim.
Zv/Kryeministrja Mandija siguron se është e vendosur në zbatimin e ligjit për çdo angazhim politik në kundërshtim me ligjin e punonjësve të administratës shtetërore.