Prof. Gjergj Sinani: A mund të ketë shtet të së drejtës pa drejtësi?
Në diskursin e politikanëve shumë rrallë, për të mos thënë fare, përdoret termi shtet i të drejtës, por më shumë përdoret termi shteti ligjor. Kjo mund të duket pa rëndësi, por në fakt ka një dallim të madh ndërmjet shtetit të të drejtës dhe shtetit ligjor. Edhe despotizmat dhe regjimet totalitare janë shtete ligjore, por jo të drejtë. Një shtet i drejtë ka qenë dhe mbetet dëshira më e madhe e popujve dhe mendjeve të ndritura. Pse? Sepse drejtësia është e lidhur me lirinë. Një popull që nuk arrin që të bashkojë lirinë me drejtësine është i humbur në gjithçka, shkruante Kamy. Ne ndodhemi pikërisht në këtë dilemë; a do të arrijmë që ta harmonizojmë lirinë me drejtësinë?
Refleksioni për drejtësinë bëhet gjithmonë sa herë që ajo nuk ekziston, ose është aq e korruptuar sa i detyron njerëzit dhe kombet të hidhen në krahët e dëshpërimit dhe indiferencës, duke i lënë drejtuesit e vet të bëjnë atë që duan. Jo rastësisht, Papa Benedikti XVI, në diskutimin e tij në parlamentin gjerman, evokoi një ide gjeniale të Shën Agustinit. “Hiqeni të drejtën – dhe atëherë çfarë e dallon shtetin nga një bandë e madhe hajdutësh?”. Ne e kemi njohur, në të kaluarën tonë të afërt, këtë shkeputje të shtetit nga drejtësia. Por edhe e tashmja nuk duket se ofron ndonjë gjë të madhe për këtë harmoni. Këtë pohim papa e ka nxjerrë nga vepra e Shën Agustinit, “Qytetit Zotit”. Në këtë vepër, Shën Agustini kishte argumentuar se “drejtësia është guri themeltar i shoqërisë civile”. Termi shoqëri civile nuk ka të bëjë me kuptimin që i jepet sot. Në mendimin filozofik, termi shoqëri civile lidhet me shoqërinë me shtet, që ka të bëjë me daljen nga gjendja natyrore dhe futjen e shoqërisë në një shoqëri me shtet. Por, si duhet të jetë ky shtet? Ky shtet duhej të ishte i drejtë. Në këtë shtet duhej të mbretëronte drejtësia. Si mund të arrihej një gjë e tillë? Për Agustinin kjo mund të arrihet kur “shpirti të rregullohet dhe do të bëhet karmonioz dhe i bukur dhe do të guxojë që ta shikojë Zotin, vetë burimin nga ku buron çdo e vërtetë dhe vetë atin e çdo të vërtete”. Shumë kohë më parë, me të njejtin shqetësim për një republikë të drejtë, Platoni e kishte përcaktuar drejtësinë si “harmonia e shpirtit”, që në gjuhë moderne do të thotë që pasionete trupit dhe arsyeja të jenë në harmoni ndërmjet tyre. Në qoftë se pasionet e trupit do të sundojnë arsyen atëherë nuk kemi më drejtësi. Në qoftë se do të shprehemi në një gjuhë më të thjeshtë, shteti dhe drejtësia nuk mund të jenë në harmoni në qoftë se shpirtrat njerëzorë do të jenë të prishur, ose, siç shprehej dikur Isuf Luzaj, në qoftë se shoqëria përbëhet nga njerëz me shpirtra të pakrasitur. Edhe Shën Agustini veprën kryesore e ndërton mbi bazën e një kundërvënieje ndërmjet Qytetit të Zotit dhe Qytetit tokësor, se si ky i fundit duhej t’i afrohej qytetit të Zotit.
Kaq nuk mjfton. Ata që duhet të drejtojnë këtë shtet duhet të jenë të drejtë, të virtytshëm dhe të pakorruptuar. Për ta plotësuar idenë e Agustinit papa solli edhe një episod nga Bibla. Në librin e parë të mbretërve, mbreti i ri Salomon, ndaj fteses së Zotit që t’i paraqiste atij një kërkesë, çfarë i kërkoi ai Zotit në këtë çast të fronësimit si mbret? Ai nuk i kërkoi as sukses, as pasuri, as një jetë të gjatë, as eliminimin e armiqve të tij, por i tha: “Jepi shërbëtorit tënd një zemër të butë për të qeverisur popullin tënd, për të bërë dallimin ndërmjet të mirës dhe të keqes”. Përmes këtij episodi Bibla do të tregojë se çfarë është më e rëndësishme për një politikan. Motivi i punës së tij nuk duhet të jetë suksesi dhe aq më pak përfitimi material. Politika duhet të jetë një angazhim për drejtësinë, e cila të shpie të paqja. Nuk ka paqe pa drejtësi. Këto të dyja janë të lidhura ngushtë ndërmjet tyre. Edhe kërkimi i suksesit duhet t’i nënshtrohet kriterit të drejtësisë, vullnetit për të zbatuar të drejtën.
Shumë kohë më përpara, Platoni propozoi një model të polisit ku të drejtohej nga një mbret filozof, i cili, pasi shpirti i tij të ngrihej drejt të menduarit filozofik, duhej të plotësonte dhe disa kushte të tjera si, të jetonte në një godinë të thjeshtë, të mos e prekte me dorë arin, të mos martohej etj., (a mund të përfytyrohen drejtuesit e sotëm të heqin dorë nga këto dy kënaqësi siç janë pasuria dhe gratë?). Prandaj, edhe doktrina e tij politike u konsiderua si një utopi. Ky motiv i integritetit moral gjendet që te miti i Prometeut. Kështu, Hesiodi e paraqet Prometeun që i jep këtë këshillë Epimetheut. Prometeu e pyet Epimetheun: Cila është lumturia më e madhe në sytë e njerëzve? Dhe ai i përgjigjet: Një grua dhe shumë para. Atëherë Prometeu i përgjigjet që të ruhet nga dhuratat e Zeusit olimpik dhe t’i refuzonte ato. Pavarësish se këtu kemi motivin e shpirtit kundërshtues ndaj autoritetit, motiv që na vjen deri te “Mizat” e Sartrit, ku Oresti pohon para Zotit lirinë e tij, motivi i shpirtërave të ulët që kënaqen me pasurinë dhe gratë është prezent. Megjithatë, ideja racionale e tij, dhe e Agustinit më pas, ishte se drejtuesit duhet të jenë të virtytshëm dhe në veprimtarinë e tyre të mos drejtohen vetëm e vetëm nga shpirti i përfitimit dhe pasurimit dhe kënaqësitë epshore mishtore.
Le të rikthehemi në atmosferën biblike, jo për reflektime teologjike, por për të kuptuar gjëndjen shpirtërore të një kohe krize të thellë morale, ku shqetësimi i vetëm është jeta në lluks dhe shfrytëzimi i të tjerëve. Në këto periudha krizazh, shpresat dhe aspiratat e njerëzve luajnë një rol të madh në evolucionin e mendimit, dhe jo vetëm të atij fetar. Më lejoni të sjell disa shembuj nga deklarimet e profetëve; për faktin se gjuha e tyre është e drejtpërdrejtë dhe shpreh ,ë së miri gjendjen shpirtërore të njerëzve në periudhën kur perandoria Romake ishte zhytur në korrupsion dhe një shthurje të madhe morale.
Amos, për shembull, konsiderohet si individi që revoltohet kundër organizimit të vendosur. Ai denonconte padrejtësitë që shikonte te politikanët dhe drejtuesit fetarë. Ai shqetësohej për degjenerimin moral të drejtuesve dhe të popullit. “Mjerë ata që jetojnë në bollëk në Sion dhe që e ndjejnë veten të sigurt në malin e Samarias, njerëz të parisë së ballit të kombeve, ku po shkon shtëpia e Izraelit…Mjerë ata që rrinë shtrirë mbi shtretër prej fildishi, që shtrihen mbi divanet e tyre dhe hanë qengjat e kopesë dhe viçat që merren nga stalla. Këndojnë me tingullin e harpës dhe ashtu si Davidi shpikin për vete vegla muzikore; pinë verë në kupa të gjëra dhe lyhen me vajrat më të mira, por nuk trishtohen për shkatërrimin e Jozefit. Prandaj do të shkojnë në robëri në krye të të internuarve dhe ata që shtrihen mbi divanet në banketet do të hiqen”. Dhe ja shpirti i protestës dhe kërkesa për drejtësi: “Unë i urrej, i përçmoj festat tuaja, nuk ndjej asnjë gëzim në mbledhjet tuaja solemne. (Pa le të shikonte kongreset e partive se çfarë do të thoshte, Gj. S.). Edhe sikur të më ofroni olokaustet tuaja dhe blatimet tuaja ushqimore, unë nuk do t’i pëlqej as do t’i shikoj me favor flijimet e falënderimit të kafshëve të majmë. Largo nga unë zhurmën e këngëve të tua, sepse nuk dua të dëgjoj muzikën e harpave të tua. Por le të rrjedhë e drejta si uji dhe drejtësia si një burim i përhershëm uji”.
