Sadik Bejko: ORA 24
Akrepat e patën shëtitur orën
Tejetej. Ja, po e prisnin ditën
Si gërshërët gjethen nga dega.
Ca zëra:
Ku je, ku ?, më thërrisnin.
Lëvarur isha te bryma a te rrapet
Te thëllimi që shtie gjethet
e rrjep gëzofin e bishave.
Tek shuhen gjurmë ujku mbi borë
Ku lëkurat zhvokshen nga trungjet
E nga shpina e gjarpërinjve.
Mpiksja e ujit në akull, mpiksja e ditës
në muzg, aq tejdukshëm,
më patën tëhollur si brumin në petë.
Ku je, ku ?, thërrisnin.
Tegela gjalmi të natës
me gjilpërën e brymës
më patën mbyllur në gjethe
Ndër rrathë përbrenda trungut,
Në rrjetë zifti vrimash të zeza…
Me një eklips gjysmë hëne në kokë…
(Ku je, ku ?)
… e dot s’përgjigjesha.
Please follow and like us: