“Fshesë”, Ministria e Drejtësisë kallzon 8 zyrtarë të lartë, ja emrat
Ministria e Drejtësisë ka shkarkuar 8 zyrtarë të lartë. Kjo vjen në një kohë që e gjithë administrata është etiketuar për pjesëmarrje në fushatat e partive politike. Ata akuzohen për pjesëmarrje në fushatë, në kundërshtim me Ligjin Zgjedhor.
DETAJET:
Ministri i Drejtësisë z. Gazment Bardhi, shkarkoi sot nga detyra 8 zyrtarë të lartë të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Sistemit të Burgjeve dhe Zyrës së Përmbarimit, si dhe ia referoi rastin e tyre Prokurorisë së Përgjithshme, për veprën penale të përfshirjes në kundërshtim me ligjin në fushatën zgjedhore të një subjekti zgjedhor.
Shkarkimi, erdhi pas verifikimeve dhe inspektimeve të kryera nga strukturat e Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, si dhe informacioneve të plota të marra, ku konstatohet përfshirja e këtyre zyrtarëve, në fushatën zgjedhore në kundërshtim me ligjin, si dhe neglizhencë e theksuar në kryerjen e detyrave. Konkretisht, Ministri i Drejtësisë ka urdhëruar shkarkimin e:
- Drejtorit të IEVP Fier, shoku Jetnor Krakulli;
- Regjistruesit të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës, shoku Ani Dyrmishi;
- Drejtorin e IEVP Lezhë, shoku Eduart Kurti;
- Regjistruesit të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Sarandë, shoku Adriana Shehu.
- Drejtorit të IEVP Rrogozhinë, shoku Ahmet Bala;
- Drejtorit të IEVP Burrel, shoku Fatjon Kurti;
- Kryetarit të Zyrës së Përmbarimit Gjyqësor Durrës, shoku Surin Hoxha;
- Drejtorit të IEVP “Jordan Misja” (nr.313), shoku Fatjon Fana.
Ministri i Drejtësisë z.Bardhi, sipas rastit, i ka referuar çështjen organeve të prokurorisë, si dhe ka vënë në dijeni Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, për shkak se ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova, se zyrtarët e lartëpërmendur, kanë kryer veprën penale të parashikuara nga nenet 328/a dhe 248 të Kodit Penal.
Gjithashtu, Ministri i Drejtësisë i ka kërkuar zyrtarisht Departamentit të Administratës Publike që të zbatojë Kushtetutën, Kodin Zgjedhor dhe ligjin për nëpunësin civil, dhe të pezullojë nga detyra, Sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Drejtësisë znj. Juliana Hoxha, e cila ushtron funksionin në kundërshtim flagrant me ligjin, që nga data 29 Prill 2017, për shkak se është kandidate për deputete në Qarkun e Tiranës, me subjektin zgjedhor Partia Socialiste e Shqipërisë.
Për këtë arsye, Ministri i Drejtësisë z. Bardhi ka informuar zyrtarisht Kryeministrin dhe është në pritje të ndërhyrjes së tij për zbatimin e plotë të ligjit. Ministria e Drejtësisë gjen edhe njëherë rastin të inkurajojë çdo qytetar që të denoncojë, të gjitha rastet e përfshirjes në fushatë apo përdorimit të funksionit publik në favor të një subjekti zgjedhor, si dhe garanton qytetarët jo vetëm për ruajtjen e anonimatit, por edhe për ndjekjen me seriozitet maksimal të këtyre rasteve.
Z. Bardhi siguron se është i vendosur në zbatimin e ligjit dhe do të veprojë me tolerancë zero për çdo angazhim politik në kundërshtim me ligjin të punonjësve së administratës shtetërore në varësi të Ministrisë së Drejtësisë.