Yee: Krizat politike zgjidhen me vullnet politik
Ne presim nga qeveria e re që të jetë partnere e bashkësisë ndërkombëtare, me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara si aleatët e qëndrueshëm të Maqedonisë, në drejtim të zbatimit të reformave urgjente për vendin, ka deklaruar Zëvendësndihmësekretari amerikan i Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Hoyt Brian Yee.
Në një intervistë për ‘Zërin e Amerikës’, ai ka vlerësuar lart veprimin e palës greke për zgjidhjen e problemeve mes dy vendeve.
“Jam i lumtur që ministri grek i Punëve të Jashtme, Nikos Kotzias, ka zgjatur dorën e miqësisë për Maqedoninë, duke shprehur gatishmërinë për takime në drejtim të ngritjes së marrëdhënieve mes dy vendeve”, ka theksuar Yee.
Sipas diplomatit amerikan, formimi i qeverisë së re të drejtuar nga Zoran Zaev është një shembull pozitiv për rajonin.
“Vendimi i presidentit Gjorgji Ivanov për t’i dhënë mandatin Zoran Zaevit është një tregues se demokracia në Maqedoni është e gjallë dhe e qëndrueshme. Përveç momenteve të rënda, si ngjarjet e prillit në Kuvend, vonesat dhe pasiguritë, që janë tejkaluar, tani krijimi i qeverisë është një hap shumë pozitiv. Dhe ky është një shembull pozitiv për pjesën tjetër të rajonit se krizat politike mund të tejkalohen me vullnet politik”, ka thënë përfaqësuesi i lartë i Departamentit të Shtetit.
Në këtë intervistë, Yee ka shtuar se politika amerikane ndaj Ballkanit mbetet e pandryshuar për shkak se, sipas tij, bazohet në interesat amerikane për rajonin që po lëviz drejt integrimit në BE dhe drejt krijimit të një klime më të mirë për investitorët evropianë dhe amerikanë.