Drejtësia kërkon edhe inteligjencën. “Një popull, i privuar nga inteligjenca, vrapon drejt shkatërrimit të vet”, do të predikonte Osea. Madje drejtësia konsiderohet si kërkesë e Zotit, siç na e thotë Ezekieli. “Në qoftë se dikush është i drejtë dhe zbaton ndershmërinë dhe drejtësinë… në rast se nuk shtyp kërkënd, në qoftë se i kthen huamarrësit pengun e tij, në qoftë se nuk kryen asnjë grabitje, në rast se i jep bukën e tij të uriturit dhe mbulon me rroba atë që është lakuriq, në rast se nuk jep hua me kamatë dhe nuk jep me fajde, në rast se heq dorë nga paudhësia, dhe gjykon me paanësi midis burrit dhe burrit, në rast se jeton sipas statuteve të mia duke vepruar me besnikëri, ai është i drejtë dhe me siguri ka për të jetuar, thotë Zoti”.
Le ta mbyllim me fjalët e forta të Jezusit kundër hipokrizisë, të atyre që ndryshe thonë dhe ndryshe bëjnë, me qëllim që ta përputhin jashtësinë e sjelljes me brendësinë shpirtërore. Le të kujtojmë shtatë mallkimet kundër skribëve dhe farisejve hipokritë: “Vij për ju skribë e farisej, shtiracakë, që u përngjani varrezave të zbardhura me gëlqere, që duken përjashta të bukura e përbrenda janë plot eshtra të vdekurish me gjithfarë ndyrësie. Kështu edhe ju përjashta njerëzve u dukeni të drejtë, kurse përbrenda jeni krejt hipokrizi e padrejtësi”. Fjalë që godasin, plot kërkesa morale dhe fetare, që ai kërkon për njerëzit. Ai donte t’i shikonte që ta adhuronin Zotin si nga brenda vetes dhe jashtë. Nga dashuria për ta, ai u bën thirrje për përputhshmëri etike dhe shpirtërore me Ligjin. Ai u bën thirrje për pastrimin e vetvetes. “Përse shtrydhni myshkonjën e kapërdini gamilen!” Përse i kërkoni tjetrit atë që nuk bëni për veten? Më mirë ia vlen që të përputhet jashtësia dhe brendësia e sjelljes për të pohuar thelbin etik dhe fetar.
Në qoftë se ç’ka u tha më lart ju duket shumë katekiste, atëherë dëgjoni Monteskjënë se çfarë pasoja ka korrupsioni dhe prirja për lluks pa punuar. Kur korrupsioni do të shtohet midis të korruptuarve, atëherë populli do t’i shpërndajë të gjitha mallrat publike dhe, meqë do ta prekë përtacia në administrimin e çështjeve, ai do t’i bashkojë varfërisë së vet argëtime lluksi. “Por me dembelizmin dhe lluksin e tij, vetëm pasuria publike do të jetë objekti i tij”. Cila është pasoja e një gjendjeje të tillë? Monteskjë na e jep me një qartësi sa mund të konsiderohet prekursor i tiranëve modernë. “Formohen tiranë të vegjël, që kanë të gjithë veset e njëshit. Shpejt ajo çka mbetet nga liria bëhet e padurueshme. Atëherë ngrihet një tiran i vetëm dhe populli humb gjithçka, deri edhe avantazhet e korrupsionit të tij”.
Evokimi i thënies së Shën Agustinit nga papa ka një lidhje të ngushtë me kohën në të cilën jetojmë, por edhe një thirrje për të njohur sa më shumë, si nga historia edhe nga veprat e mjeshtërve të mëdhenj të mendimit. Lria dhe drejtësia nuk harmonizohen në mënyrë spontane. Ato kërkojnë përpjekje të mëdha të mendimit dhe të veprimit.