Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Jozi moj rrezike

Sot një nga kundërshtarët më të ashpër të Lulzim Bashës, nuk është Edi Rama me socialistët a rilindjen e tij. Nuk është as presidenti i ardhshëm i vendit, Ilir Meta. Ai që do të jetë garanti kushtetues. Ai që nuk po lë burrë pa puthur për ca vota në favor të resorsit të tij politik me emrin LSI. Dhe që padyshim do mbahet mend si rasti më bajat në hollet e presidencës dhe historisë së re të shqiptarëve. Për faktin që edhe i dorëhequr si kryetar, edhe i zgjedhur president, prapë bën fushatë. Nuk eshtë as bohemi i Aleancës Kuq e Zi. Apo shkrimtari erudit i LIBRAS. Apo ata ”shenjtorët” nga treni i 136 partive të vogla që veprojnë në një territor prej 28 mije kilometër katror. Ku i bie që, një militant të ketë regjistruar jo vetëm veten si anëtar, por edhe të vdekurit e tij. Ndryshe nuk ka asnjë mundësi për justifikimin e listave të tyre. Kjo në raport me popullatën dhe territorin. Po edhe veprimtarinë politike të një partie.
Nuk janë as ata që e kanë akuzuar për korrupsion në rrugën e kombit. Apo për shitjen e territoreve ujore në jugun e vendit.
Dhejtoristët jo e jo. Idealistët e hapin kollaj krahun. Të persektuarit as që ia kanë ngenë. Kurse pjesa tjetër e ish sekretarëve a bijëve të tyre, nga administrata e para 27 viteve. Nga Fronti Demokratik, a Bashkimet Profesionale, janë në listat aktuale. Ndërsa baballarët nderonin me grusht, këta me dy gishta etj. Pra kundërshtari nuk është asnjë nga këta. Kundërshtari më i ashpër është Jozefina Topalli. Ish kryetare kuvendi, nënkryetare e Partisë Demokratike të shqiptarëve…, pra asaj që sot e kryeson dhe drejton Lulzim Basha. Kjo, soji tipik i teknokratëve që një hapje fushate, pikërisht forcës që i dha emër, i përgjigjet me antifushatë.
Ku ca barkmëdhenj me pankarta, i kanë mbushur mendjen se është krenaria e një qyteti. Eshtë nga rastet më të përkryera, nga e ashtuqujtura lufta brenda llojit. Brenda ”korifejve” të shtetbërjes shqiptare. Një kulturë e Unit. Dhe e përgjegjësisë, bëje për mua. Pasi po e ha meraku për fatet e demokratëve dhe Shqipërisë. Nga ato raste kur për demagogji quan skandal faktin se vendet në lista blihen. Edhe pse është vet një nga blerëset e mirëfillta. Madje dhe uzurpatore e saj. Dhe kaq e neveritshme kur akuzon për klientelista e listë private familjarësh. Ku nga ana tjetër e quan normale emërimin e të vetëve si konsuj a atashe ambasadash gjatë mbretërimit të saj prej 2005 deri më 2013. Plot 8 vjet. Vetëm kjo ka për tu mbajtur mend që bëri të dashurin e vajzës atashe në Francë.
Aq sa nuk e di se si çfarë emri t’i vë. Karshi asaj suite eruditësh frankofon. Apo nga ajo klasë diplomatësh që e varfra Shqipëri mezi po e kultivon. Nuk e di se çfarë emri t’i jap, karshi asaj klase demokratësh, që sot janë emigrantë. Dhe vetmitarë të budallepsur për shkak të sojit të Jozit. Dhe rënies katastrofike të vendit në një luftë ku njeriu po ha njeriun. Me një kulturë borgjeze mafioze, një arti që shitet e blihet për një gotë uzo. Një shkencë të braktisur. Dhe një drejtësie që dënon me 7 vite burg një pjesëmarrës fushate. Dhe asesi një vrasës, prostitues, kartel droge etj.
Suksese dhe arritje të ”demokrates”. Apo ”ikonës” së ”demokratëve”. Pasi nuk ka krenari në një dështim të përbashkët. E sidomos kur janë me shumicë, këta tipat të sojit si ty me antifushata, a antiprotestues.
Jozi, Basha veproi me guxim. Pasi ishte krijuar përshtypja se një derë nuk e hapje dot aty. Ta plaste fytyrës Jozi e ndonjë tjetër. Por e dhjeu me çunat e komunistave dhe ballinjëve. Me gjyshërit. Eshtë fatkeqësi intelektuale të pranosh një mandat’ deputeti të përjetshëm. Po kujt ia thua…
Megjithatë, edhe nëse i kushton PD-së. Me humbje zgjedhjesh. Më mire humbje se sa fitore me ty e ballinjtë e mufatur nga supa dhe paçja. Por duket se nuk ka humbje, a humbës në këto zgjedhje. Dhe ty kjo të turfullon, e të ka bërë grifshë. Paç inat e fjalë sa më poshtëruese se, shqiptarët akoma nuk e kanë provuar vërtetësinë, e konstatimit nga përvoja e tyre. Atë që, bëj si them unë, e jo si bëj unë.

Please follow and like us: