Juve – Real; gjithçka që duhet të dini për finalen e sotme
Juventus dhe Real Madrid do të përballen sonte në Cardiff, nga ora 20:45, në kuadër të finales së Ligës së Kampionëve.
Formacionet
Zinedine Zidane ndeshjen pritet ta filloj pa Gareth Balen, i cili ende nuk është rikuperuar 100 për qind pas lëndimit që kishte pësuar në El Clasico. Kurse, Massimiliano Allegri do të ketë në fushë të gjithë yjet. Surpriza e tij e vetme është kalimi i Dani Alvesh si mesfushor i djathtë. Këto janë formacionet e mundshme të të dy skuadrave të publikuara nga e përditshmja sportive katalane, Mundo Deportivo.
Dueli i trajnerëve
“Trajneri i Juventusit Allegri ka thënë para ndeshjes se Reali është favorit i kësaj finaleje. “Dua ta përsëris se Reali është favorit, ata janë kampionët aktual të kësaj gare. Por ne jemi të qetë dhe kemi punuar gjithë sezonin për këtë ditë”, deklaroi Allegri. Por Zinedin Zidan e ka hedhur poshtë këtë deklaratë. “E kam thënë disa herë dhe po e përsëris se në fiunale nuk ka favorit, gjithçka është 50/50. Kështu që duhet të përgatisim mirë ndeshjen”, ka theksuar mes tjerash ai.
Kush ka shpenzuar më shumë
Real Madridi ka shpenzuar shumë më shumë se Juventusi për ta ndërtuar skuadrën që e menaxhon sot Zinedine Zidane.
Goal ka bërë një krahasim të dy skuadrave me lojtarët që kanë blerë gjatë viteve për të ndërtuar skuadrat e sotme. Spanjollët kanë shpenzuar së paku 200 milionë më shumë se italianët. 25 lojtarët që ka Zinedine Zidane në dispozicion, i kanë kushtuar Real Madridit 638.2 milionë euro, derisa Juventusi e ka ndërtuar skuadrën për shumën e 422.03 milionë euro. Lojtarët që i kanë kushtuar më shumë Juventusit janë Gonzalo Higuain (90 milionë), Gianluigi Buffon (53) dhe Paulo Dybala (40). Kurse më të shtrenjtit në Madrid janë, Gareth Bale (100 milionë), Cristiano Ronaldo (94) dhe James Rodriguez (80). Pra në total, për të ndërtuar këtë skuadër, Reali ka shpenzuar 638.2 milionë euro, derisa Juventusi 422.03 milionë euro.
Dy të mëdhenjtë
Gianluigi Buffon dhe Cristiano Ronaldo sonte do të përballen në kuadër të finales së Ligës së Kampionëve. Kjo përballje mes Buffonit dhe Ronaldos nuk do të jetë vetëm në kërkim të trofeut më të çmueshëm në Evropë, por edhe për Topin e Artë. Sipas gazetave sportive në Spanjës, AS dhe Marca, fituesi i këtij takimi thuajse do të vendos edhe për fituesin e radhës së Topit të Artë. Gianluigi Buffon, ka lavdëruar yllin e Real Madridit, Cristiano Ronaldon, para finales së Ligës së Kampionëve, që zhvillohet të shtunën në Cardiff. Buffon thotë se Ronaldo është shembull për të gjithë, teksa nuk i pëlqen krahasimi që i bëjnë me të, që shihen si dy favoritët për “Topin e Artë” “Ronaldo është shembull për të gjithë”, tha fillimisht Buffon. “Krahasimi me Ronaldon? Kemi role krejtësisht të ndryshme, kështu që nuk mund të ketë krahasime mes nesh”, shtoi ai.
Ç’parashikojnë bastet?
Sipas shumicës së zyrave më të mëdha të basteve, Real Madrid është favorit i lehtë në finale. Fitorja e skuadrës spanjolle ka koeficient 2.65. Fitorja e kampionëve të Italisë, Juventusit ka kuotën 3, ndersa barazimi në këtë ndeshje është kotuar me 3.10.